E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fermerët e Matit denoncojnë për misrin e skaduar

MAT- Fermerët ë Matit kanë denoncuar faktin se misri shterp u ka mbërritur dhe në parcelat e mbjella prej tyre, pasi tani që kanë filluar të mbledhin prodhimet, kallinjtë e misrit figurojnë bosh. Dhe kjo, sipas tyre, lidhet me farën e skaduar që kanë përdorur, farë kjo e hedhur në treg nga një firmë e liçensuar nga Ministria e Bujqësisë. Janë 162 fermerë të Matit që nuk po marrin as dhe një grusht prodhim në sipërfaqet e mbjella dhe që u kanë kushtuar muaj të tërë mund, djersë e harxhime të mëdha. Sipas fermerëve matjanë fara ka dhënë vetëm masë vegjetative dhe jo prodhim sikur e prisnin pas shërbimeve korrekte të kryera. Ata thonë se farën e misrit e kanë blerë nga firma shpërndarëse e këtij produkti Agro Blend, firmë në të cilën ishin furnizuar dhe fermerët e komunës së Pajovës që protestuan për të njëjtën gjë ditën e djeshme. Sipas fermerëve, farës së mbjellë i janë bërë të gjitha shërbimet që në mbjellje dhe të tëra fazat por nuk u realizua prodhimi dhe ata kanë mbetur të befasuar kur kanë parë në fund vetëm masë vegjetative. Janë qindra familje nga tërë komunat e Matit që të detyruara edhe nga çmimi i lartë në treg i grurit dhe misrit, kanë mbjellë sipërfaqe të tëra me misër pasi dhe toka i përshtatet kësaj kulture, dhe që e bazonin ekononinë e tyre shtëpiake tek kjo kulturë, por që duket se për këtë vit kanë “prekur” rrënimin e plotë ekonomik të tyre. Dhe më e keqja thonë ata, askush nuk po ndihet për t’i dëmshpërblyer. Ndërkohë që nga ana e Minsitrisë së Bujqësisë është thënë se ditën e hënë kjo ministri do të hetojë firmën Agro Blend, e cila ka shitur farën e misrit tek fermerët e zonave të Elbasanit, Matit, Fierit dhe Gramshit. Ata u kanë bërë thirrje fermerëve të bëjnë analizat e prodhimit nga kompanitë përkatëse në momentin që blejnë produktin tek ata. Por fermerët janë të pakënaqur nga ky reagim ndaj dhe kanë filluar të hidhen në protesta, më së pari ata të Pajovës në Peqin ku mijëra hektarë me misër u ka rezultuar me kallinj bosh, duke pësuar miliona lekë humbje. Përfaqësuesi i firmës Agro Blend, njëherit kryetar i komunës Vorë, Fiqi Ismaili, ka pranuar në media se 10 nga 200 ton farë misri që ishte importuar nga Franca ka patur probleme, por dhe duke aluduar për probleme që u kanë rrjedhur fermerëve nga kushtet atmosferike. Ndërkaq mësohet se dhe specialistë francezë të këtij prodhimi kanë marrë kampione në parcelat e Matit, por pa dhënë ende spjegime për këtë dështim katastrofal për fermerët e këtij rajoni dhe të tjera. E gjithë kjo ka bërë që fermerët t’u përgatiten protestave deri sa t’u jepet përgjigje e saktë dhe të dëmshpërblehen për prodhimin e humbur qindramilionë lekësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›