A do të dalin nga selia, ku i gjen paratë PD e Berishës? Noka përgjigjet pas vendimit të gjykatës

A do ta lirojë selinë e PD grupimi i drejtuar nga zoti Berisha? Përgjigja është “jo”. Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, thotë së vendimi i gjykatës është politik dhe e lidh praninë në seli me njerëzit që e drejtojnë atë.
“Selia nuk është pronë e Edi Ramës. Ditën që selia e PD do të rikthehet në seli pengjesh, atë ditë në Shqipëri ka vdekur demokracia dhe ka marrë fund pluralizmi”,- u shpreh zoti Noka në emisionin “Pa Censurë”.
Pyetjes së gazetares Elona Meço se ku do t’i gjejnë fondet për fushatë, pasi, duke mos patur kredencialet e PD, nuk përfitojnë nga KQZ, zoti Noka u përgjigj:
“Ne po flasim për një regjim, për një monizëm që dyshja Edi Rama-Yuri Kim duan të instalojnë. Fondet janë gjëja më e vogël përballë kësaj. Kemi një vit që mbijetojmë pa fonde. Sepse të gjithë kontribuojnë vetë. Asgjë nuk paguhet (nga selia). Sepse shpirti i njerëzve të lirë për të mbajtur gjallë pluralizmin dhe demokracinë nuk ka vdekur. Do të mbijetojmë siç kemi mbijetuar këtë një vit”.
/rtsh.al/