E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do ndikojë raca?

Senatori demokrat Barak Obama është afrikano-amerikani i parë në historinë amerikane që merr emërimin e një partie të madhe politike si kandidat për president. Dhe jo vetëm kaq! Anketat tregojnë se zoti Obama ka epërsi ndaj rivalit republikan, senatorit John McCain. Sipas këtyre anketave, nëse zgjedhjet zhvillohen sot, Obama mund të bëhej presidenti i parë afrikano-amerikan i Amerikës.

Por anketat nuk janë në gjendje të marrin parasysh faktorin racë kur të hidhen votat në fshehtësinë e kutisë së votimit. Çështja që shtrojnë analistët është se sa të gatshme janë Shtetet e Bashkuara për një president afrikano-amerikan.

Në muajin mars, Barak Obama, kandidati që pritet të fitojë emërimin demokrat, komentoi për racën e tij dhe për ndikimin që kjo mund të kishte mbi zgjedhjet presidenciale. Komentet i referoheshin në atë kohë zgjedhjeve brenda Partisë Demokrate. "Megjithë joshjen për ta parë kandidaturën time me një lente thjesht racore, ne arritëm fitore të rëndësishme në disa shtete që kanë popullsi ndër më të bardhat në Amerikë."

Barak Obama mori miliona vota nga demokratët e bardhë gjatë garave paraprake kundër senatores Hillari Klinton. Por tani ai është në një fushatë kombëtare kundër republikanit Xhon Mekein dhe shpreson të fitojë në shtete të cilat janë tradicionalisht republikane.

Shumë njerëz në këto shtete kanë lënë të kuptohet se raca do të jetë faktor në zgjedhjet e nëntorit. Virxhinia Perëndimore është një shtet me një numër të madh punëtorësh të bardhë. Në qytetin Franklin, Steve Miller ka në pronësi një hotel dhe një restorant. Ai thotë se komuniteti i tij nuk do ta mbështesë Obamën.

"Nuk mendoj se kjo është diçka raciste, por njerëzit në Virxhinian Perëndimore nuk janë të sigurt nëse janë gati për të pasur një president afrikano-amerikan."

Kur zonja Klinton mposhti senatorin Obama në zgjedhjet e Virxhinias Perëndimore, një anketë tregonte se për çdo dy në dhjetë votues, raca ishte një faktor. Sipas redaktorëve të gazetave lokale "kur një afrikano-amerikan ka pushtetin politik, shumë banorë në qytetet e voglamendojnë se me politikat e tij ai do të favorizojë më shumë zezakët se sa të bardhët."

Disa të tjerë thonë se Amerika është e gatshme për një president afrikano-amerikan, por shtojnë se Obama ka të metat e tij. Sipas këtij grupi, ai nuk ka përvojën e duhur dhe kjo e dëmton më tepër se sa raca.

Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara ekziston një prirje për të mos i vënë rëndësi racës ose për të mos krijuar përshtypjen se po voton bazuar mbi racën. Prandaj kur një votues ka përballë një kandidat të bardhë dhe një zezak, ai përpiqet të mos e marrë vendimin bazuar mbi racën.

Edhe shteti verilindor i Pensilvanisë ka një shtresë të gjerë punëtorësh të bardhë. Ky shtet, me më shumë se 8 milionë votues të regjistruar, ka rëndësi kritike për Obamën. Edhe këtu, zonja Klinton fitoi ndaj zotit Obama në zgjedhjet paraprake demokrate.

Sidomos të moshuarit në këtë shtet, janë disi kundër kandidaturës së z.Obama. Mendimi i përgjithshëm i kësaj grupmoshe është: "Jo, jo sepse është zezak por se nuk i ka aftësitë e senatorit Mekein".

Por në kampuset universitare, (pra tek të rinjtë) edhe në shtetet jugore republikane, Obama është mjaft popullor. Studentët e Universitetit të Virxhinias, thonë se raca do të jetë një faktor në zgjedhje, por jo për ata vetë. Disa mendojnë se raca nuk do të jetë një faktor për shumicën, por për një përqindje shumë të vogël votuesish. Ama, kjo përqindje e vogël mund të vendosë fatin e zgjedhjeve.

Përfundimisht vëzhguesit politikë në SHBA thonë se është e vështirë të gjesh me saktësi se ç’mendojnë njerëzit për racën, sepse shumë prej tyre e fshehin atë që ndjejnë realisht. Madje, sipas vëzhguesve, shpesh votuesit nuk e kuptojnë se po ndikohen nga raca.

*Marrë me shkurtime nga sajti zyrtar i radios së njohur Zëri i Amerikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›