E Diel, 1 Nëntor 2026

Moodys publikon vlerësimin vjetor për Shqipërinë: Bonot tek kategoria e plehrave

Sot agjencia e njohur Moodys ka publikuar analizën vjetore të kreditimit për Shqipërinë. Sërish Shqipëria merr vlerësimin B1, që sipas The Guardian do të thotë se jemi në kategorinë e vendeve thellësisht spekulative sa i përket aftësisë për të kthyer borxhet. Shqipëria renditet njësoj si Vietnami e Republika Dominikane në këtë drejtim. Në këto kushte, bonot e Shqipërisë njihen si plehra në një cilësim të përdorur gjerësisht nga mediat e huaja.

Moodys thotë se fuqia financiare në vend është e ulët, pavarësisht se vendi ka bërë progres të dukshëm që nga viti 1990.

Sipas agjencisë, potenciali për rritjen ekonomike të Shqipërisë është i mirë, por kjo varet nga programi i reformave të qeverisë. Këto dy vitet e fundit, thuhet në analizë, rritja ekonomike ka qenë 3.5-4 përqind, ndryshe nga ajo e dekadës së shkuar që ishte 6 përqind. Moodys nuk harron të theksojë se Shqipëria tani është një vend me të ardhura të mesme dhe është në betejë me vende më të zhvilluara, me produktivitet të lartë.

Fuqia institucionale në Shqipëri vlerësohet si e ulët gjithashtu, duke iu referuar efektivitetit të qeverisjes. Çka të bie në sy është se thuhet se për nivelin e të ardhurave në Shqipëri, efektiviteti i qeverisjes është shumë i ulët.

Në analizë përmendet edhe kriza politike në vend, që po pengon integrimin në BE. Nëse do bëhej vend kandidat, thuhet në raport, vendi do merrte asistencë të zgjeruar nga BE për të forcuar institucionet.

Në analizë ngrihet alarmi për borxhin e qeverisë, duke thënë se është i lartë për një vend me nivel zhvillimi si Shqipëria.

Në raport vlerësohet si i qëndrueshëm sistemi bankar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›