Një libër tjetër në të cilin Edi del i vetëdemaskuar
Në vitin 1991, trashëgimtarit të E. Hoxhës, me ndihmën e Nexhmijes, i vetëdeklaruar si vazhdues i doktrinës enveriste, në kushtet e rënies së komunizmit, këpucët ia kishin bërë këmbët me kallo e kërkonte të bënte njëfarë demokracie hibride. Bash në këtë kohë, kur nuk i ecte më Ramiz Alisë propaganda hipokrite dhe nuk do të mundej dot të dilte as deputet i PPSH-së, del në skenë një grup intelektualësh pseudo-demokratë ekstremistë, me flamurin e antikomunizmit të tërbuar, që të vinin në dorë inteligjencien e vendit. Një inxhinier i thjeshtë, demokrat i sinqertë, ia mori mandatin Ramizit, predikatorit të dyshimtë të dinakërisë „nuk jemi as lindje as perëndim“. Në vitin 1991 dalin ato „Refleksionet“ me shprehje të një anti-komunizmit të skajshëm, të cilit nuk vonoi që t’i dilte boja.
Gazeta jonë botoi një seri katër numrash, ku mendimet ishin aq të pamatura sa të kërkohej që „anëtarët e PPSH-së të vareshin në litar!“. Autorët e këtij vëllimi çmendurish nuk kishin parasysh as faktin se një morí të anëtarësuarish ishin nismëtarë dhe promotorë të shembjes së komunizmit dhe kishin dorëzuar teserat e partisë. Mjaft nga intelektualët e shquar propozoheshin për t’u bërë anëtarë partie në kohën e diktaturës, për hir të autoritetit profesional, édhe jashtë kufijve të vendit. Mjafton të përmendim Dr. Berishën, i njohur në arenën ndërkombëtare të shkencave mjekësore. Dr. Sabit Brojka, një mjek i shquar që arriti të ishte në grupin e mjekëve të Bllokut, shkruan se ishte ai vetë që e propozoi Berishën për në Parti. A mund t’i jepej përgjigje negative? Ai shkruan se doktori i propozuar prej tij nuk arriti të ishte mjek i Bllokut, siç shprehet edhe Nexhmija që, mbase, kishte marrë vesh për librat e shumtë që kishte sjellë, kur kthehej nga konferencat mjekësore ndërkombëtare, një pjesë e të cilëve nuk ishte në frymën politike të dëshiruar nga përgjegjësja e propagandës mashtruese. Nga ana tjetër, me miqtë intimë (të përmendur me emër nga doktori), ai fliste hapur për të drejtat njerëzore që shpërdoroheshin në kurriz të njerëzve të pafajshëm. Pa u zgjatur më tej, nuk mund të jenë më të besueshëm se Dr. Brojka, njëri ndër personalitetet më të larta të LSI-së, për t’u besuar shkruesit e zuskës plakë, siç quhej nga Edi Rama dhe nga Ardian Klosi, „Zëri i Popullit“, në atë librin që sapo përmendëm e që e nxorën vetë jashtë qarkullimit. Duket se në atë libër ata kishin vënë maskën e kamuflimit dhe, sapo u pozicionuan me të majtën dhe me të majtën ekstreme (enveriste), u orvatën të mbulonin diellin me… shoshë!
Tani Edi Rama përbën kreun e PS-së, që është një „alter ego“ e PPSH-së! Konferenca e Pezës, që në „Refleksionet“ quhej thika prapa shpine ndaj antifashistëve të shquar që ishin ftuar në këtë konferencë, përmendet me mburrje për çdo 16 shtator. Dhe Enveri, që në atë libër quhej, vasali i Miladinit dhe i Dushanit, i cili „përftoi luftën civile për interesa të armiqve të kombit shqiptar“, na përkujtohet në Pezë me fotot me korniza trëndafilash të E. Hoxhës dhe me këngët „Enver Hoxha e nxori shpatën…“. Nata e 16 shtatorit shndërrohej në orgji duhmash avujsh alkooli dhe aromash droge gjer në mëngjes! Ja, cili është Edi Rama i vërtetë, që pushkatoi veprën e vet, për të ruajtur atë pak prestigj që i mbetej për të arritur në ambicien patologjike për të qenë i plotfuqishëm i të dy pushteteve më të rëndësishme të një vendi demokratik!
