E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Vendimi absurd, Kushtetuesja i ka hequr opozitës të drejtën për ankimim

Share

(E PERDITESUAR)- Deputeti socialist tha se në gjyqësor, dhe veçanërisht në Kushtetuese po bëhen emërime klienteliste dhe politike. Ai shtoi se gjyqtarët e Kushtetueses, të cilëve u ka mbaruar mandati, votuan për zgjatjen e qëndrimit në detyrë. Por më e rënda, sipas Xhafajt, është një vendim i Kushtetueses që i kufizon opozitës të drejtën për ankimim, duke ua ngushtuar atë vetëm për interesa të ngushta

Deputeti i PS, Fatmir Xhafaj gjatë një dalje për mediat ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e djeshme të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Petrit Plloçi. Xhafaj tha se akti i këtij gjyqtari është sirenë alarmi për drejtësinë.

Akti i tij i dorëheqjes, si reagim ndaj situatës së paligjshme në të cilën me përdhunë e ka vënë Gjykatën Kushtetuese një vendim absurd i maxhorancës parlamentare, është një gjë e rrallë jo vetëm në mjedisin e drejtësisë shqiptare por edhe për gjithë shoqërinë tonë. Ky është shembulli se brenda gjyqësorit shqiptar ka njerëz me vlera, me integritet për ti dhënë këtij pushteti forcën dhe autoritetin e munguar. Ndaj dhe ky akt meriton vlerësim dhe respekt, dhe kërkon reflektimin serioz të të gjithë faktorëve të shoqërisë. Deklarata e dorëheqjes e gjyqtarit kushtetues është njëherësh një tjetër dëshmi tronditëse dhe një sirenë e fortë alarmi për gjendjen në të cilën gjendet sot sistemi i drejtësisë në tërësi, tha Xhafaj.

Emërime klienteliste dhe politike në gjyqësor

Deputeti socialist tha se po bëhen emërime klienteliste dhe politike në gjyqësor, e veçanërisht në Kushtetuese, KLD e në Gjykatën e Lartë.

Është goditur parimi thelbësor kushtetues i funksionimit të shtetit të së drejtës – ndarja dhe balancimi i pushteteve, për shkak të përpjekjeve të qeverisë për të vendosur nën kontroll politik pushtetet e pavarura. Efiçenca e gjyqësorit është cenuar rëndë edhe për shkak të emërimeve politike, klienteliste e joprofesionale, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në drejtimin e gjykatave të vendit. Pushteti ekzekutiv dhe segmente të caktuara të politikës të lidhura me interesa korruptive diktojnë sot një pjesë të konsiderueshme të vendimmarrjes së gjyqësorit. Institucionet drejtuese e kontrolluese të sistemit u janë nënshtruar frymës klienteliste, korrupsionit dhe presionit të interesave të pushtetit, tha Xhafaj.

Opozitës i kufizohet e drejta për ankimim

Ai denoncoi edhe dy skandale të Gjykatës. Sipas tij, Kushtetuesja mori vendim për të zgjatur qëndrimin në detyrë dhe vendimin e morën ata që u ka mbaruar mandati. Po ashtu Xhafaj tha se kjo gjykatë po i heq opozitës të drejtën e ankimimit.

