A do të krijojë Assadi Alavistanin?

Edhe sa kohë do të qëndrojë në Damask presidenti i Sirisë, Baschar Al Assad? Regjimi i tij duket se po dobësohet: si pasojë e një sulmi me bombë u vra dhëndri i tij dhe tre zyrtarë të lartë të regjimit, dezertimet e ushtarakëve po vazhdojnë, ndërsa kryengritësit kanë depërtuar në qytetet më të mëdha të vendit. Qëndrimi në Ëashington dhe kryeqytetet tjera është se nuk është tashmë çështje se a do ta humb Assadi Damaskun, por kur.
Por shihet se ai nuk do ta dorëzojë Damaskun pa luftë. Që nga sulmi me bombë kundër regjimit, divizioni i katërt i ushtrisë së Sirisë, i kryesuar nga vëllai i Assadit, Maheri, ka nisur një ofensivë për të rivendosur nën kontroll disa lagje në kryeqytet, të pushtuara nga kryengritësit. Për të siguruar Damaskun, regjimi ka ri-stacionuar njësi nga Rrafshnalta e Golanit dhe pjesët lindore të Sirisë. Rivendosja e kontrollit për Assadin është tejet e rëndësishme, për të dëshmuar se ai nuk është vetëm një komandant alavit, por edhe mishërim i shtetit.
Por ai si duket po e udhëheqë një betejë të humbur. Përderisa po vazhdojnë luftimet e ashpra në Damask dhe Aleppo, regjimi po e humb kontrollin në brendi të Sirisë dhe në verilindjen kurde të vendit. Rajonet me popullatë sunite në Siri po dalin nga kontrolli i Assadit dhe nuk ka asnjë mundësi reale që ai të rivendosë autoritetin në këto rajone.
Por Assadi ka ende një adut në lojë: regjimi sirian ka tashmë disa muaj që po e përgatitë shtegun për tërheqje në masivin malor në brigjet e Sirisë, qendra tradicionale e sektit alavit të Assadit. Tani është e qartë se kah po lëvizë konflikti në Siri. Herët apo vonë, Assadi do të braktisë Damaskun.
Humbjet e fundit të regjimit sirian vetëm sa kanë përshpejtuar këtë proces. Me tërheqjen e qartë të vijave sektare, janë shfaqur raporte për migrim të brendshëm të popullatës, me alavitët që po kthehen në rajonet malore-jehonë kjo e dinamikës, e cila është parë gjatë luftës në Liban.
Pak kohë pas vrasjes së zyrtarëve të lartë sirianë, aktivistët e opozitës dhe diplomatët perëndimor kanë raportuar se Assadi është zhvendosur në qytetin bregdetar Latakia. Këto raporte janë kontestuar, por vendndodhja e Assadit mbetet e panjohur.
Përkundër faktit se regjimi në Siri është një ndërmarrje familjare, Assadi ka synuar që gjatë gjithë konfliktit të paraqes vetën si kontakti i vetëm me botën e jashtme. Për fat të keq, bashkësia ndërkombëtare ka hyrë në këtë valle. Të gjitha iniciativat diplomatike për të zgjidhur krizën në Siri e kanë nxitur dialogun me Assadin dhe zyrtarët janë përmbajtur nga thirrjet që ai të dorëzojë pushtetin.
Sidoqoftë, që moti është bërë e qartë se përpjekjet e Assadit për të kontrolluar tërë territorin e vendit bien ndesh me realitetet demografike dhe gjeografike. Për dallim nga vlerësimet e mëhershme për ushtrinë e tij, forcat e Assadit janë pak më shumë se një milici sektare.
Fuqia e kufizuar që nga fillimi i konfliktit ka nënkuptuar se Assadi nuk do të jetë në gjendje të rivendosë autoritetin e tij në rajonet me popullatë shumicë sunite.
Gjeografia sektare ka përcaktuar sjelljet e regjimit. Përderisa u përgatit për një luftë të gjatë, Assadit i është dashur që të konsolidojë alavitët prapa tij dhe të fortifikojë pozicionet e tij në rajonet malore në brigjet e Sirisë, në rajonin mes Jisr al-Shoughour, në veri, në kufi me Turqinë dhe Tal Kalakh në jug, në afërsi të Libanit.
Assad ka lëvizur për të siguruar të gjitha qasjet e natyrshme në këtë rajon dhe ka filluar të pastrojë xhepat armiqësor të rezistencës në rajon, duke krijuar një tampon zonë, e cila e ndan bregdetin nga pjesa e brendshme e Sirisë. Kjo llogari ishte prapa vrasjeve masive në fshatrat si Al Joula, Taldou, Haffeh dhe Tremseh, qendra me popullatë sunite ose brenda, ose në kufijtë lindorë të enklavës alavite.
Por Damasku shtrihet shumë larg kësaj enklave. Në kryeqytet, regjimi nuk posedon një rezervuar demografik të komunitetit besnik alavit, për të baraspeshuar marrëdhëniet e pushtetit me rivalët. Regjimi sirianë ka reaguar ndaj këtij problemi duke e rrethuar Damaskun me baza ushtarake, të mbushura me forca besnike alavite, për të kontrolluar vijat kryesore të komunikimit në qytet.
Të gjithë këta faktor gjeografik dhe demografik në një moment do të detyrojnë Assadin që të largohet nga Damasku dhe të fortifikohet në qendrën e tij alavite. Siç ndodhi në Liban, kjo mund të rezultojë me një luftë të zgjatur statike, si në Liban, ku mbështetja nga “patronët” e huaj, Irani dhe Rusia, do të bëhej kritike për Assadin.
Disa argumentojnë se një enklavë alavite është e paqëndrueshme në periudhën afatgjate, por Assadi ka një politikë për të mbrojtur qendrën e tij. Siç i kujtoi së fundi regjimi i Assadit botës, ai posedon një sasi të madhe të armëve kimike. Përderisa shumë vëzhgues frikësohen se Assadi mund t’ia bartë këto armë një pale të tretë, siç është Hezbollahu, Assadi me gjasë do të mbajë këto armë për vete.
Me këto armë në dorë, Assad mund të mbetet president i një protektorati të Iranit dhe Rusisë në Mesdhe. Gjatë disa javëve të kaluara, Assadi ka përjetuar disa goditje të rënda, por ky nuk është fundi i konfliktit në Siri. Më parë bëhet fjalë për fillimin e një faze të re, loja përfundimtare e së cilës nuk është Damasku, por rajonet më tutje në perëndim.
(Foreign Policy)