E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa, më afër finales

Besa e ka bërë një hap të madh drejt finales së Kupës së Kosovës, pasi në Prizren e mposhti Lirinë me rezultat 0:1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Ndërsa ndeshja tjetër mes Gjilanit e Prishtinës ka përfunduar pa fitues dhe dueli i kthimit do të jetë përcaktues. Nga Express më 27 prill 2011 në ora 18:51

Besa e ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit në finale të Kupës së Kosovës, pasi të mërkurën në Prizren e ka mposhtur Lirinë me rezultat minimal, 0:1, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të këtij trofeu.

Hero i pejanëve në këtë takim ishte Blerim Hysenlekaj, i cili në minutën e fundit të takimit e shënoi një super-gol për ta dërguar skuadrën e tij më afër finales së Kupës shtetërore.

Në fakt, kjo ndeshje ishte mjaft interesante dhe e hapur, e cila u karakterizua me shumë raste të mira shënimi që pati sikurse Besa, ashtu edhe fituesi i këtij trofeu në edicionin e kaluar Liria, por që nuk i konkretizuan.

Madje fitorja e pejanëve ka mundur të jetë edhe më e thellë sikurse Mensur Duraku të shënonte gjatë pjesës së parë, kur qëlloi shtyllën e portës bardh e zi. Mirëpo, gjatë kësaj pjesë-loje edhe Liria ka pasur raste të shumta shënimi, por më të mirin e ka pasur Rafet Mullallari, gjuajtja e të cilit ka përfunduar në shtyllën e portës së Besës.

Me këtë fitore, Besa e sheh vetën më afër finales, pasi ndeshjen e kthimit ndaj Lirisë do ta zhvillojë para tifozëve të vet në Pejë më 11 maj.

Gjilani – Prishtina1:1

Ndeshja tjetër gjysmëfinale e Kupës së Kosovë ndërmjet ekipit të Ligës së Parë, Gjilanit dhe liderit të Superligës, Prishtinës, ka përfunduar me rezultat të barabartë, 1:1.

Madje, bardhekaltrit nga kryeqyteti me mjaft mund iu kanë shmangur humbjes në takimin e parë gjysmëfinal nga gjilanasit.

Këta të fundit ishin mjaft të motivuar për lojë dhe ia dolën të kalojnë në avantazh prej 1:0 në minutën e 23-të me golin që e ka shënuar Sabri Osmani. Vendasit luajtën mjaft mirë në pjesën e parë dhe nuk e lejuan kundërshtarin t’i kërcënojë seriozisht asnjëherë gjatë kësaj pjesë-loje.

Por, prishtinasit u këndellën në pjesën e dytë të ndeshjes, gjatë të cilës me ngulm kërkonin ta shënonin golin e barazimit. Këtë objektiv Prishtina e arriti në minutën e 87-të, kur pas tentativës së Faton Zejnullahut për të shënuar, topi, i cili kishte goditur shtyllën, u kthye te Suad Saliagiq i cili realizoi gol për rezultat përfundimtar 1:1. Por, duhet cekur se
Gjilani ka mundur ta fitojë këtë takim, pasi në minutën e 83-të Besmir Xhika me një gjuajtje shumë të fortë, prej afro 40 metrave, e ka qëlluar transversalen e portës së mysafirëve.

Megjithatë, Prishtina dhe Gjilani do të përballen edhe njëherë më 11 maj në ndeshjen e kthimit në kryeqytet, në të cilën edhe do të përcaktohet finalisti i Kupës shtetërore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›