"Nëse po, do jetë një luftë e gjatë në shkretëtirë"
Shqipëria shembëllen me një shkretëtirë dëshirash për ndryshime të mira. Mbase, në një shkallëzim të papritur të vetëdijes, i huaji do të mund të kuptojë çfarë duhet bërë për të zhbërë barrikadat marrafrymëse të zhvillimit të qytetërimit tonë. Mbase problemi ynë nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është një çështje ndërrimi pushtetesh,të cilat sot janë në një krizë absolute besimi. Mbase fillimi duhet bërë tjetërkund edhe ndryshe. Patjetër që duhet të ndryshojmë mënyrat, pasi të pastrojmë terrenin nga politikanët e këqij dhe politika e vjetër, që i kanë bërë të zezat më të mëdha këtij vendi. Mbase duhet filluar tek ligji. Kjo shëmbëllen fare e thjeshte për të huajin, por ai është e pamundur të kuptojë se përse nuk ndodh kjo gjë në Shqipëri. Shoqëria shqiptare duhet të ringrihet mbi respektimin e egër të ligjeve, ç'presin këta njerëz të çuditshëm atëherë. Pastaj të fillojë investimi qytetar për të rritur fëmijë të civilizuar e të arsimuar si duhet, që të mund të ndryshojnë imazhin e shkarravitur deri tani brenda dhe jashtë. Natyrshëm, politika e re dhe e mirë duhet të këtë vullnetin e mirë për punëra të mira dhe duhet të fillojë misionin me gjetjen e njerëzve të devotshëm, të aftë e të civilizuar, për t'i besuar pushtetin e dhënë gabim gjithë këto vjet. A do të bëhen këto ndonjëherë? Nëse po, do të jetë një luftë e ashpër dhe e gjatë në shkretëtirë.