E Diel, 1 Nëntor 2026

Edmond Tupe: Duhen përzgjedhur përkthyesit e vërtetë

Hapja e një shtëpie përkthyesish është një ide shumë e mirë, por njëkohësisht thikë me dy presa. Me të drejtë do çoheshin piktorët, skulptorët apo artistët e tjerë të kërkonin një të tillë organizim. Në demokraci kjo është parësore, aq më tepër në fushën e artit. Kohët e fundit, një shkrimtar franko-libanez, Amin Maluf, ka botuar një libër të titulluar "Çrregullimi i botës" ku shkruan: "vetëm kultura mund ta shpëtojë botën nga çrregullimi i saj". Në këtë kuadër, ideja e hapjes së një shkolle përkthimi është për t‘u vlerësuar, sepse përkthyesi është urë kulturash. Zhozef de Mestrua, ka thënë: "përkthyesit janë kuajt që tërheqin karrocën e qytetërimit" dhe kush thotë qytetërim, thotë detyrimisht kulturë. Por që të hapet një shtëpi përkthyesish, duhet të kemi shumë të qartë realitetin shqiptar. Mjafton që dikush të dijë pak gjuhë të huaj, ta shkruajë a ta flasë dhe e quan veten përkthyes, ashtu si njerëzit që dinë shkrim e lexim e quajnë veten shkrimtarë, poetë, dramaturgë, publicistë, gazetarë etj. Jam i mendimit që organizmi që do të marrë përsipër hapjen e kësaj shtëpie të përkthimit duhet të jetë fort përzgjedhës. Nisur edhe nga përvoja europiane e përkthimit, ai që do të kërkojë bonus përkthimi, duhet të ketë përkthyer të paktën tre libra më parë, të dijë përveç shqipes dy gjuhë të tjera e të paraqesë një nga tre librat e përkthyer bashkë me origjinalin, në mënyrë që strukturat përzgjedhëse të kenë mundësinë të gjykojnë mbi aftësitë e tij. Shteti apo ai organizëm që do të marrë përsipër ndonjë ditë realizimin e kësaj ideje duhet të zgjedhë tri-katër shtëpi botuese të mira dhe serioze me të cilat të punohet. Këto janë marrëdhënie që duhen rregulluar më së miri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›