E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është çnderim nëse të lenë pa punë, pa drita, pa dinjitet?"

 
 
Nuk doja të komentoja që ditën e parë lajmin rreth vrasjes së vajzës në Lurë vetëm sepse dashuronte, dhe kjo për faktin se emocioni do të dilte mbi arsyen dhe mbase do të shkruaja me inat për një ngjarje makabre.
Por problemi është se sa më shumë kalojnë ditët dhe aq më shumë dalin në skenë injorantët që po na mbysin. Na kanë mbytur në Lurë, kjo perlë e natyrës ku njerëzit e fshatit blejnë antenë satelitore për të parë balerinat në televizion, por që nuk tolerojnë dashurinë. Dënojnë vajzën e fshatit sepse si shumica e moshatareve të saj kishte një të dashur. I paskemi pasur talebanët në mes të shtëpisë dhe nuk e paskemi ditur! Sa më shumë kalojnë ditët dhe aq më shumë skandalizohem nga intervistat që jepen. Një tjetër taleban merr guximin dhe thotë se pyetëm djalin nëse kishte lidhje dashurie, sepse tekstualisht thotë, "ndërkohë që Nazifen nuk e kemi pyetur, sepse në anët tona nuk lejohet që për çështje të tilla të pyetet vajza". Pra vajza nuk është tjetër veçse plaçkë, nuk mund të flasë. Dhe talebanë të tillë ne duhet t'i kalojmë në heshtje? Po faj nuk kanë vetëm këta njerëz të lodhur nga skamja e padituria. Faj kemi të gjithë, si një shoqëri që jeton në mes të Euriopës e nuk arriti kurrë të ngrihet në nivelin e minimales. Faj ka një kulturë patriarkale që sundon dhe është një nga shkaqet kryesore të prapambetjes së shoqërisë sonë.
Sa punë e sa arsimim duhet për të ndryshuar këtë gjendje? Tani ata të mjerë 3 vëllezër do t'i ngrysin ditët që i kanë mbetur në një qeli. Do të përgëzohen nga talebanët e fshatit. Le të rrojnë me nderin e talebanëve dhe me fjalët e mira të tyre. Këta tre vëllezër janë vetëm vrasësit materialë. Ata që dërguan vrasësit janë të gjithë ata persona që e lanë 4 orë në agoni vajzën pa i dhënë ndihmë, është nena e saj që e la jashtë dhe nuk e varrosi dhe të gjithë ata bashkëfshatarë që rrinin duarkryq duke pirë në lokalin e fshatit.
Sepse nderi i tyre i dhjerë, që vetëm nder nuk është, është mbi gjithçka! Po çfarë bëri e gjora Nazife, që iku ky i famshëm nder? Këta njerëz primitivë ndihen të çnderuar sepse motra e tyre dashuronte një djalë, e ndërkohë nuk ndjehen të çnderuar kur i lënë pa drita, pa ujë, pa punë, pa dinjitet. Askush nuk i mbron kufijve, ambasadave, kurbetit. Po të ndiheshin të çnderuar atëherë vërtetë janë çnderuar. Shqipëria do ecte më përpara. Zoti pastë mëshirë për ata!
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›