E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simetri e deformuar

Vendimi për të njohur dhe kërkuar pavarësimin e Osetisë dhe Abkhazisë pa asnjë lloj kompromisi, e ka nxjerrë Rusinë në një standard të ri sa i përket raporteve të saj me të drejtën ndërkombëtare. Nga një kundërshtare e vendosur e pavarësisë së Kosovës, Rusia është kthyer në mbështetëse të pavarësisë për dy rajone, popullsia e të cilave, së bashku, nuk i kalon 250 mijë banorë. Gjëja e parë që bie në sy, në këtë sipërmarrje të komplikuar, është hakmarrja e Moskës ndaj Perëndimit lidhur me qëndrimin për Kosovën. Këtë gjë e ka pohuar, në njëfarë mënyre, vetë presidenti rus Medvedev.

Gjatë kohës së bisedimeve shqiptaro-serbe, për Kosovën, Rusia adaptoi një qëndrim fiks sipas të cilit ajo “do të mbështeste çdo zgjidhje që mund të vinte si kompromis mes palëve, duke mos përjashtuar as pavarësinë, nëse do të binte dakord Serbia”! Një diplomaci ironike që solli si përfundim bllokimin e procesit në KS të OKB-së, nëpërmjet të drejtës së veto-s. Kjo lloj diplomacie ka ndryshuar, këmbë e krye, në rastin e dy rajoneve autonome të Gjeorgjisë.

Nga politika e zgjidhjes vetëm nëpërmjet kompromisit, në rastin e Kosovës, Moska është zhvendosur tek politika e faktit të kryer, mbështetur nëpërmjet forcës. (Formalisht Rusia mund ta çojë çështjen e dy rajoneve, të njohura prej saj, në KS të OKB sa për të kaluar një procedurë e cila është e sigurt që do të bllokohet nga veto e SHBA-së, Britanisë dhe Francës).

Shqiptarët janë të interesuar, më shumë, për efektet që do të prodhojnë zhvillimet në Gjeorgji dhe përreth saj, lidhur me të ardhmen e Kosovës. A do të ishte e gatshme Moska të njihte pavarësinë e Kosovës në këmbim të njohjes së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë? A ka gjasa që Rusia ta njohë Kosovën pa asnjë këmbim, si shenjë e parë e uljes së tensioneve me perëndimin? Dhe e anasjellta, a do të ishte i gatshëm Perëndimi të njihte pavarësinë e dy mini-republikave kaukaziane në këmbim të njohjes nga Moska të pavarësisë së Kosovës? Përgjigja e këtyre pyetjeje do të zbërthente qëllimin e ndërhyrjes ruse në zonën e Kaukazit, ku ka edhe raste të tjera të këtij lloji (p.sh. Transnistria, një rajon autonom i Moldavisë, me mbi 500 mijë banorë, mund të kërkojë të njëjtën gjë si Osetia dhe Abkhazia duke i dhënë shkas rusëve të vendosin kontroll të plotë edhe në atë pjesë).

Një gjë është e sigurt se Rusia nuk ka të njëjtat interesa në Ballkan siç ka Perëndimi në Kaukaz dhe se e mban të bllokuar njohjen për Kosovën për arsye interesash indirekte, që kanë të bëjnë me të fituarit kohë për rivendosjen e influencës së saj në rajonin e Kaukazit. Tensionet mund të shtohen deri në një konflikt të mundshëm me Ukrainën, fqinjin më të madh të Rusisë, që po kërkon të bëhet pjesë e NATO-s. Me pak fjalë, kemi të bëjmë me një përplasje gjeostrategjike në rajonin e Kaukazit (dhe përtej tij), që përbën një vijë sipas së cilës Rusia po kërkon të jetë simetrike me pjesën tjetër të botës. Edhe pse një simetri, kjo, mjaft e deformuar. Forcimi i një fuqie, jo aq demokratike, si Rusia, do të përbënte rrezik për botën, ekuilibri i së cilës mund të mbahet vetëm me riformatimin e OKB-së në disa pika të rëndësishme të vendimmarrjes.

Raporteve të sotme të superfuqive me të drejtën ndërkombëtare dhe OKB-në, i shkon përshtat një shprehje e filozofit të njohur Jurgen Habermas i cili, kur flet për Perëndimin e Përçarë thotë se “është në interes të SHBA që OKB të jetë e aftë për të vepruar, para se një fuqi tjetër e madhe më pak demokratike të ngrihet në rolin e një superfuqie”. Kjo thënie na kujton deri diku Rusinë e sotme por, pse jo, mbase edhe Kinës e nesërme.

Një luftë e ftohtë është përvijuar mes Rusisë dhe Perëndimit. Hapi i parë i kësaj lufte është hedhur, pasi Rusia ka ndërprerë bashkëpunimin me NATO-n. Ndryshe nga lufta e mëparshme sot kemi një të ashtuquajtur Kamp Lindor shumë të më të reduktuar në numër dhe në forcë. Një pjesë e madhe e ish-shteteve aleate të Rusisë janë anëtarë të BE-së dhe NATO-s. Megjithatë kemi një Rusi shumë më të përforcuar në të gjitha parametrat. Beteja afatmesme pritet të zhvillohet në Gjeorgji dhe Ukrainë, vende të cilat janë me fytyrë nga NATO.

Vështirë të thuhet se kriza në Kaukaz mund të zgjidhet me diplomaci, në disfavor të Rusisë. Akoma më e vështirë, madje e pamundur, të zgjidhet me forcë. Kësisoj parashikohet një betejë e gjatë mes SHBA dhe aleatëve të saj nga njëra anë, dhe Rusisë nga ana tjetër. Është prova më e fortë e një Rusie të përforcuar ekonomikisht dhe ushtarakisht brenda një sistemi politik që funksionon ndryshe nga herët e tjera. Administrata e re amerikane, që pritet të vijë në fuqi pas katër muajsh, do të duhet të marrë përsipër riformatimin e qëndrimeve ndaj Rusisë dhe trajtimin me kujdes të zhvillimeve, të deritashme dhe atyre që priten, në Kaukaz. Kjo çështje me siguri që do të ketë ndikimin e saj në fushatën për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Është interesante të shihet sa do të jetë mbështetja e shteteve të tjera ndaj vendimit të Rusisë për njohjen e pavarësisë së rajoneve kaukaziane. Akoma më interesante është të shihet nëse do të ketë shtete që do t’i njohin të dyja edhe Kosovën edhe Osetinë, për të kuptuar se sa është shkalla e ngurtësimit të interesave të shteteve të tjera përkatësisht rreth SHBA-së dhe Rusisë. Gjithsesi Kosova dhe Oseti-Abkhazi & co nuk janë në varësi reciproke nga njëra-tjetra, ndonëse janë gurë të vegjël në peshoret e dy kampeve më të fuqishme të botës së sotme.

Kosova është thelbësisht më e avancuar në të gjitha pikëpamjet ashtu siç është në të gjitha parametrat për të qenë një shtet i pavarur. Për Rusinë njohja e dy mini-republikave nuk është pengesë por shkas për të avancuar drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Reaksionet zinxhir priteshin. Nuk është hera e parë që ndodhin. Të tjera mund të ndodhin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›