E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të ketë më vend për plazhe publike?

Ndok Malaj

Është për të ardhur keq që gjithë kjo gjatësi e vijës bregdetare që ka Shqipëria të mos ketë plazhe publike, ku mund të gjejnë një kohë (që është shumë e vështirë), familjarë apo persona të veçantë, që edhe këta, qoftë edhe një ditë në fundjavë, të ketë mundësi të shijojnë ujin e detit, aq i domosdoshëm për trupin e njeriut, të kenë mundësi të hapin një çadër të vetën e të pushojnë me ato kushte që i kanë krijuar vetes me sakrifica, pra ta dijë se edhe deti duhet frekuentuar.

Po të kalosh gjatë gjithë vijës bregdetare të bie në sy se nuk ka pothuajse fare hapësira për plazhe publike, pra janë bërë pronë e individëve të veçantë, ku, me leje apo pa leje, nuk jemi në gjendje të gjykojmë, vetëm e shohim se nuk gjen hapësirë për të kaluar  pak orë pranë detit, pa paguar një tarifë, kjo për faktin se nuk ka hapësira gjoja të paprivatizuara. Vërtet ka ndërtime të shumta në bregdet dhe me kushte bashkëkohore, por mundësitë e njerëzve nuk janë për ti frekuentuar ato, prandaj një numër i madh pushuesish  mundohen me mundësitë e tyre të marrin pak rreze pranë detit, por nuk gjejnë hapësira.

A ka mundësi që pushteti vendor në këto zona të rezervojë hapësira publike, jo një, po më tepër, duke parë nëpërmjet sondazheve se sa është mundësia e qytetarëve për frekuentim të plazheve private dhe atyre publike. Dëshirë kanë të gjithë të pushojnë në kushte sa më të mira, por dëshira dhe mundësinë janë dy të ndryshme. Prandaj, mirë do të ishte që edhe qytetarët  të jenë të informuar se sa zona janë me plazhe publike dhe të jepet
vendshtrirja e tyre nëpërmjet tabelave shpjeguese.
 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›