***
Nuk mjaftuan vetëm “Refleksionet”. Duhej të shohim edhe një libër tjetër, botuar po në vitin1991. Titulli: “Shqipëria, zgjim dhimbjesh”. Edhe këtu Ardiani është i pandarë nga vëllai i tij siamez, Edvini. Subjekti: Të bëjmë një forum intelektualësh me vete, përmes frazeologjisë së një antikomunizmi ekstrem e antienverizmi radikal. Synimi? Forumin ta vëmë nën pushtetin tonë. Në këtë vëllim të ngjashëm me “Refleksionet”, E. Rama shkruan për ringjalljen e mendimit të lirë në Shqipëri, “që filloi me rrëzimin e murit të Berlinit dhe do të jetë përfundimisht i kryer vetëm atëherë kur kufoma e komunizmit shqiptar të jetë varrosur shtatë pashë nën dhé”! (Faqe 24). E pamë sesi e varrosi shtatë pashë nën dhé në Pezë, duke bërë apoteozën e Enver Hoxhës...Sipas ligjëruesit hipokrit, ekonomia nuk është e rëndësishme për hallin tonë shqiptar. “Po jetojmë lulëzimin e një mendësie neokomuniste (për të bërë dallim me atë komuniste, të E.H.-s)” . Sipas autorit problemi shqiptar zgjidhet jo nga ngritja ekonomike, sesa nga mungesa e lirisë së të gjithë intelektualëve të ndershëm. Problemi shqiptar nuk e ka problemin themelor te plaga e ekonomisë . Lexoni me vëmendje: “Kjo mendësi u ka hije vetëm kavieve të uritura të postdiktaturës staliniste të cilat nuk e dinë dhe nuk mund ta dinë se buka që hahet nën mjekrën e Marksit dhe të Leninit, sado e bardhë që të jetë, është gjithnjë një stimulant (nxitës) i urisë shpirtërore”. Shqiptarët na qenkan kavie të uritura! “ Psikologjia orientale e shqiptarit ”qenka fajtore edhe për komunizmin në vendin tonë, që ka qenë kaq i dhunshëm”. Citojmë: “Komunizmi që ne njohëm ishte versioni më i dhunshëm i llojit, pikërisht sepse gjeti terren në psikologjinë orientale të shqiptarit”.
Në organin e lidhjes intelektuale “Albania, Painful Awakening” (Shqipëria, zgjim i dhimbshëm), në vëllimin e parë nga i cili kemi paraqitur citatet, kanë shkruar edhe antikomunistë të sinqertë: Arshi Pipa, për disa probleme gjuhësore; Martin Camaj, fragmente nga një roman i tij; Lush Gjergji, për Dom Shtjefën Kurtin; Bashkim Shehu: “Toka e premtuar”... Por ideologët e Lidhjes janë Edi Rama, Ardian Klosi dhe Spartak Ngjela. Premtohet se numrat e organit të intelektualëve, “Shqipëria, zgjimi i dhimbshëm” do të ishin të njëpasnjëshëm. Por ky projekt dështoi. Si duket intelektualët e kuptuan që herët se cilët ishin ata kapot e kësaj pune dhe ku synonin ata. Dhe firuan. Forumi mbeti pa intelektualë! Spartak Ngjela del edhe ai si antikomunist i madh, Që në faqen e parë të shkrimit të tij (në f. 65 të librit), shkruan: “PPSH dhe lideri i saj, diktatori Enver Hoxha, e kanë deklaruar botërisht se partia e tyre, jo vetëm që u është përmbajtur principeve staliniane të pushtetit, por edhe që e kanë pasur për nder që të quheshin stalinianë” Këtu s’na thotë ndonjë gjë të re. Veçse na kujton një thënie të miqve të tij të sotëm politikë (me komunistët fanatikë në tavë) , të cilët na akuzojnë né, antikomunistët