E Shtunë, 31 Tetor 2026

A i plotësuan këto zgjedhje standardet dhe a do fitojë PD zgjedhjet e ardhshme?

Fondacioni gjerman Konrad Adenauer, i njohur për analizat e tij për situatën në Shqipëri, në një dokument të publikuar së fundmi, ngre pyetjen që shumë prej nesh kanë bërë së fundmi, a i plotësuan këto zgjedhje standardet e Bashkimit Europian?

Në të vërtetë në raport nuk flitet për standardet zgjedhore, edhe pse në njëfarë mënyrë ishte premtuar se do flitej se në çfarë mase u plotësuan ato.

Këto ishin zgjedhje më të mira lokale në historinë e Shqipërisë, por për standardet e BE mund të thuhet se ato u plotësuan në mënyrë shumë të kufizuar, thuhet në dokumentin e fondacionit.

Në raport analizohet rezultati zgjedhor nga pikëpamja e PD. Aty thuhet se koalicioni i drejtuar nga PD fitoi më shumë vota, por vetë PD mori më pak vota se PS në këto zgjedhje.

Në analizë paralajërohet një humbje e PD në vitin 2013.

Fitorja e PS në shumë qytete të mesme dëshmon se deri në zgjedhjet e ardhshme për parlamentin në vitin 2013, duhet punuar shumë për imazhin e qeverisë dhe PD-së si dhe për zbatimin e politikave në favor të qytetarëve- përndryshe PD nuk do ketë sukses në zgjedhjet e vitit 2013, thuhet në dokument.

Për rënien e votave të PD ka folur edhe Besnik Mustafaj në një të përditshme.

Ka marrë koalicioni ynë numër votash më të madh se koalicioni kundërshtar? Po, ka marrë. Statistikat janë kokëforta, dhe shyqyr! Por vetë Partia Demokratike, sipas të njëjtave statistika,  është tkurrur ndjeshëm dhe, në një ballafaqim shifrash me Partinë Socialiste, ne jemi shumë larg saj. A ka një arsye kjo rënie? Një parti e pjekur do të duhej ti jepte një përgjigje analitike kësaj pyetjeje dhe të përcaktonte fushat e veprimit të vet në të ardhmen e afërt e më tej. Nuk u bë kjo gjë. Ne nuk mund të shkojmë larg duke u fshehur pas flamurit të kuq të LSI-së e të disa partive të tjera të vogla, plotësisht të majta, me të cilat ishim në koalicion, tha Mustafaj.

Sipas Mustafajt, PD nuk fiton zgjedhjet me rrogëtarë.

Me dëshpërim të thellë e pohoj se nuk shoh rrugë tjetër që Partia Demokratike të mbijetojë si forcë politike dhe të shkojë në zgjedhjet e pranverës 2013 më njëfarë dinjiteti politik. Berisha ndoshta i beson autoritetit të tij të natyrshëm si Kryeministër për të mobilizuar energjitë e nevojshme për një fushatë elektorale. Gabohet! Asnjë fushatë elektorale kombëtare nuk përballohet, e aq më pak të fitohet mbështetur në armatën e punonjësve të shtetit. Në demokraci, por vetëm në demokraci ama, një fushatë elektorale përballohet e madje edhe fitohet vetëm në sajë të mobilizimit të armatës së militantëve, qoftë kjo armatë edhe shumë më e vogël numerikisht se gjysma e qytetarëve që do të shkojnë në kutitë e votimit, u shpreh Mustafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›