E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesë-padia e prefektit; Gjykata pezullon nga detyra drejtorin e Policisë Bashkiake

Gjykata e Tiranës ka pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë Bashkiake të kryeqytetit, pas kërkesë-padisë së prefektit Keltis Kruja. Gjatë shqyrtimit të kësaj padie, në seancën e djeshme gjykata mori parasysh argumentet e paraqitura nga kreu i Prefekturës së Qarkut përmes juristëve të tij, i cili e cilësonte si të pavlefshëm aktin e emërimit të Zyhdi Dajtit. Gjykata vendosi vetëm pezullimin nga detyra, pasi për më tepër do vijohet në seancat e ardhshme gjatë shqyrtimit të kësaj kërkesë-padie. Drejtori i pezulluar nga detyra është emëruar në këtë detyrë nga kryebashkiaku Edi Rama 2 muaj më parë, pas dorëheqjes së ish-drejtorit, Ndrec Deda, i cili drejtonte Policinë Bashkiake prej 7 vjetësh. Gjykata e Tiranës shqyrtoi dje kërkesë-padinë e Prefektit të Tiranës, Keltis Kruja, e depozituar pak ditë më parë, për pavlefshmëri të aktit të emërimit të drejtorit të Bashkiakes, ku i paditur është kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Gjatë seancës, juristët e Prefekturës kërkuan pezullimin nga detyra të z. Zyhdi Dajtit deri në përfundimin e gjykimit. Kjo kërkesë u pranua nga trupi gjykues, i cili vendosi ta shqyrtojë këtë kërkesë në seancat në vijim. Prefekti Kruja pretendon se kryebashkiaku Rama ka thyer ligjin dhe procedurat në emërimin e Dajtit. Është gjykata ajo që do të vendosë mbi këtë çështje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›