A duhet ngritur një shtëpi përkthimi në Shqipëri?
A ka ardhur koha për një shtëpi përkthimi në Shqipëri? Këtë pyetje shkrimtarja Mira Meksi e shtronte në një artikull të botuar më 24 tetor në gazetën "Shqip", në një artikull me titull "Një histori e denjë për roman". Nxitja kishte ardhur nga një shkrim kushtuar "Shakespeare and co", librarisë anglofone ngritur në breg të Senës, ku krijuesit nga e gjithë bota vijnë të qëndrojnë, të punojnë, dialogojnë e promovojnë letërsinë franceze. A mund të "përkthehet" ky model në realitetin shqiptar? Sa është mundësia reale për të ngritur një organizëm të tillë, ku më së pari do t‘i shërbente promovimit të letërsisë shqiptare, asaj të krijuar nën perden e 50 viteve regjim apo edhe kësaj bashkëkohores? "Ca më tepër ka ardhur koha që në Shqipëri të krijohet një shtëpi përkthimi. Ndërkohë që shtete, kultura dhe gjuhë të mëdha e kanë ndier nevojën, që prej 35 vjetësh, të ngrenë institucione të tilla, për ne shfaqet si një ngut jetik: është i mirënjohur fakti që përkthimi letrar, në mbarë botën, është një nga zejet më të vështira dhe më të keqpaguara; përkthyesit letrarë nga gjuha shqipe në gjuhët e huaja numërohen me gishtat e dorës. Ekzistenca e një "strehe" të tillë mikpritëse dhe efikase në vendin tonë, do të qe një motivim i sigurt për ta dhe për punën e tyre, në dobi të përhapjes dhe promovimit të letërsisë shqipe në botë", shkruante Meksi, duke e zhvilluar argumentin e marrë që në fillim. Në një rimarrje të dytë të argumentit, duke e parashtruar atë te disa përkthyes shqiptarë që lëvrojnë brenda vendit, por edhe tek ata të huaj që përmes shqipes i janë qasur edhe letërsisë tonë, dalin më së pari një sërë problemesh e parametrash të paarritura në përkthim. Për Edmond Tupen, Donika Omarin apo Pirro Mishën ideja është për t‘u përkrahur dhe e vonuar në realizim. Nga ana tjetër, te të tre gjen skepticizëm kur u duhet që argumentin ta vendosin në realitetin shqiptar. Vihet së pari në dyshim standardi që ne kemi për përkthimet, e drejta që disa njerëz i kanë dhënë vetes të bëhen pjesë e kësaj kategorie, heshtjet apo jehonat e shtirura. Ndërsa diskutimi shtrihet më tej në mundësitë reale të strukturave organizuese të një shtëpie përkthimi. Mëdyshjes i bashkohet edhe përkthyesi gjerman, Hans-Joachim Lanksch(prej tij kanë shkuar te publiku gjerman poezitë e Martin Camajt, Ali Podrimes, Azem Shkrelit etj.), por arsyet e tij lidhen me indiferentizmin e botuesve të huaj ndaj letërsisë shqiptare, vështirë të pranueshme nëse në mes nuk ka ndonjë emër të njohur. Për Lanksch janë më të pranueshme politika kulturore(duhet të vijnë së pari nga Ministria e Kulturës) që promovojnë e mbështesin botimin në vend të përkthimit. Arsyetimet e secilit prej tyre janë të zgjeruara më poshtë.