Gjykata kushtetuese në një vendimmarrje 6 me 3 të para disa ditëve ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Kreut të Shtetit për zgjidhjen e konfliktit të kompetencës ndërmjet institucionit të tij dhe Kuvendit. Ky vendim i Gjykatës është absolutisht në kundërshtim me vendimin që vet ajo ka miratuar një vit më parë (vendimi nr.24, datë 09.06.2011), sipas të cilit çështja e ripërtëritjes të gjyqtarëve të ardhshëm kushtetues është në dorë të ligjvënësit kushtetues, përmes një ndërhyrjeje në Kushtetutë. Çfarë e bën akoma më të rëndë këtë vendimmarrje është se, mes 6 gjyqtarëve që votuan pro rrëzimit të kërkesës së Presidentit, duke bërë kështu shumicën, ishin edhe gjyqtarët Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza të cilëve, së bashku me gjyqtarin Plloçi (që doli në pakicë me mendim kundër) iu ka mbaruar mandati. Të dy këta gjyqtarë kanë votuar pro zgjatjes së qëndrimit të tyre në detyrë, duke qenë në konflikt të qartë interesi. Dy gjyqtarë kushtetues, të cilët janë betuar mbi Kushtetutë se do ta mbrojnë atë, kanë përcaktuar fatin e qëndrimit të tyre në detyrë, nëpërmjet votës që i kanë dhënë vetvetes. Ishte pikërisht vota e këtyre individëve, peng të punëdhënësit të tyre politik, që bëri të pamundur shqyrtimin nga Kuvendi të dekreteve të Presidentit që i zëvendëson ata me gjyqtarë të tjerë. Në këtë mënyrë ata i dhanë vetvetes mundësinë për të vazhduar të ushtrojnë tej çdo limiti kohor mandatin e gjyqtarit kushtetues, ndërkohë që ai iu ka përfunduar që përpara dy vjetësh. Vendimi në fjalë i kësaj gjykate që, në respekt të standardeve të vendosura nga ajo vetë ndër vite, sot mund të konsiderohet pa frikë gjykatë e paligjshme, është pjesë dhe zgjatim i qëndrimeve antikushtetuese të mbajtura nga kryetarja e Kuvendit për mosshqyrtimin e dekreteve presidenciale dhe kthimin e paprecedentë administrativisht të tyre me një synim të vetëm: mbajtjen e tre vendeve bosh për ti dekretuar me Presidentin e ri produkt të maxhorancës, me qëllim ruajtjen e kontrollit politik të qeverisë mbi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, institucionit që Kushtetuta i ka dhënë rolin e garantit për ruajtjen e Kushtetutës, tha Xhafaj.

Nga faqja zyrtare e Gjykatës jemi njohur me faktin se me një vendim tjetër absurd ka vendosur ti heqi opozitës të drejtën kushtetuese të ankimimit, ti kufizojë pa të drejtë legjitimitetin që vetë neni 134 i Kushtetutës i ka dhënë një të pestës së deputetëve. Në mënyrë më të plotë ne do të shprehemi sapo të kemi vendimet e arsyetuara, por për sa është bërë publike nga media më duhet të theksoj se kjo kompetencë, ndër të tjera, i krijon mundësi reale veçanërisht opozitës që të jetë sa më aktive për mbrojtjen e rendit kushtetues. Kushtetuta e prezumon interesin e pakicës parlamentare, duke e konsideruar edhe atë përfaqësuese të interesave të larta të funksionimit të shtetit dhe të mbrojtjes së interesit publik. Kushtetuta ka pranuar se interesi i bartësve të funksionit publik, përfshi dhe një të pestën e deputetëve me qëllim mbrojtjen e sistemit normativ dhe parimet shtetformuese si konstitucionalizmi, shteti i së drejtës, demokracia, dinjiteti njerëzor, barazia sociale etj, nuk mund të kushtëzohet për shkak se ata synojnë të mbrojnë objektivisht jetën e shtetit dhe të së drejtës dhe jo aspekte subjektive private. Kjo formë quhet ndryshe dhe kontroll objektiv i kushtetutshmërisë. Kjo vendimmarrje duket se e ka vendosur një të pestën e ligjvënësve në të njëjtin pozicion me subjektet e tjerë, si organizatat dhe shoqatat, të cilët kanë detyrimin të provojnë legjitimitetin e tyre. Tashmë, ligjvënësit dhe veçanërisht pakica parlamentare, mund ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese vetëm kur i cenohen të drejtat e veta të ngushta dhe jo kur cenohet kushtetutshmëria e ligjeve, kur cenohen marrëdhëniet ndërmjet pushteteve, kur cenohet shteti i së drejtës. Nëse ky vendim do të ishte marrë dy vjet më parë, grupi parlamentar socialist nuk do të mund të ankohej në Gjykatën Kushtetuese për kufirin detar, dhe Shqipëria jonë sot do ta kishte kufirin te thana që i vuri pa iu dridhur qerpiku Kryeministri. Kjo që po ndodh sot me Gjykatën Kushtetuese është një skenar ogurzi që synon të nxjerrë jashtë funksionit të saj Gjykatën Kushtetuese dhe të delegjitimojë pakicën parlamentare nga roli që asaj i ka caktuar Kushtetuta si sfiduese e vullnetit të vesuar të maxhor

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›