A e kalli? E kalli!
Ora 21:00!
Salla “1 tetori” ishte e vogël për gjithë atë “gjurulldi”.
Të rinj nga të gjitha vendet e Kosovës por edhe të rajonit qëndronin në “hava”, kurse lirikat e improvizuara të DJ Blunt dhe Real 1, ishin perfekte në nxehje.
“Kosovë, erdha, e mirë së ju gjeta”, ishin fjalët e para të Busta’s. E “transi” vazhdoi për të ngritur tërë publikun në këmbë pas orës 00:30.
Duart lart ishin gjatë gjithë kohës, ndërkaq edhe skenat “hot” nuk munguan.
Çikat e Kosovës i harruan edhe “jelekët” e pak skena erotike e “qun” për tjetër botë Busta’n, i cili nuk harroi për të na dhënë edhe momentet e tij më të mira të karrierës.
Nuk janë pak momentet e këtilla.
Viti 1994 ishte viti i parë i suksesit të tij. As sot sukseset atij nuk i mungojnë. Është i pari në Billboard në një bashkëpunim me Chris Brown.
4000? Jo! 5000 e më shumë njerëzit duartrokitën me këngën “Just Make a Clap”.
Duart u nxehën edhe njëherë me këngën “We’ll Rock You”. Publiku valëvitej sikur të ishte në anije apo të ishte bërë një koreografi.
E mos të flasim për këngë të tjera si “Touch it”, “Gimme Some More”, “Arab Money”
Ora 02:30. Fundi i shout të tij.
“Është nata më e mirë gjatë 20 viteve të karrierës sime, nuk do ta harroj Kosovën kurrë dhe ju premtoj që do të shihemi sërish”, tha Rhymes.
“Tung, shqiptarët e mijë”.
Ora 05:00! Busta dhe ekipi i tij qëndroj për fotografi edhe me organizatorët në lokalin “Full House” në Prishtinë.
“Kurrë nuk do ta harroj Prishtinën dhe Kosovën”, tha ai.
Këmbëngulën, ja dolën
I tërë ky spektakël nuk do të ishte interesant pa këmbënguljen e dy njerëzve, Drin Zatriqit dhe Ardin Badivukut, nga kompanitë Full House dhe Next Level, organizatorë të koncertit. Edhe pse me plot stres, këta dy të rinj ishin gati tri net pa gjumë, këmbëngulën dhe e sollën Bustan. E nga ana tjetër prapë nuk duhet të mbeten as sponsori gjeneral, kompania IPKO e cila edhe kësaj radhe tregoj se gjithmonë është pranë rinisë kosovare.