Divorci me Ramën, PD zbardh dëshminë e Matildës në gjykatë
PD-ja përmes zëdhënëses së PD-së, Erla Mëhilli, paraqiti dje para mediave dëshminë e ish-bashkëshortes së kreut të opozitës, Edi Rama, që ajo ka dhënë para gjykatës gjatë seancës për divorc shumë vite më parë. Sipas saj, këto janë dëshmitë tronditëse të ish-bashkëshortes së Edvin Ramës, përmes të cilave znj. Matilda Makoçi dëshmon në gjykatë për dhunën çnjerëzore që kryetari aktual i Partisë Socialiste ka ushtruar ndaj saj. Mëhilli citoi nga dëshmia e Makoçit: “Kam histori që nuk i di kush. Ndaj meje është abuzuar dhe prej këtyre më janë shkaktuar dhimbje dhe kam përfunduar në spitale. E kuptova atëherë se nuk kisha ç’të thosha me atë njëri dhe i dhashë divorcin”. “Kjo dosje e zezë, - vazhdon dëshmia, - që përmban sagmën që Edvin Rama i ka bërë familjes së tij, është dosja më e turpshme e një individi e një qytetari dhe modeli më i shëmtuar i një politikani përballë një publiku të civilizuar”. Sipas znj.M ëhilli, provat që Edvin Rama i ka mohuar kafshatën e gojës djalit të tij si dhe dëshmitë rrëqethëse të ish-gruas së tij për dhunën sistematike dhe çnjerëzore të ushtruar mbi të nga kryetari i Partisë Socialiste janë një apel i madh për çdo qytetar të këtij vendi. “Një individ që përdor dhunën, mohimin dhe poshtërimin mbi familjen e vet, nuk e ka për gjë që të shkelë mbi çdo vlerë tjetër njerëzore. Këto fakte të rënda dëshmojnë qartësisht se qëndrimet e çekuilibruara dhe të neveritshme të z. Rama, të dënueshme në çdo vend të lirë të botës, përbëjnë një rrezik dhe kërcënim serioz jo vetëm për PS-në, por edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi”, – u shpreh zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.