A i menaxhojmë mirëfilli financat personale?
Dëshirat e pakufizuara janë gjithmonë në peshore me të ardhura të limituara. Duke qenë se janë gjithmonë në raport të zhdrejtë, vihemi përpara përgjegjësisë për të bërë balancime dhe për të marrë vendime që mbase jo gjithmonë i nënshtrohen planeve dhe logjikës. Ajo që lipset në këto raste është që së pari të vendosim objektiva ,objektiva të cilat më pas duhet t’i nënshtrohen studimit të disa elementëve si : koha,apo risku se cila nga objektivat duhet të marrë prioritet për t’u realizuar. Koha për t’i dhënë jetë planeve gjykohet si më e rëndësishmja për të arritur aty ku duam. Kur je i ri në moshë merr përsipër risk më të madh dhe mund të realizosh gjithçka në pak kohë ashtu si edhe anasjelltas, ndërsa njerëzit e grup-moshave të tjera marrin përsipër një risk relativisht më të ulët rreziku për të cilin nuk shënon një humbje të madhe. Kemi 2 lloj kategorish njerëzish : ata të cilët zgjohen në mëngjes dhe një natë më parë kanë bërë një bilanc javor apo ditor të shpenzimeve dhe të ardhurave që kanë qarkulluar ,kanë kursyer “1dollar” në ditë që më pas ato të shtohen gradualisht, përdorin një kartë krediti për të shmangur cashi-in për dy arsye: për të evituar humbjen e parave dhe për të parandaluar sa më shumë blerje jo të domosdoshme por që tendenca për t’i pasur shpesh është më e madhe kur paratë i kemi në xhep. Dhe nga ana tjetër është ai grup i cili e nis ditën me plane të rastit, që rend në kafen e parë për të hulumtuar mes gazetave apo revistave, se ku do të drekojë, se çfarë do të blejë për kapriço në çastin më të afërt apo se ku do të bëjë pushimet e të disata brenda vitit. Por çfarë është e rëndësishme të dimë në fakt mbase jo për të mësuar për të kursyer por për të mos keqpërdorur financat personale?Ligji numër një edhe pse jo i shkruar do të ishte të mos zhbalancojmë raportin- të ardhur/ shpenzime. Ajo që duhet të kuptojmë me këtë është se nëse kemi 10 dollarë të paktën 1 dollar duhet të shkojë për kursim dhe pjesa tjetër të menaxhohet për konsum. Por menaxhimi për konsum si duhet kuptuar? Të menaxhosh të ardhurat e konsumit mund të perceptohet në forma te ndryshme por parimisht të gjithë do të ishin të një mendimi se pagesat e para që duhet të kryejë një individ mes shumë detyrimesh janë taksat dhe pagesat kundrejt shtetit për të gjitha shërbimet publike që përfitojmë. Më pas mund të vijohet me të gjitha të tjerat si: shpenzime për ushqim, për shkollim dhe mirëmbajtje, që vlerësohen si 3 më të rëndësishmet dhe më pas gjithçka është subjektive. Përgjithësisht mundohemi të menaxhojmë financat kur gjendemi papritur përballë zgjidhjes së disa problemeve të cilat marrin fund me ca para. Të dish apo të mësosh gradualisht të menaxhosh financat personale është një vlerë në fakt që shtohet gradualisht në rritje dhe që i shërben një zinxhiri njerëzish: i shërben në radhë të parë vetë personit. Me një menaxhim të mirë të parave mund të zgjohesh mbase jo i pasur por mund të zgjohesh pa borxhe. Me një menaxhim të mirë i shërben familjes. Familja nuk ndien barrën e të kujdesurit pafundësisht. Dhe në fund i vlen shoqërisë, si një nga vlerat e vetme që shumë njerëz i çon edhe drejt menaxhimit të fondeve që tejkalojnë në vlerë financat personale.