e vërtetë, se bëjmë luftë klasash që e marrim nëpër gojë Ditmir Bushatin, meqë është i biri i Sulejman Bushatit, sekretarit I të Komitetit të Partisë të Shkodrës dhe të Kukësit, detyra e të cilit ishte të bënte listat e të dëbuarve, të të internuarve, të të burgosurve dhe të atyre që propozoheshin për pushkatim. Është një mashtrim. Ditmiri nuk akuzohet si i biri i Sulejmanit (përndryshe - dhe aq më tepër - do të akuzohej edhe shkrimtari me shpirt demokratik, Bashkim Shehu). Por Ditmiri thotë se e ka për nder që është i biri i Sulejmanit! Dhe mos të harrojmë se Edi ka marrë brenda qerthullit të vet, si deputetë, bllokmenë me mendësi si të Ditmirit dhe si të atij vetë: Në një takim në Amerikë, një i ish-burgosur politik i përmendi Kristaqin që kishte vënë firmën për ekzekutimin e poetit Havzi Nela. Edi me brutalitetin e tij të zakonshëm, ia mohoi. Nuk vonoi të dilte firma e Kristaqit në fac símile, në një Dosié të “55-s” !
I kthehemi Spartakut me megalomaninë për të bërë teorizime: Ngulmon se sistemi ynë i Enverit ishte despotizëm e jo diktaturë. Ali Hoxha, Hoxhë Alia! Kanë kaluar 20 vjet dhe teorizimi i Ngjelës shkoi huq! Megjithatë kjo s’ka rëndësi. Nuk ka rëndësi, gjithashtu, edhe pasaktësia e tij në terminologji. Ai përdor fjalën progresiv, për fjalën progresist. Fjala “progresiv” ka kuptimin “në rritje” apo “në zbritje”, si në togfjalëshat “Shtimi progresiv i popullsisë”, apo “paraliza progresive” (në mjeksësi), ose “taksa progresive”, në financë. Kurse “progresist” do të thotë “përparimtar”. Në një fjalor, jepet shembulli i ministrisë së de Pretisit (1876), që u quajt “progresiste” (përparimtare).
Këto janë defekte të etjes së tij për të qenë origjinal apo, më saktësisht, kanë të bëjnë me megalomaninë e tij, që s’i prish punë kurrkujt, përveç atij vetë. Së fundi “mendja e madhe e zeza e të zot”.
Veçse ajo që ka rëndësi, nga ana tjetër, është nëse ky person e njeh apo s’e njeh termin “anarkist”? A e di ky i vetëquajtur teoricien se anarkistët nuk duan t’ia dinë për ligjet e një shteti demokratik? A e di se anarkistët nuk njohin as parlament, as zgjedhje?
Kur konkurroi për bashkinë e Tiranës përballë Ramës, ai nuk ishte i kapluar nga mendime anarkiste. Në një panel u shpreh se i kishte fituar zgjedhjet bashkiake kundër Ramës! Zëre se e tha troç se Edvini ia kishte vjedhur votat. Porse nuk e bëri gurgulenë në atë kohë, aq më tepër për t’i dalë zot UN-it të tij, në atë rast. Dhe dihet se ky tipar i tij i UN-it është mjaft i fryrë! Tani përpiqet për votat e atij, i cili ia kishte vjedhur, dikur!
Nëse dikur vidheshin votat, tani sajohen këto vjedhje, për të mos lënë ofiqin e kryetarit. LMN-ja, brenda radhëve, është e bindur se Edvini i humbi zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Po ashtu edhe faktori monitorues ndërkombëtar. Tani, S. Ngjela, i pa votuar si Nardi, kërkon të marrë pushtetin me zullume rrugësh! Nard Ndokës iu rishikuan votat dhe doli me një votë diferencë!