A është në rrezik Turqia?
Rasti Ergenekon, në thelb, është përpjekje për të nxjerrë jashtë elementët negativë brenda ushtrisë, disa prej të cilëve tani janë në pension. Ata ishin të gatshëm të krijonin çrregullime dhe kaos që do të çonte në një grusht-shtet ushtarak në Turqi
Nga Robert Tait
Arrestimet dhe ngritja e aktpadive ndaj disa
dhjetëra ushtarakëve në Turqi, sipas analistëve, e ka çuar këtë vend një hap më
afër përballjes së madhe mes qeverisë dhe ushtrisë.
Ky i fundit dikur ka qenë një institucion i gjithëfuqishëm. Ushtria turke e ka
parë veten si mbrojtëse të shtetit sekular, derisa qeveria aktuale drejtohet
nga një parti me rrënjë islamike.
Nga ana tjetër, janë ngritur pikëpyetje dhe ndaj agjendës politike që mund të
fshihet pas arrestimeve të prokurorisë në një nga shtyllat e sekularizmit në
Turqi.
Hetuesit pretendojnë të kenë fakte të mjaftueshme për komplotin e ushtrisë në
vitin 2003, që synonte rrëzimin e qeverisë përmes një grusht-shteti.
Arrestimet dhe hetimet përfshijnë anëtarët e një grupi hije të quajtur
Ergenekon.
Mbështetësit e qeverisë dhe të partisë në pushtet këmbëngulin se komploti i
ushtarakëve synonte goditjen e demokracisë dhe kthimin pas të një tendence për
më shumë llogaridhënie nga qeveria përpara ligjit dhe shoqërisë.
Ata thonë se në lojë është, ose që Turqia të shndërrohet në një demokraci
moderne, e aftë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ose të ketë një sistem
totalitar të drejtuar nga një elitë sekulare, që përfaqësohet nga ushtria.
Suat Kiniklioglu sqaron politikën e Partisë për Zhvillim e Drejtësi, që është
në pushtet.
Rasti Ergenekon, në thelb, është përpjekje për të nxjerrë jashtë elementët
negativë brenda ushtrisë, disa prej të cilëve tani janë në pension. Ata ishin
të gatshëm të krijonin çrregullime dhe kaos që do të çonte në një grusht-shtet
ushtarak në Turqi, sqaron Kiniklioglu politikën e partisë në pushtet.
Por, Gareth Xhenkins, specialist i Turqisë me qendër në Ankara, vlerëson se ajo
çfarë po ndodh, është larg të qenët një aksion për qeverisje më të hapur e
demokraci më cilësore.
Ajo çfarë kemi parë në dy vjetët e fundit, në thelb është një betejë për
pushtet mes dy forcave autoritare. Nuk i kemi demokratët përballë
antidemokratëve. Bëhet fjalë për dy grupime autoritare. Ne po shohim se partia
në pushtet gjatë vjetëve të fundit, e në veçanti në vitin e fundit, ka ardhur
duke u bërë gjithmonë e më autoritare, sqaron Xhenkins për Radion Evropa
e Lirë.
Një tjetër zë i njohur në Turqi, ekspertja e shkencave politike, Nurei Mert,
tërheq vërejtjen se partia në pushtet po e çon Turqinë drejt një despotizmi
civil.
Komentet e saj marrin peshë kur dihet se në të shkuarën ajo ka kritikuar një
numër ligjesh sekulare në Turqi, përfshirë dhe ndalimin e shamisë së kokës në
universitet publike.
Qeverisja e kësaj qeverie lehtësisht mund të kthehet në një sistem njëpartiak,
apo në ndonjë formë të autoritarizmit. Mendoj se shenjat që po shohim, çojnë në
këtë drejtim. Veçanërisht në mandatin e dytë, qeveria aktuale nuk pranon asnjë
kritikë, madje ka filluar të ushtrojë presion të madh ndaj atyre që janë
kritikë, sqaron Mert.
Por, vëzhgues të paanshëm shprehin mendimin se ka teprime të shumta nga ata që
flasin për tendenca despotike në rritje të Partisë për Drejtësi e Zhvillim.
Natyrisht, qeverisja e partisë në pushtet tundohet ndonjëherë nga një lloj
autoritarizmi. Por, strukturalisht drejtimi i vendit është pa diskutim drejt
demokracisë, sqaron për Radion Evropa e Lirë, Çengiz Aktar, profesor
universitar.
Ai shton se në mandatin e parë partia në pushtet ndërmori një seri reformash
për demokratizimin e vendit. Reformat patën një lloj ngadalësimi në fillim të
mandatit të dytë, por ndihet një nxitje e re së fundi.
Gjendja nuk është e përkryer, por ky vend nuk ka parë nisma të tilla në 100
vjetët e fundit. Mendoj se duhet ti çmojmë masat e marra nga e ashtuquajtura
parti islamike, që është në pushtet. Aktualisht, ata janë myslimanë demokratë,
njëjtë siç kemi kristianë demokratët në Evropë. Dhe, këta të fundit janë
reformistë, përfundon Aktar.
Megjithatë, tensionet mes qeverisë, që drejtohet nga një parti me rrënjë
islamike dhe dy shtyllave të sekularizmit, ushtrisë e gjykatave, duket se do të
vazhdojnë.
Përpjekja e vitit 2008 për nxjerrjen jashtë ligji të partisë në pushtet, duket
se nuk do të jetë e fundit.