E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e dimë se kë dhe pse votojmë?

AGIM BAÇI

Edhe pse jemi prej kohësh të një mendjeje që shkalla e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimet qeverisëse tregon edhe shkallën e funksionimit demokratik, sërish duket se edhe këtë herë do të jemi larg gjykimit për modelin e administratorëve, pasi jemi ende të fokusuar në modelin politik. Jo se zgjedhjet lokale nuk kanë peshë politike, por së paku, në të zgjedhurit lokal, ndryshe nga zgjedhjet politike, qytetarët kanë mundësi konkrete për të dhënë mendimin e tyre, pasi zgjedhjet kanë të bëjnë pikërisht me personat që menaxhojnë përditshmërinë e tyre si banorë të një komuniteti.
E megjithatë, qytetarët e kryeqytetit, edhe pse më të angazhuarit, do të shkojnë drejt zgjedhjeve lokale të 8 majit pa ndonjë analizë të qartë të punëve që kanë bërë administratorët e tyre lokalë të zgjedhur 4 vite më parë. Kjo mungesë analize mund të jetë një mungesë e rëndësishme për orientimin e votës së 8 majit edhe për disa qytete të tjera të mëdha, ku është vështirë të lexohen të gjitha punët që bëjnë të zgjedhurit. Por Tirana merr një rëndësi tjetër, kur kemi të bëjmë me analizën e punëve në raport me premtimet, për shkak se gjithçka është lexuar qartësisht politike, sidomos pas zgjedhjes së kryebashkiakut edhe si kryesocialist.
Në fakt, ajo që vihet re së fundi, është se Rama u mor me rikuperimin e disa projekteve që i ka promovuar vetë disa vite më parë. Kështu, punimet te Komuna e Parisit, te Rruga e Durrësit, te Rruga e Kavajës, të cilat janë mbaruar gjatë muajve apo ditëve të fundit, nuk janë as më shumë e as më pak, por korrigjime të punëve pa kriter të bëra vite më parë nga vetë Rama. Pra, është vetë ai, që indirekt ka pohuar mungesën e perspektivës në punime që ka bërë gjatë viteve si kryebashkiak, duke lënë të kuptohet emergjencën që e ka shoqëruar në projekte, e cila e ka kthyer kryeqytetin më shumë në një qytet spontan.
Ndërkaq, zjarri i rënë së fundmi në një lagje të populluar të Tiranës, në Rrugën e Kavajës, ku zjarrfikësit hynë me vështirësi për të shpëtuar banorët, nuk tregon veçse mungesën e pastër të perspektivës lidhur me jetesën dhe hapësirat publike, për shkak të një katrahure urbanistike, që mund të jetë edhe dëmi më i pariparueshëm që i është bërë gjatë viteve të fundit Tiranës.
Ndërkaq, vetë Rama, më shumë se sa hartim projektesh të reja për Tiranën, po sugjeron të votohet për të mos lënë Berishën që të fitojë edhe Bashkinë e Tiranës, me pretekstin se kështu mund të kenë nën zotërim të gjithë Shqipërinë. Por në fakt, krejt e kundërta mund të jetë në interes të qytetarëve, të cilët mund ta gjykojnë më pas Kryeministrin si përgjegjës nëse nuk ecin punët në Tiranë, gjë që deri tani banorët e kryeqytetit nuk kanë pasur argumente ta bëjnë, pasi kanë qenë të mbuluar nga deklarata dhe kundërdeklarata politike. Dhe në këtë situatë, duhet lexuar interesi i Bashës për të rënë në sy, përballë Ramës, të cilit kostumi i kryebashkiakut ka kohë që i duket i ngushtë, për shkak se synon një tjetër kostum, atë të Kryeministrit.
Në këtë pikë, është me rëndësi që qytetarët të procedojnë përmes sondazheve jo vetëm në prag zgjedhjesh, por sidomos në periudhën mes dy zgjedhjeve, që të mos jenë thjesht votues për të hequr një të vjetër e për të vënë një njeri, por edhe për të qenë orientues, përmes dhënies së mendimit para se ta shohin qytetin e tyre në spontanitet dhe katrahurë. Po kështu, përfshirja përmes dhënies së mendimit do të bënte të mundur që banorët e këtij qyteti të dinin se si i janë menaxhuar taksat dhe se si do ta gjykonin një projekt në momentin që ai propozohet, e jo kur ka mbaruar. Është absurde të shikosh se si disa rrugë janë shtruar dhe rishtruar brenda një kohe të shkurtër, ndërkohë që askush nuk përmend standardet që duhet të kenë këto punime. Jo pak herë qytetarët janë nervozuar kur rrugët e saposhtruara rihapen për të futur apo nxjerrë kabllo të reja, a thua se ne jemi të parët që ndërtojmë pjesën nëntokësore të një qyteti dhe nuk e dimë se çfarë duhet programuar për të kaluar nëntokë. Pa llogaritur këtu disa lulishte që janë bërë e shembur brenda një kohe të shkurtër, çka tregojnë vetëm humbje parash dhe mungesë perspektive, gjithnjë në kurriz të taksave të qytetarëve.
Është e vërtetë që Tirana për pak kohë u bë shembull për shumë qytete për të pastruar qendrat apo për të zbukuruar ndërtesat. Por më 8 maj, qytetarët e Tiranës do të shkojnë në zgjedhje pa ditur se sa punë janë bërë gjatë mandatit të fundit në raport me premtimet dhe sa kanë kushtuar ato, në raport me standardet e kryerjes së këtyre punimeve. Vetë Bashkia e Tiranës nuk ka publikuar as shifra e as përfundime, duke u justifikuar vetëm me faktin se ligji nuk e detyron ti publikojë punët e saj. Ndërkohë, po të pyesësh shumicën e banorëve të Tiranës, nuk janë në gjendje të thonë se çfarë do bëhet në sheshin Skënderbej, ngaqë nuk ka kurrfarë shpjegimi.
Por, megjithë rëndësinë politike që mund të ndërmarrë vota e 8 majit, pikë së pari ajo duhet të jetë e lidhur me atë që u takon banorëve të Tiranës, të dinë për të shkuarën dhe për të ardhmen e çdo qyteti apo komune tjetër në veçanti, ku jeton secili banor. Ndaj, është me rëndësi që më parë se politizim, të kemi një analizë, të kemi disa përgjigje lidhur me të mirat apo dëmin e një projekti që ka ndodhur në qytetet apo qytezat ku banojmë. Sepse të gjykojmë politikisht, pa ditur të zgjedhim atë që na administron qytetet ku banojmë, është si të merremi me të gjithë banorët e pallatit, pa gjykuar më parë për punët në shtëpinë tonë. Një gjë e tillë do ti bënte administratorët lokalë të painteresuar për mendimin e votuesit të tyre, por të varur nga interesat politikë të shefit që e ka zgjedhur, gjë që edhe devijon vullnetin e votës së dhënë.
Nëse duam një qytet për të jetuar më mirë, atëherë duhet të kujdesemi ne vetë të parët për të qenë bashkudhëtarë të asaj që ndodh rreth shtëpive tona. Nëse kemi gjykuar drejt atë që ka ndodhur me votën tonë të vogël, siç mund të quajmë zgjedhjet lokale, atëherë do të mund të gjykojmë edhe për votën e madhe, atë që na thur më pas ekipet qeveritare. Për të bërë këtë, duhet ti përgjigjemi sa më parë pyetjeve se përse, e më pas për kë, duhet të votojmë, duke pasur vetëm një synim: të vetërregullojmë punët tona përmes përgjegjësisë së zgjedhjes.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›