E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohet përkthyesi i Biblës

Me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së dom Simon Filipajt, Qendra e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Institutin Filozofik dhe Teologjik në Shkodër, organizojnë të mërkurën më 11 nëntor një veprimtari kushtuar përkthyesit të parë, i cili solli Biblën tërësisht në gjuhën shqipe. Pas nismëtarëve të shquar të shkrimeve biblike shqipe dhe përpjekjeve të tyre në përkthimin e Biblës shqip, që nuk kishin dhënë rezultatin e duhur, u deshën të kalojnë katër shekuj e gjysmë për t‘u bërë i mundur përkthimi i plotë i kësaj vepre në gjuhën standarde, botuar nga shtëpia botuese "Drita", Ferizaj, në vitin 1994, falë pasionit dhe vullnetit të mjeshtrit të fjalës shqipe, klerikut të kishës katolike, dom Simon Filipajt i cili punoi për 40 vite me radhë në përkthimin e librit të shenjtë. Filipaj, i lindur në Mal të Zi, vepronte sipas motos së mbrojtësit të Europës, Shën Benediktit, "Ora et labora" (Lutu dhe puno). Gjatë jetës së tij, ai është marrë edhe me vjeljen e materialeve folklorike falë dashurisë që kishte për kulturën popullore. Kështu, si i pari folklorist pas Luftës së Dytë Botërore i trevave shqiptare në Mal të Zi, arriti të shpëtojë nga zhdukja dhe harresa një pasuri të madhe të këtij visari gojor, si: pjesë nga epika legjendare, balada, këngë dhe poezi popullore të zhvilluara në lirikë, këngë dashurie, vajtime dhe gjëmë, anekdota etj., të cilat u botuan që nga numri i parë i vjetarit "Gjurmime albanologjike - Folklor dhe etnologji", Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1971, e në vazhdim. Veprimtaria kushtuar kësaj figure, përmban një konferencë shkencore, film dokumentar, si edhe një ekspozitë me dokumentet dhe sendet e përkthyesit dom Simon Filipaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›