E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i bypassit, PS e Shkodrës: Të ndalojnë punimet, dëmton vlerat e qytetit

Kreu i PS-se se Shkodres, Genc Uruçi

Ndërtimi i Bypassit të Shkodrës sipas projektit që tashmë ka nisur zbatimin e tij dëmton vlerat historike, arkeologjike e turistike të qytetit të Shkodrës dhe nëse brenda dy javësh bashkia nuk do zhvillojë një takim me grupe interesi e specialistë, do ngremë një padi penale ndaj saj për shkatërrim të këtyre vlerave.

Kështu ka deklaruar kryetari i PS-së së rrethit Shkodër, Genc Uruçi, duke e cilësuar projektin aktual një projekt absurd dhe aspak të studiuar. Uruçi i kërkon Bashkisë Shkodër të ndalojë punimet dhe të ngrejë një tryeze të gjerë pune për të propozuar variantin më të mirë që nuk prek këto vlera të qytetit. Ai i ka lënë afat bashkisë deri me 5 maj për të vepruar, pasi në të kundërt do të përballet me një padi penale që PS do të ngrejë ndaj saj.

Projekti aktual ka një dalje në mesin e rrugës së molos, një investim mbi 200 milionë lekë të vjetra duke e prishur atë, si dhe dëmton vlerat turistike, arkeologjike e historike që Zoti ia ka dhuruar këtij qyteti ,duke dëmtuar pjesën më të bukur në hyrje të tij. Kjo bëhet ndoshta për qëllime dhe interesa të ngushta personale, ka thënë Uruçi.

Ai ka shtuar  se me ekspertët e saj edhe PS e Shkodrës do ti bashkohet kësaj tryeze dhe është e gatshme për të dhënë ndihmesë në këtë rast. Bypassi i Shkodrës ka hasur edhe më herët në kundërshtitë e banorëve të lagjeve ku ai kalon,  pasi prekte pronat e tyre dhe ujësjellësin Dobraç, por është kundërshtuar edhe nga komuniteti mysliman. Projekti i këtij investimi është ndryshuar disa herë për tu sjellë në variantin që është duke u zbatuar.  / Anila Dushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›