Ratifikimi nga Shqipëria i Konventës të KiE dhe lufta e përbashkët kundër dhunës në familje
Qeveria shqiptare vitet e fundit është fokusuar fuqishëm në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, ku përfaqësuesit më të lartë të Shtetit, institucioneve qendrore, deputetët dhe shoqëria civile, kanë bashkërenduar përpjekjet për ideimin e një fushate disavjeçare sensibilizimi dhe për reformimin e legjislacionit vendas në fushën e barazisë gjinore dhe kundër dhunës me bazë gjinore. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka luajtur një rol kryesor, duke koordinuar përpjekjet e të gjithë aktorëve si për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e publikut, edhe në ndërmarrjen e nismave për plotësimin e kuadrit ligjor, ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të profesionistëve, ngritjen dhe konsolidimin e strukturave në nivel qendror dhe lokal.
Reforma politiko-legjislative e rendit tashmë Shqipërinë si një ndër vendet me ligjin më arrirë të luftës kundër dhunës në familje, vlerësim ky i përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, por jo vetëm.
Dhuna ndaj grave është një fenomen mbarëbotëror dhe përbën një ndër format më serioze të shkeljes të së drejtave të njeriut me bazë gjinore në Evropë, ku një në katër gra deklarojnë se gjatë jetës së tyre kanë përjetuar të paktën një herë dhunë fizike të ushtruar nga një prej anëtarëve të familjes. Në Shqipëri ky fenomen përbën një problem tepër shqetësues, por nuk është i ri, pasi i ka rrënjët e thella, veçanërisht në traditën dhe kulturën thellësisht patriarkale të shoqërisë. Bazuar në këtë shqetësim në Shqipëri, që nga viti 2006, ka pasur një përparim të dukshëm në hartimin dhe miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore për barazinë gjinore, antidiskriminimin dhe dhunën në familje. Miratimi në vitin 2006 i Ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, pasuar në 2008 nga miratimi i Ligjit “Për barazinë gjinore në shoqëri” dhe në 2010 nga Ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, përbën bazën në hartimin e një legjislacioni të plotë dhe në përputhje me standardet më të mira në fushën e të drejtave të njeriut, mbrojtjes nga diskriminimi, dhe kundër dhunës me bazë gjinore. Një nismë e rëndësishme në fushën përmirësimeve ligjore ishte edhe miratimi në fillim të këtij viti nga ana e Kuvendit të ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat sollën ashpërsimin e dënimeve për dhunën në familje, ku për herë të parë dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje trajtohet si vepër penale. Politikat institucionale kanë avancuar edhe me miratimin e akteve nënligjore në aspektin e buxhetimit gjinor, duke krijuar hapësirat që çdo ministri të parashikojë buxhet specifik për barazinë gjinore dhe dhunën në familje. Sapo kemi përfunduar rishikimin e Kodit të Punës, ku dispozita të rëndësishme, shtesa dhe amendamente të reja janë parashikuar lidhur me çështje të barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit në punësim. Nga viti 2011 është miratuar ngritja e mekanizmit për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare në nivel lokal. Reagimi i koordinuar kundër dhunës në familje, ku bëjnë pjesë institucionet e Prokurorisë, Gjykatave, Policisë së Shtetit dhe të gjitha zyrat që ofrojnë shërbime, vepron tashmë në 24 Bashki dhe po punohet për shtrirjen e këtij sistemi edhe në njësitë e tjera të qeverisjes vendore. Ngrita e kapaciteteve të profesionistëve që punojnë me problematikën e dhunës në familje është arritur falë trajnimeve të vazhdueshme të gjyqtareve, prokurorëve, përmbaruesve gjyqësorë, punonjësve të policisë, punonjësve socialë, punonjësve të shëndetësisë, specialistëve të administratës publike në nivel qendror vendor, numri i të cilëve ka arritur në mbi gjashtë mijë. Sigurimi i një mbrojtjeje të veçantë për viktimat, parashikuar nga legjislacioni, ka angazhuar burime njerëzore dhe financiare nga institucionet përgjegjëse në këto vite, ku arritje të veçantë përbën ngritja dhe vënia në funksionim gjatë 2011 e Qendrës së parë Kombëtare për viktimat e dhunës në familje, mbështetur nga UN. Në bazë të Ligjit njësitë e qeverisjes vendore kanë detyrimin për të ngritur strehëza dhe linjën 24-orëshe në territorin e tyre, por aktualisht në Elbasan, Shkodër, Vlorë dhe Sarandë këtë shërbim e mbulojnë OJF-të e specializuara, të cilat tashmë mbështeten edhe me fonde buxhetore. Për t’i ardhur në ndihmë dhe për të rritur mbështetjen për viktimat e dhunës, Ministria ka ndërmarrë edhe hapa të tjera ligjore si, ndryshimet në Ligjin Për Ndihmën dhe Shërbimet Sociale ku viktimat e dhunës përfshihen në skemat e ndihmës ekonomike, ndërsa nëpërmjet zbatimit të programeve specifike për nxitjen e punësimit atyre u ofrohet formim profesional falas dhe prioritet në punësim. Reforma ligjore dhe institucionale që përmenda më sipër, fushatat e vazhdueshme sensibilizuese si dhe ofrimi i një mbrojtjeje më të madhe për viktimat kanë bërë që të rritet ndërgjegjësimi dhe dhuna në familje të mos konsiderohet më si një situatë e brendshme familjare dhe këtë e tregon shumëfishimi vitin e fundit të denoncimeve të rasteve të dhunës në organet kompetente. Nga sa përmenda më sipër, Shqipëria “shtroi” rrugën edhe për Ratifikimin e një prej dokumenteve më të reja dhe të rëndësishme ndërkombëtare në këtë fushë – Ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”. Ky dokument, nga njëra anë, është në përputhje me politikat dhe dokumentet strategjikë të Qeverisë së Shqipërisë për avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave dhe luftën me tolerancë zero kundër dhunës në familje dhe, nga ana tjetër, avancon në parashikimet për rritjen e mbështetjes për viktimat, ku në nenin 30 të Konventës njihet detyrimi i dhunuesit për të kompensuar viktimën, dhe në pamundësi ky kompensim do të bëhet nga vetë institucionet, ku tashmë Ministria e Punës ka parashikuar edhe fondet e nevojshme.
Shqipëria, me Ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës ditën e enjte në Kuvend me votat e të gjithë deputetëve prezentë në seancë, jo vetëm përmbushi një objektiv të rëndësishëm në luftën kundër dhunës, por dha edhe një tjetër provë të drejtimit me sukses të Presidencës së KiE, duke u bërë kështu vendi i dytë që e Ratifikon këtë instrument të rëndësishëm ligjor nga 47 vende anëtare.