E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka hyrë politika në normalitet?

Pas refuzimit për të dytin vit radhazi të Komisionit Europian ndaj dhënies Shqipërisë të statusit zyrtar të vendit kandidat për në BE, fi llimisht u .hqiptare, veçanërisht ajo me aksese dhe pjesëmarrje parlamentare, shumë shpejt do të reflektonte në përgjithësi për të arritur konsensus në përmbushjen e kritereve të caktuara prej Brukselit. Fillimisht u duk se mirëkuptimi midis palëve ishte plotësisht i mundshëm, kur u ngrit më së fundmi dhe pa shumë vickla një komision i përbashkët për reformën zgjedhore, me pozicione të barabarta të të dyja forcave politike kundërshtare më të mëdha. Sidoqoftë, pa vështruar çka ndodhi më pas dhe se si do të vijohet në të ardhmen, disa të ashtuquajtur “analistë” që vazhdimisht janë paraqitur përpara publikut si të njëanshëm në komentet ndaj krizës së zgjatur politike, madje si lajkatarë ose puthadorë të partisë në pushtet, nuk tregohen realistë, megjithëse ndoshta ndjehen të detyruar që ta vërtisin pakëz gjuhën apo penën e tyre.
Tani, kur nga Uashingtoni dhe Brukseli gishti drejtohet çdo ditë e shumë te përgjegjshmëritë e qeverisë shqiptare që kjo të tregohet transparente dhe të krijojë sa më tepër hapësira të nevojshme për bashkëpunim të ngushtë me opozitën, të ashtuquajturit “analistë” mjaftohen me fillesat e një reforme elektorale, për të vetpublikuar konstatime, sipas të cilave, politika shqiptare paska hyrë në normalitet. Mirëpo, a është vërtet kështu, aq sa të thuhet me plot bindje që së shpejti do të arrihen të gjitha objektivat e vendosura nga Bashkimi Europian?
Sigurisht, për cilindo të interesuar rreth një të ardhmeje më të mirë, është ende herët që t’i jepet pyetjes së mësipërme një përgjigje e saktë. Por, disa qëndrime të ditëve të fundit të lënë të dyshosh në seriozitetin dhe plotshmërinë e reflektimit të mazhorancës qeverisëse. Sepse, në një kohë që festimet e dy datave historike të nëntorit këtej dhe m’andej kufirit shtetëror të Shqipërisë trumbetojnë harmonizimin, bashkërendimin në nivel kombëtar të idealeve dhe rrugëve të zhvillimit, këtu përçarja bëhet evidente. Bëhet e tillë, kur ditën e Pavarësisë, Presidenti i Republikës e feston në Vlorë dhe shefi i opozitës në Prishtinë, kryeministri dhe vartësit e tij vazhdojnë ta njësojnë këtë ditë me atë të Çlirimit të vendit, duke zhvilluar më 28 nëntor homazhe te varrezat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste etj.. Këto mund të konsiderohen edhe si gjeste të rastësishme, apo për shkak të mungesave aksidentale të aranzhimeve protokollare. Por, që të konsiderohen kështu, s’do të duhej të ta ndërprisnin vështrimin gjurmët e viteve të kaluara, sikurse nuk do të shoqëroheshin me deklarata dhe qëndrime konfliktuale rreth këtyre ditëve.
Në këtë kuadër, ajo që ka tërhequr më së shumti vëmendjen, ishte seanca e fundit plenare në Kuvendin e Shqipërisë, kur gjatë një ditë-mbrëmjeje të tërë, deri në mesnatë, mazhoranca nuk mori parasysh asnjë propozim të opozitës për miratimin me korrigjimet e domosdoshme dhe realiste të Projektbuxhetit të shtetit për vitin 2012. Kështu, edhe një herë tjetër u vërtetua më miri, se këtu Parlamenti përdoret si një forum për retorikë dhe si teatër pa përmbajtje, se Parlamenti, në vend që të jetë vendi i kompromiseve, pothuajse gjithmonë shndërrohet në terren për fyerjet ndaj të tjerëve. Jo vetëm kaq, por kryeministri edhe së fundmi u lejua që të replikonte përbuzshëm në gjuhën e thashethemeve me çdo deputet të opozitës, duke të kujtuar ato gratë provinciale qëmoti, të cilat ulur mbrëmjeve mbi sofatet e sokakëve, përgojonin pa qeder fare tërë komshinjtë e mëhallave të tyre.
