E Diel, 1 Nëntor 2026

Psikologia: Lojërat e fatit po shkatërrojnë familjet tona

TIRANE - Niset si një lojë argëtuese që vazhdon si një rrugë pa kthim. Duke shkaktuar humbje të kursimeve të familjes si dhe në raste ekstreme shkon deri në vetëvrasje. Me pak fjalë kështu përshkruhet kumari. Fenomen, i cili po shtohet dita ditës duke vënë në rrezik shëndetin e atyre që luajnë, e familjeve të tyre dhe të gjithë shoqërisë. Shqetësim është numri i madh i subjekteve të tilla, të cilat po kthehen në një plagë për shoqërinë shqiptare. Eliminimi i këtij problemi do vinte me spostimin e tyre në periferi të Tiranës, vendim që është marrë edhe nga Këshilli Bashkiak, por ende nuk është vënë në zbatim.
Psikologia Fleura Shkëmbi, tregon se në punën e saj ka patur raste nga më ekstremet, shpesh personat nuk ja kanë dalë të shkëputen duke theksuar se kujdesi ndaj tyre duhet të nisë herët në mënyrë që të arrijnë ta kalojnë këtë problem. Fleura Shkëmbi, është diplomuar në Universitetin e Tiranës në Degën e Psikologjisë, dhe më pas ka kryer studimet për tre vjet në Londër e specializuar në Hipnoterapi Klinike. Prej 2008 është rikthyer në Tiranë duke ushtruar profesionin si Psikologe dhe Hipnoterapiste Klinike.
Është një problem shtimi i lojërave të fatit në vendin tonë. Dhe a keni patur ju raste në trajtim?
Dua që ta theksoj me shumë forcë se lojtarët e kumarit dhe lojërave të fatit janë shtuar së tepërmi dhe ky proces do vazhdojë të rrjedhë duke përfshirë shumë njerëz dhe duke shkatërruar shumë individë, familje dhe duke patur pasoja ekstreme në shoqëri. Familjet duhet të jenë më të kujdesshme ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve për t’i parandaluar që në fillesat e tyre, sepse ky lloj çrregullimi apo varësie është vështirë të trajtohet kur ka agravuar së tepërmi. Unë kam patur rastet kur prindi ka pasur dëshirën për të ndaluar, por nuk ka mundur edhe pse arsyeja për të cilën do donte ta kalonte këtë sfidë ka qenë fëmija për të cilin ishte gati të bënte gjithçka. Ka familje të tëra të cilat janë rrënuar ekonomikisht, janë shkatërruar emocionalisht dhe deri në humbjen e pjesëtarit të tyre. Rastet kur bashkëshortja ka ngelur në “rrugë” së bashku me fëmijët sepse bashkëshorti ka lënë banesën në kumar tashmë janë të njohura. Duke treguar edhe rastin ekstrem kur bashkëshortja ka qenë duke sjellë në jetë fëmijën dhe babai ka qenë duke humbur lekët në kazino, vend i cili i ka dhënë më shumë emocion se tingujt e parë të zërit të fëmijës së vet.
Si kufizohen personat që luajnë në lojërat e fatit në gjuhën e psikologjisë? A kanë këta individë çrregullime?
Psikologët dhe studiuesit e sjelljes njerëzore kanë disa ide në lidhje me metodat e diagnostikimit të njerëzve që luajnë lojërat e fatit ose më saktë që janë të varur nga këto lojëra. Disa mendojnë se bixhozi është shprehje e një çrregullimi të individit që mund të trajtohen duke e inkurajuar individin të bëjë analizën e vetes që nga periudha e fëmijërisë në mënyrë që të gjenden ndoshta dhe shkaqet, për të zbuluar frikërat e ndryshme apo vështirësitë e kaluara. Një ide e studiuesve se përse lojtarët nuk mund ta stopojnë këtë lojë është dëshira e pavetëdijshme për të humbur të gjitha lekët e tyre, në mënyrë që të dënohen për tensionet e pazgjidhura dhe konfliktet e brendshme në jetën e tyre. Këto konflikte të brendshme të pazgjidhura i çojnë lojtarët deri në veprime ekstreme. Niset si një lojë argëtuese që vazhdon si një rrugë pa kthim. Lojtarët vazhdojnë luajnë me mendimin se do ti rifitojnë lekët e humbura.
Çrregullimi quhet patologjik kur individi luan deri në atë masë që ka efekte negative të rënda në punën e tij, marrëdhëniet, shëndetin mendor ose në aspekte të tjera të rëndësishme të jetës.
Çfarë problemesh krijohen, jo vetëm te personi, por dhe te familja?
Stresi nga problemet e kumarit shkakton probleme shëndetësore si për personin që luan ashtu edhe për familjarët e vet. Këtu mund të përfshihet ankthi, depresioni, stresi, i cili është i lidhur me probleme si çrregullimi i gjumit, ulçëra, probleme të zorrëve, dhimbje koke dhe dhimbje të muskujve. Nëse një prej pjesëtarëve të familjes merr përsipër që t’i mbajë gjërat nën kontroll fillon të harrojë të kujdeset për veten dhe për pjesëtarët e tjerë duke çuar në zymtësi dhe tension gjatë gjithë kohës. Ndikim shumë negativ ka tek fëmijët kur njëri prej prindërve luan kumar sepse fëmijët ndihen të harruar, në depresion dhe të zemëruar duke shkuar deri në ekstrem kur ju privohet gjithçka për arsye financiare. Fëmijët fillojnë të mendojnë se janë ata shkaku i këtij problemi prandaj në qoftë se ata sillen mirë problemi do të ndalet. Pra, janë një sërë problemesh komplekse që shkaktohen te të gjithë anëtarët e familjes.
Ka mundësi që këta persona të bëhen të dhunshëm me familjarët e tyre?
Dhuna në familje fillon që të bëhet e zakonshme kur familjarët janë në krizë. Normalisht që edhe problemet e lojërave të fatit mund të çojnë në abuzim fizik apo emocional të partnerit, të një prindi të moshuar apo edhe ndaj fëmijëve.
Deri ku mund të arrijë një person që luan rregullisht?
Këta persona mund të humbasin të gjitha kursimet e tyre duke kaluar në krime (vjedhje, shpërdorim, falsifikime ) që të sigurojnë paratë për ‘zakonin’ e tyre. Ata mund të humbasin punën, familjen duke kaluar në ekstremitet deri në vetëvrasje.
Ky proces karakterizohet nga një seri hapash ose veprimesh që përfshihen në sjelljen problematike, të cilat ndryshojnë nga ato të varësisë nga substancat, ushqimi, duhani apo alkooli, sepse në kumar “emocioni i lartë” mund të stimulohet nga atmosfera e të qenit të gjithë së bashku në grup në kazino, dyqanet e basteve apo lojërave të fatit si edhe nga emocionet e shkaktuara nga rreziku. Kumari patologjik zhvillohet ngadalë gjatë një periudhe ndër vite, sepse me kalimin e kohës njerëzit kanë tendencën të fillojnë me nivele të pranueshme dhe më pas ta rritin këtë tendencë në mënyrë që të fitojnë të njëjtën ndjesi apo emocion si në fillim. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›