A është bërë Rinasi si një han me dy porta?
Një operacion i koordinuar mes autoriteteve doganore shqiptare me ato austriake ka bërë të mundur sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme celularësh. Tre persona janë arrestuar në afërsi të aeroportit të Rinasit nën akuzën e mosdeklarimit të transportit të mallit.
Operacioni i koduar Rinas ka pasur në fokus kontrollin e plot 23 personave. Raportimi u bë nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymyshka, i cili tha se operacioni u konkretizua në dy kontrolle, ku u sekuestruan 240 aparate celularë në rastin e parë dhe 2000 të tillë në rastin e dytë, raporton Ora News. Po sipas Gjymyshkës, e gjithë shuma e tyre e përkthyer në vlerë monetare është 200 mijë dollarë.
Itinerari që ndiqte transporti i celularëve ishte Dubai-Vjenë-Rinas.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave shprehu vendosmërinë se administrata doganore shqiptare do të vazhdojë luftën pa kompromis ndaj çdo shkelje doganore.
Ndërkohë, pesë oficerë të Policisë së Rinasit janë nën akuzën e lejimit të kalimit nga Shqipëria në vendet e BE-së të 11 klandestinëve kosovarë. Ky numër shkeljesh është provuar, por prokuroria dyshon se numri i personave që kanë kaluar ilegalisht në Rinas është më i madh.
Të denoncuarit në polici janë Mynir Shira, kryekontrollor i Rinasit dhe ish kontrollorët Besim Lika, Edison Ahmetaj, Alkida Shima dhe Nirda Lushi.