A gjendet ADN-ja e qëndresës tek bukuria?
Thotë diku shkrimtari Mehmet Elezi: “Njerëzit e letrave e të artit tërhiqen nga bukuria, se bukuria zgjon krijuesin tek ata. Mendoj se po aq shumë këta njerëz i josh drama”, (Gjuha shqipe me një mushkëri fq.8). Romani i fundit, i Mehmet Elezit, “ADN-ja e korbave”, botim i Entit Botues “Gjergj Fishta”, sjell në mënyrë të përqëndrueme në 90 faqe marramendëse bukurinë dhe dramën e saj. Kaq përputhtazi rri drama me bukurinë në këtë libër sa që lexuesit i bahet nganjëherë me pyet: A thue drama e bukuria janë shkak e pasojë, janë ndërlidhje dialektike e pashkapshme? Romani fillon me një fjali rrënuese: Askush nuk e ndali frymën me pyetë se ç’qe ajo pushkë? Pastaj romani rrjedh natyrshëm edhe pse me intensitet ngjarjesh, idesh e figuracioni shumë të lartë. Lexuesi kupton shpejt se vetë fryma e jetës është ndal, për shkak të asaj pushke, se ajo krismë e thatë në një brinjë bjeshke e ka këput lik, përmjet fillin e hollë, por të pakëputun prej miliona vjetësh, të jetës në atë lagje të mënjanueme të planetit, në atë nënqiell ku ende bukuria e virtytet njerëzore respektohen si në kohët kur njerëz e perëndi shëtisnin leqeve e tërthoreve të alpeve të Shqipnis. Romani u jep jetë personazheve të paharrueshme, të skalituna shpejt me nga një daltë drite në terr, me emra të gjëmshëm si Prel Keqani, Lek Dekorata, Lek Fuqia, Kaje Nokja, Njeriu i quajtun Mhill, Njeriu me kasketën e rrasun deri në qafë, e mbi të gjithë Çun Gurra që fekton si teh vetime herë mbi dhe e herë nën të, herë në një arë tuj mbajtë në krah një zanë, e herë në një shpellë tuj mbajtë frymën gjallë me misra të pjekun në shoqni të panatyrshme me një ujk. Çun Gurra ka ndigjue një të burgosun tuj thanë për qeverinë e ardhune në pushtet se i ngjan “ullakut, si dërdhaza, ujë rrebeshi që zbret prej malit i turbullut e i çmendun duke marrë gjithçka përpara: Gurë themeli, degë e rrënjë. Ullakut shmangiu se të fshin”. Ullaku, uji i çmendun e ka zënë Çun Gurrën në derë të shtëpis së vet, në kullën e tij, tuj prit miqt e babës e miqt e vet, një prift e një udhtar. Aty fillon drama e Çun Gurrës dhe e bukurisë. Tash ka ardhë tjetër kush në ato brinja, tjetër kush kallzon se kujt me ia hap e kujt mos me ia hap derën, tjetër kush të kallzon kush asht mik e kush armik, çka është mirë e çka asht keq. Ato që deri dje, prej miliona vjetësh kanë qene sjellje, virtyte, ligje, forma të sofistikuar mbijetese e kujdesi në marrëdhëniet njerzore Ullaku i ka fshi përpara. Ngjyra e kthjellët e jetës normale është turbullue. Njeriu me kasketën e rrasun deri në qafë, me armën e tij me emër rus, me gazin sovjetik të Degës së Brendshme edhe vet qiellin e ka ngrirë, e ka shndërruar në një qiell të akullt, të errët, pa shpresë. Në këtë përplasje mes fuqisë së errët të ullakut dhe përpjekjes për mbijetesë të bukurisë e virtytit njerzor, fjalën e fundit sigurisht e ka gryka e pushkës. Bukuria tërhiqet thellë në kreshta, zbret mes të çarave të gurëve drejt zemrës së ngrirë të tokës, në një shpellë të errët kalon dimrat në shoqni të një ujku. Çun Gurra pas arratisjes jeton në një shpellë me një ujk. Ujku i malit e njeriu i çuem me dhunë prej shtëpisë vet bajnë ujdi me jetue bashkë, me e nda shpellën e ftohtë e gjahun e paktë së bashku. Duket sikur jeta asht e mundshme me egërsina, të paktën më e mundshme se sa me njeriun me kasketë të rrasur deri në zverk të qafës. Njeriu i shkulun prej rrënjëve të veta, prej kullës së tij, prej arës së vogël në mal, prej vashës nën hije të blinit që iu ka shkye kmisha pak skej gjini, prej motrës e rrethit ë vet familjar, mbështet në instinktin e mijetesës dhe harmonisë së mundshme në mes bimve, kafshëve e njerzve, ndërton një marrëdhanie të shkurtë sa një dimër me një ujk të bardhë bjeshke. Një miqësi e panatyrshme, ani pse dëshmi e fuqisë së mbinatyrshme për mbijetesë edhe në pikën më tragjike të dramës që luhet rreth e rrotull shpellës. Asht bujar Mehmet Elezi, me fort delikatesë ia kushton këtë libër At Zef Pllumit: Fjali e parë e këtij libri u shkrue nën dritën e Qiriut të mbramë të asaj kishe të moçme; At Zefit edhe kur iu sos dylli, drita nuk iu dridh. Qysh në këtë përkushtim lexuesi asht paralajmërue se dritë libri do të ketë pak, veç ajo s’ka me u shkime. Ajo dritë mjafton me e pa deri në fund dramën e atyre njerzve, dramën tonë të pas luftës. Dramën jo vetëm të jetës, por edhe të vdekjes sonë. Pasi edhe vdekja u dënua. Vdekja u dënua të rrinte me të gjallët. Të gjallët u dënuan të rrinin nën dhe. Hijeshia njerzore, bukuria e fytyrës dhe i virtytit u godit bri e më bri. Amaneti për ruajtjen e bukurisë së fytyrës mbet me iu dhanë një ujku, por edhe ujku u vra… ! Çun Gurra i vramë e i hedhun në zallë është një imazh që mjerisht shumë prej nesh e kanë pa. Ai që Mehmet Elezi sjell në librin e tij, është imazhi estetik i bukurisë, e cila nën kërcënimin e armëve lihet në mëshirë të faktorëve natyrorë: por vet Zoti, natyra bën aleancë me bukurinë. “Trupi i tij nuk po tretej. Nuk dejet mishi në dimër. Shyqyr që është ngricë. E shyqyr që s’ka korba”. Mbyllja e librit len me kuptue se drita ka me u shtue, ani pse me vështirsi, përmes palëve të trasha të errësirës. Libri përveç një plotnie e gurgullimi gjuhsor, asht edhe prej ndërtimit interesant, pasi lejon kthime e rikthime, meditime e analiza, mundson hapsirë për vargje këngësh e lirikash popullore, prrallash, dokesh e forma të rralla sjelljesh. I konceptuem si roman policor me dy hetime paralele, një zyrtar e një gjysëm zyrtar rreth një kafje fshati, romani intrigon e tërheq, rrjedh lirshëm e të zhyt në reflektime. Në fakt krimi zbulohet qysh në fillim, lexuesit i mtohet me e gjetë vet autorin e krimit. E nëse në hyrje thuhet se, “askush nuk e ndali frymën me pyetë se ç’qe ajo pushkë”, në fakt, në fund, të gjithë e marrin vesh se plaga e shkaktueme prej saj do të dojë vite e vite për t’u shëruar. Ky është një libër që ke qejf me ia dhanë një miku, me i folë dikujt për të, një libër që lexohet me shumë endje.