A është SHTET ky? Katër lajme që do shokonin gjithkënd
Ndërsa këto ditë po merremi me shfaqjen e shëmtuar të vjedhjes së votave me transparencë dhe me bombën e FMN-së se vendi rrezikon kolapsin nga borxhet, të tjera zhvillime të lënë të kuptosh se këtu vetëm për republikë ligjore nuk bëhet fjalë. Janë katër lajme të freskëta, që do tronditnin gjithkënd. Dhe ta mendosh se si do ndjeheshin më pas të huajt kur imagjinojnë se këto ndodhin në një vend me 3 milion banorë.
1. Një gjykatësi i është hequr imuniteti, ndërkohë që thuhet se ai duhej të ishte arrestuar. Gjykatësi i Tropojës, Sami Ujkashi thuhet se ka marrë mijëra euro për të liruar një vrasës dhe është i pleksur në aferën e Paro Laçit, një biznesmeni që kur u fut në burg kërcënoi se do thotë shumë gjëra komprometuese për Sali Berishën dhe Genc Rulin.
2. Një biznesmen nga Kosova, që tërhoqi zvarrë me makinën e tij një vajzë të re, këngëtaren Emmy, është liruar nga burgu pas tetë muajsh. Familja e vajzës së ndjerë është tërbuar me vendimin e gjykatës, duke deklaruar se do të bëjë vetëgjyqësi.
3. Një i arrestuar për korrupsion ka fituar tenderin për të cilin është akuzuar. Bëhet fjalë për një tender për furnizimin me uniforma të policisë. Jani Gjergjefi është shpallur nga Agjencia e Prokurimit Publik si fituesi i tenderit me vlerë 1.8 miliardë lekë të reja dhe ftohet të lidhë kontratën me autoritetin prokurues Policinë e Shtetit.
4. Pesë vajza të mitura, që ishin strehuar në një qendër rehabilitimi për shkak se më përpara ishin detyruar të prostituonin, janë zhdukur falë ndihmës një polici dhe tani janë sërish në rrugë. Lajmi i rëndë vjen në një moment kur një femër në Durrës është ekzekutuar në mënyrë makabre, pasi mendohet se kishte kërkuar paratë e punës që kishte bërë si prostitutë.