Berisha takon ambasadorin hungarez: Procesi gjyqësor ishte një farsë, nuk bojkotojmë zgjedhjet

Sali Berisha ka zhvilluar të hënën një takim me ambasadorin hungarez, Lorant Balla. Sipas njoftimit për shtyp, në këtë takim të zhvilluar në selinë e PD-së, Berisha ka diskutuar mbi atë që ai e konsideron si një “farsë të procesit gjyqësor të pashembullt në historinë e Shqipërisë”.
Sipas Berishës, Edi Rama kërkon t’u imponojë qytetarëve në mënyrën më antidemokratike se nga kush duhet të përfaqësohen si opozitë.
“Një proces ky unik në histori gjithashtu për shkak të presionit të papranueshëm të ushtruar mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri nga kanale ekstra-politike dhe diplomatike, tërësisht në shkelje të parimeve më themelore të shtetit të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.”- ka theksuar Berisha.
Sipas tij, pavarësisht këtij konteksti i cili është në vijim të një serie aksionesh që kanë si qëllim asgjësimin e pluralizmit politik në vend, ashtu siç u dëshmua nga skandali McGonigal, ka siguruar ambasadorin mbi pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në procesin zgjedhor të 14 majit, duke i garantuar se PD mbetet e angazhuar ndaj parimeve më të mira të garave elektorale, në respekt të votës së lirë dhe demokracisë qytetare.
“Gjeta rastin ta falënderoj gjithashtu në emër të Partisë Demokratike, për të gjithë miqësinë e vyer historike që karakterizon marrëdhënien shqiptaro-hungareze, por dhe për rolin e veçantë të mikut dhe Kryeministrit Orban, në intensifikimin dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ai ka qenë dhe mbetet një mbështetës i pakursyer i Partisë Demokratike dhe kauzave tona konservatore, në promovimin e vlerave më të drejta kombëtare dhe të familjes. Takimi ishte i hapur”,- shkruan Berisha.
/rtsh.al/