E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një sistem i kapur nga brenda

 
 
 
Ecejakja tashmë u bë e gjatë. Prej vitesh, sistemi i drejtësisë konsiderohet thellësisht i korruptuar dhe prej vitesh, politika përsërit vullnetin e mirë për të luftuar korrupsionin, por vetëm kaq.
Teorikisht, lëvizja reformiste, është një teori që synon ndryshimin gradual drejt përmirësimit. Ky ndryshim gradual, sjell në fund ndryshimin thelbësor të strukturës. Ajo shihet si e kundërta e revolucionit. Në këtë kuptim, tryeza e thirrur nga presidenti Topi dje dhe diskutimi në të i teknikaliteteve juridike të llojit, a ta kufizojmë imunitetin e gjykatësit apo jo, përputhet me fjalën reformë. Por ajo çfarë maxhoranca e sotme kreu në dy vitet e fundit me sulmet frontale, akuzat dhe shpifjet, me e pa të drejtë kundër sistemit të drejtësisë, nuk qenë tentativë për reformë, por një tentativë për revolucion. Dihet gjithashtu se revolucionet, thjeshtë sa i bien në qafë qytetarit të zakonshëm, atij që nuk ka asnjë lidhje me problemin, por nuk e zgjidhin problemin.
Një strukturë e korruptuar
Sistemi aktual i drejtësisë në Shqipëri është i ndërtuar në mënyrë të tillë, ku jeta e gjykatësit, mandati, karriera dhe dënimi i tij në rast shkeljeje, kryhet nga vetë sistemi. Pra kemi një strukturë të kontrolluar nga vetja e vet. Në majë të strukturës, gjendet Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nëntë nga 15 anëtarët e së cilit, zgjidhen nga radhët e gjykatësve. Gjykatësit përdorin për të zgjedhur delegatët e vet në Konferencën Gjyqësore dhe më tej, anëtarët e KLD-së, një formulë kryekëput identike me atë të përdorur nga Enver Hoxha në Kongresin e Përmetit. 370 gjykatës, zgjedhin 117 delegatë (një skemë zgjedhore që matematikisht nuk funksionon, por që pazari mes gjykatësve e bën funksionues). Ka një lidhje të fortë interesi mes anëtarëve të KLD-së dhe gjykatësve. KLD emëron gjykatësit e rinj. Ajo duhet t'i ndëshkojë gjykatësit, në rast se bëjnë shkelje. Gjykatësit, pasi ndëshkohen nga KLD, i drejtohen Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë, është një maxhorancë e prodhuar nga vetë gjykatësit. Për rrjedhojë, ndonëse mekanizmat ligjorë të kontrollit të punës së gjykatësve dhe dënimit të shkeljeve, ekzistojnë, në realitet, sistemi thotë se gjykatësit duhet që pak a shumë të dënojnë veten e vet për shkeljet që kryejnë.
Në të shkuarën, ndodhi që KLD dënoi disa gjykatës me vendime të detyruara nga presioni i madh publik. Gjykatësit u ankuan në Gjykatën e Lartë dhe kjo e fundit rrëzoi KLD-në duke i kthyer ankimuesit në vendin e punës. Të paktën në dy raste, kur ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi dërgoi në KLD një listë gjykatësish që patën kryer shkelje, KLD refuzoi hapur dënimin e këtyre gjykatësve.
KLD është edhe institucioni që harton politikat për gjykatës më të arsimuar. Në Shqipëri, llogaritet se 70% e 370 gjykatësve të vendit, janë pa arsim përkatës. Megjithatë, këtë vit, u vendos mbyllja e Shkollës së Magjistraturës, me motivacionin "nuk ka nevojë për gjykatës".
Oligarkët e drejtësisë
Ky sistem i tillë i vetëkontrolluar, ka krijuar një situatë katastrofike miqësish dhe shkëmbim favoresh mes gjykatësve, që sakaq kanë krijuar lobime dhe grupime të afta për të bllokuar çdo lloj tentative për ndryshim. Emërimi i gjykatësve të rinj p.sh., është një mjet shumë i përdorur për të eliminuar konkurrencën mes të rinjve të arsimuar në Shkollën e Magjistraturës dhe gjykatësve të vjetër, shpesh pa shkollë fare. Rregullat e emërimit të gjykatësve të rinj në KLD ndryshojnë çdo vit. Me raste, rregulli ka qenë që ata që kishin rezultate të larta në mësime, të emëroheshin gjykatës në Tiranë dhe në Durrës. Por vitet e fundit, është vendosur rregulli i ri, pra magjistratët nga Tirana, të emëroheshin në Tiranë. Të rinjtë me rezultate të larta, të cilët konsiderohen jashtë strukturave të lobimit dhe shkëmbimit të favoreve, internohen në zona të largëta si Tropoja, Gramshi apo Skrapari. Në këto zona, gjykatësit e rinj duhet të paguajnë qeranë me rrogën e vet, e cila është rreth 50 mijë lekë në muaj. Për rrjedhojë, preken nga korrupsioni. Por në gjykata të tilla provincash pa jetë, nuk ka gjyqe për ndarje pronash apo vrasje, rrjedhimisht, nuk ka as mundësi për t'u korruptuar. Një raport i asistencës së BE-së për Drejtësinë, vëren se sasia e karburantit e shpenzuar në një vit nga gjykatësit shqiptarë, është e mjaftueshme për të bërë me makinë xhiron e botës. Pra, si pasojë e vështirësisë ekonomike dhe pamundësisë për t'u korruptuar, gjykatësit fillojnë të manipulojnë tollonat e naftës.
Reformë, sipas kuptimit të burokracisë austro-hungareze, do të thotë se duhet të heqësh dorë nga parimi për hatër të zgjidhjes së problemit. Sistemi i drejtësisë u krijua dhe vetorganizua gjatë 5 viteve të fundit në Shqipëri, si një zonë me ekstra-territorialitet në Republikën e Shqipërisë. Gjykatësit janë sot të paprekshmit e këtij vendi. Edhe në rast se një nga gjykatësit me kurs gjashtëmujor të vitit '93 humbet vendin e punës, taksapaguesit kanë detyrimin të vijojnë t'i paguajnë rrogën, për shkak se Statusi i Gjykatësit është praktikisht i paprekshëm.
Fryma revolucionare e luftës kundër korrupsionit në drejtësi gjatë viteve të fundit, nuk ka prodhuar deri më sot, në asnjë rast, dënimin e ndonjë gjykatësi. Por efektet anësore të kësaj fryme revolucionare, ka rënë mbi rastet e veprave penale të vogla. Për të mos i hyrë andrallës së KLD-së, gjykatësit kanë filluar të pranojnë automatikisht kërkesën e prokurorisë për masa arresti dhe dënime të veprave penale të vogla, duke i rënë në qafë qytetarit të zakonshëm, atij që nuk ka para për të paguar korrupsion, dhe që vuan pasojat e revolucionit antikorrupsion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›