A e merr kush seriozisht Saimir Tahirin?
Kur ke përpara syve një nga personazhet më groteske të viteve të fundit që ka prodhuar pengmarrja e PS nga Edi Rama dhe oborri i tij klientelist, një njeri me skaf i lidhur deri në dhëmb me krimin e organizuar, i përfshirë direkt në kontrabandën e ilaçeve, teksa pas shtatorit do drejtojë një nga dikasteret më të rëndësishme në vend, Ministrinë e Brendshme – s’mund të rrish krejtësisht duarkryq. Bëhet fjalë për Saimir Tahirin, kamikazin e Edi Ramës – të cilit i është lënë në dorë të vendosë rendin dhe sigurinë, të luftojë krimin. Kuptohet se me Tahirin në krye të tre këto fjalë kyçe shkojnë në sinkron të kundërt me objektivat e Saikeqit dhe saikeqërve të cilët kanë pritur prej vitesh ditën e inaugurimit të Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme, për të riaktivizuar skafet, trafikun e drogës dhe qenieve njerëzore. Saimir Tahiri bëri sot një apel drejtuar qytetarëve, për të mbledhur sugjerimet e tyre se çfarë duhet të jetë prioritare për Policinë e Shtetit. Por lind pyetja: A e merr kush seriozisht Saimir Tahirin? Pyetja e ka përgjigjen brenda përsa kohë flasim për një personazh rivendikues të krimit dhe kontrabandës.
Ndaj dhe emërimi nga Edi Rama në krye të Ministrisë së Brendshme nuk bëhet për merita të veçanta dhe zgjuarsi ekselente të Saimir Tahirit, por për shkak të lidhjeve të tij të forta me eksponentë të botës së krimit. Prandaj të marrësh seriozisht Saimir Tahirin do të thotë të biesh verbërisht në kurthin e krimit të organizuar.