Onufri ’09; I kujt është gomari?!
Duke pasur respekt ndaj kafshëve dhe duke vlerësuar veçanërisht inteligjencën e gomarit, kuratori Parid Teferiçi, që pakkujt i shkon në mendje, ka zgjedhur si imazh të “Onufrit 2009” fotomontazhin e gomarit të realizuar nga piktori Edmond Gjikopulli. Piktura me gomar është edhe pjesëmarrëse e këtij konkurrimi. Por kush ka ndjekur me vëmendje ekspozitën “Nëntori 12”, që u mbyll pak kohë më parë, ideja e gomarit është shfaqur së pari aty. Bëhet fjalë për pikturën e Stefan Taçit “Jeta është e bukur”, ku një gomar i bardhë qëndron në cep të kornizës së pikturës. Nëse shikoni mbi fotot e gazetës, pamja midis dy gomerëve është krejtësisht e ngjashme si ide. Është përkim ideor apo plagjiaturë ideore?! Kësaj pyetjeje, Teferiçi i është përgjigjur ftohtë, duke këmbëngulur në idenë e zgjedhjes së tij për këtë foto që gomari si kafshë inteligjente – është imazhi ideal për “Onufrin”.
Për më tej, ky përkim shkakton vetëm të qeshura nga kuratori - pa kuptuar se këtu idetë edhe vidhen në ditë me diell. Piktori Stefan Taçi ka preferuar të heshtë, duke e quajtur me ironi se ndoshta është “përkim” ideor, që gjithsesi lë dyshime për plagjiaturë ideore, aq më tepër që u bë edhe imazh i Onufrit.
Onufri, si një “puzzle”
Pavarësisht asaj çfarë nuk duket në këto “ide të grabitura”, që shërbejnë dhe si imazh, edicioni i 16-të i konkursit ndërkombëtar “Onufri” është hapur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve. E titulluar “Dëshmi dhe dëshira”, ekspozita këtë vit ka qenë nën kujdesin e kuratorit Parid Teferiçi. Ai i ka dhënë fizionominë e krahasuar me trajtat e një “puzzle”, në përpjekje për të shmangur klishenë e ilustrimit teorik të arteve vizuale në Shqipëri. “Ekspozita është një “puzzle” i një realiteti artistik me kundërshti, paradokse dhe fërkimet që kanë tematika, mediume, e temperamente të ndryshme artistike. Uroj që në momente të caktuara të krijojë edhe shkëndija të një origjinalitetit nga publiku”, - shprehet kuratori Teferiçi, gjatë konferencës për shtyp. Në ndryshime nga vitet e kaluara, “Onufri” ka ndryshuar metodologjinë e konceptimit të punëve artistike, sipas kuratorit. “Qasja ime e këtij viti ishte një thyerje e vijimësisë metodologjike që ka pasur ky aktivitet kaq i rëndësishëm. Ajo konsiston në hulumtimin e raportimit që ka artisti me lirinë e tij të fituar pas ndërrimit të sistemeve, por që ka sjellë me vete problematika të ndryshme që kanë çuar artistin të përballet me kufijtë e mundësive të tij kreative”, - thotë Teferiçi. Kjo ekspozitë është një studim i hollësishëm i skenës (apo siç e thotë edhe vetë kuratori i prapaskenës) së arteve vizuale në Shqipëri. Që do të thotë se artistët pjesëmarrës reflektojnë mbi produktet artistike që prekin realitetin sa problematik, aq dhe produktiv, që tenton rritjen cilësore përmes luhatjeve dhe zhvillimit komunikues të një gjuhe shprehëse në kushtet e transformimit të vazhdueshëm. Për këtë, ai thotë se ka pasur një rol minimal të imponimit si kurator, për ta bërë punën të pavarur. “Kam qenë në një rol minimal protagonizmi, duke bërë një punë me shkallën zero të kuratorësisë”, - thotë ai. Një tjetër risi të “Onufrit 2009” është edhe përfshirja e studentëve të Akademisë së Arteve, besuar artistit Gentian Shkurtit. Një iniciativë që e vlerësoi edhe drejtori i GKA-së, Rubens Shima, duke thënë se “kjo është një lloj praktike që galeria do të vazhdojë ta praktikojë në të ardhmen me qëllim që artistë, kuratorë në çdo edicion të “Onufrit” do të propozojnë këtë lloj formati artistik, për të pasur mundësinë që artistëve të rinj t’u japim një mundësi të integrohen në skenën e arteve vizive në Shqipëri, por njëkohësisht të pasqyrojnë edhe zhvillimet që ndodhin në institucionin formues më të rëndësishëm artistik, si Akademia e Arteve”. Në rastin konkret, në konkurs janë përzgjedhur punët e studentëve Donika Çino, Entela Hoxha dhe Anjeza Dyrmishi.
Artistët “e huaj” shqiptarë
Në vend të artistëve të huaj janë ftuar të marrin pjesë në edicionin e 16-të të ekspozitës “Onufri 2009” vetëm artistët shqiptarë me aktivitet në vende të ndryshme të botës. “Kjo gjë nuk është ksenofobi, por thjesht çështje metodologjie e këtij viti”, - shpjegon Teferiçi, duke shtuar se artistët shqiptarë që ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë kanë një qasje më akute sesa ata që jetojnë dhe punojnë këtu. Në këtë rast, ai përmend piktorin Robert Alija, i cili sjell temën e keqtrajtimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi. “Të gjithëve na kujtohet rasti kur në media u bë e njohur ngjarja që dy fëmijë adoleshentë detyroheshin nga policia greke të godisnin njëri-tjetrin. Piktori na sjell një punë që do të vazhdojë të realizohet me bashkëmoshatarët e atyre adoleshentëve në shkolla të ndryshme të Tiranës, për të krijuar një sekuencë të re xhirimi që është bërë në telefon. M’u duk një projekt interesant për problemet që përjetojnë shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë”, - thekson kuratori i “Onufrit” për këtë vit.