E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ËSHTË KJO NJË ÇËSHTJE SPORTIVE (?!)

REDAKSIONALE

Federata e Maqedonisë ka pezulluar dje kampionatin e futbollit, pas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme të atij vendi se nuk mund të garantojë qetësinë (!!).Por a bëhet fjalë këtu për një çështje sportive?! Afërmendsh që jo!

Bilanci i etheve anti-shqiptare që kanë përfshirë dy muajt e fundit Maqedoninë e vogël fqinje është deri tani 2 shqiptarë të vrarë e së paku 30 të tjerë të plagosur. Incidentet shpërthyen nga thirrjet raciste nëpër stadiumet e vendit, pasuan me djegien e flamujve shqiptarë, me protestat dhe reagimet kundër karnavalit të Vevçanit të Strugës, aktet vandale ndaj xhamisë në Manastir, grafitet e ndryshme antishqiptare nëpër muret e Shkupit etj, etj. Situata e tensionuar kulmoi me vrasjen e dy të rinjve shqiptarë nga ana e një polici maqedonas një javë më parë në Gostivar, dhe së fundi me rrahjen e nxënësve shqiptarë nga ana e huliganëve të maskuar maqedonas.

Si faktori ndërkombëtar, ashtu dhe politika shqiptare pasive dhe e pudrosur, kanë heshtur në mënyrë të padenjë. Sigurisht që nacionalizmat agresive të një shteti të lodhur si Maqedonia janë atavizma me prapavija ideologjike, që kurrsesi nuk mund të zgjidhen duke shtyrë ndeshjet  e kampionatit (!).

E vërteta është që shteti maqedonas ka dalë nga kontrolli duke lejuar një nacionalizëm banal sllavo-maqedonas me tipare naziskine. Përgjegjësia është e segmenteve shtetërore të inkriminuara që përdorin pseudo-nacionalizmin për pushtet.

Klasa shqiptare politike në Maqedoni të heqë dorë nga përçarja dhe të bashkohet sa më parë. Kurse klasa politike në Shqipëri dhe Kosovë të mos bëjë sehir, por të jetë parimore, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Fqinjët tanë ende të paemër duhet të heqin dorë nga nëpërkëmbja e dinjitetit tonë. Boll duke cënuar shqiptarët! E ardhmja e Maqedonisë egziston vetëm si e ardhme e përbashkët, që përfshin respekt të plotë për shqiptarët.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›