Arsimi dhe këputja e brezave
SHKOLLIMI NË PERIFERI
“Të ikim një orë e më parë prej këtij vendi! Për fëmijët aman, po na i marrin në qafë! Këtu nuk mësohet, këtu nuk ka shkollë!...” Është një ritual bisedash thuajse në çdo shtëpi të qyteteve të vogla, të ashtuquajturave provinca. Biseda të qeta apo acaruese në mes familjarësh, ku fajet u faturohen herë njërit apo tjetrit prind, të dëshpëruar për pamundësinë e shkollimit të fëmijëve.
Ky shqetësim, sidomos këtë vit, është prezent në qindra familje në Mirditë, si në Rrëshen e Rubik kryesisht, prej faktit se fëmijët e tyre kanë dështuar në provimet e maturës shtetërore dhe për fat të keq, nuk kanë asnjë mundësi të dytë as për punë e as për shkollim të mëtejshëm!
Përgjegjësia tirret tërkuzë sa tek fëmija, tek prindërit apo shkolla. Nuk është vështirë të konstatohet se tashmë po bjerret tradita e shkollave me emër, siç ishte ajo e mesme e Rrëshenit.
Provincat tona po provincializohen përditë e më shumë. Në gjithë botën, provincat janë provinca, por tek ne po zhbëhet dhe ajo që ka ekzistuar. Fajtore? Së pari, politika bjerrakeqe. Shembujt flasin për negativitet në rritje. Njerëzit relativisht të shkolluar po largohen përditë e më shumë. Ato pak nxënës që mbarojnë studimet me rezultate të mira, nuk kthehen më në qytetet e tyre as sikur t’u duhet t’i sakrifikojnë tërë vitet e mundimshme të shkollimit për një vend kamarieri në Tiranë apo muratori në Greqi a Itali. Kjo mungesë ka sjellë fenomenin e “këputjes së brezave” në të paktën dy dekada. Nga një vëzhgim qoftë dhe sipërfaqësor, vëren menjëherë se në shkollat e qyteteve periferike për shkak të mungesës së mësuesve cilësorë nuk kemi rigjenerim të stafit pedagogjik me studentë të mirë që të mund ta rifreskonin cilësisht mësimdhënien. Kështu gjimnazet në qendrat administrative të këtyre provincave dikur stinore për mësues të filtruar, janë hapur kanat më kanat për këdo, mjaft të disponojë një diplomë! Po ashtu nuk ka rigjenerim të stafeve nëpër institucione.
Ardhja e një brezi mësuesish të paaftë, ka bërë që shkollat e mesme të degradohen. Prej vitesh nxënësit më të mirë që mbarojnë këto shkolla, nuk u kthehen më atyre, madje askush nuk i preferon lëndët bazë të gjimnazeve si matematika, fizika, kimia, biologjia etj., për t’i vazhduar edhe në arsimin e lartë, ndaj duket se ka mbetur brezi i fundit gjysmak i mësimdhënësve që po e mbajnë “gërdallën” shkollë ende në këmbë!
MASH nuk po aplikon asnjë projekt serioz në këtë drejtim të paktën për t’iu qasur disa arritjeve të para ’90-s. Mund të stigmatizohet si “metodë komuniste” shtegtimi i mësuesve nga qendrat e mëdha për në provinca, por që polli një situatë fantastike në shkollimin e bijve të këtyre zonave. Jo si asokohe, por do të funksiononte kjo nxitje pa urdhra, përmes levave ekonomike, pasi Shqipëria nuk është Kina me Tibetin e largët, por gjithçka lëviz në 2-300 km nga rrezja e metropolit. Infrastruktura rrugore në përmirësim i shkurton dukshëm këto distanca duke ua bërë joshës mësuesve të supërpaguar edhe provincën e largët.
“Brezit militant” duket se i intereson kjo situatë për të ruajtur përjetësinë e drejtimit, ndërsa çerdhen ua ngroh dhe politika e Tiranës, që më së shumti duket këndej me gërshërët e përurimeve të rrugëve që bëhen e zhbëhen çdo vit apo tam-tamet e fushatave elektorale!...
*Autori është korrespodent i “Shekullit” për Rrëshenin