Dhe, një gjë e tillë ndodh pikërisht kur dispozitat kushtetuese i sigurojnë opozitës një status që u përgjigjet kritereve demokratike, të cilat ekzistojnë edhe në vendet e tjera. Por, siç është thënë e stërthënë vazhdimisht, përveç karakterit demokratik të këtyre dispozitave, rëndësi vendimtare ka gjendja faktike ku vepron opozita dhe nëse pasqyron kjo gjendje në çdo rast, kriteret e përcaktuara formalisht edhe në Ligjin Themelor të Shtetit. Vështruar vetëm sallën e Kuvendit gjatë dy legjislaturave të fundit, kushdo ka vërejtur mospërfillje sistematike të propozimeve të opozitës në diskutimet e projektligjeve të ndryshme. Për më tepër, nga Kryetarja e Kuvendit në këto dy legjislatura, po aq sistematikisht është lejuar ky Kryeministër që të bëjë pa kurrfarë kufizimi kohor jo vetëm replika, por edhe kërcënime të vazhdueshme (për marrje jete, deformim surrati, nxirje të tij më shumë se sa këpuca etj., etj.) sa herë që një deputet i opozitës zë në gojë atë, qoftë edhe shkarazi, apo emrin e ndonjë pjesëtari të familjes së tij.
Këto dhe plot të tjera shfaqje të shëmtuara e të rrezikshme të pluralizmit sipërfaqësor shqiptar, të shtyjnë të besosh që hyrja e politikës në normalitet do të varej, siç është vënë në dukje nga konstitucionalistë me prestigj apo autoritet, edhe nga bërja e një reforme parlamentare. Dhe, në këtë drejtim, edhe nga hartimi dhe miratimi i një ligji organik me tri të pestat e votave për Kuvendin e Shqipërisë, ashtu sikurse kërkohet për të gjitha institucionet kushtetuese. Ndërsa, Rregullorja (siç arsyetohet nga opinioni më i kualifikuar në këtë fushë) që miratohet me shumicën absolute, do të bënte zbërthimin e hollësishëm të parimeve që mund të shpreheshin në ligjin organik. Kurse, po qe se qenia e këtij të fundit do të konsiderohej e tepërt, atëherë votimit prej tri të pestave do të duhej t’i nënshtrohej një rregullore e re e Kuvendit, përmbajtja dhe zbatimi i së cilës, si akt normativ, do të mbronte më mirë të drejtat e opozitës dhe do të siguronte deri diku frymën e konsensusit midis shumicës dhe pakicës.
Nëse deri para pak kohësh argumenti kundërshtues i kësaj kërkese të domosdoshme për fazën e brishtësisë së demokracisë së këtij vendi ka qenë fakti se në mjaft vende europiane parlamentet funksionojnë nëpërmjet rregulloreve të tyre, tashmë kryeministri bën sikur bie dakord për ndërmarrjen e një mase të tillë. Themi “bën sikur”, ngaqë këtë dakordësi ai e përkufizon si një sfidë ndaj të gjithë kundërshtarëve të vet politikë, si ndaj deputetëve të opozitës, po ashtu edhe ndaj ndonjë oponenti të mundshëm brenda radhëve të grupit apo krahut të vet parlamentar, vota e të cilit mund të ndikojë sidomos në rrjedhjen e këtij grupi apo krahu, duke rrezikuar mandatin qeverisës aktual. “Ta bëjmë, – shprehet me të madhe kryeministri, – ta bëjmë, duke dubluar Rregulloren e Parlamentit Europian”. Dhe, megjithëse disa argumente që kundërshtojnë këtë variant janë shprehur gjatë kohëve të fundit në qarqet e juristëve dhe në përgjithësi të intelektualëve të vendit, madje edhe në faqet e “Gazetës Shqiptare”, asgjë nuk e ka tundur vendit Zotin Kryeministër. Nuk dimë se si do të reagojë ai këtej e tutje, mbasi një stacion televiziv shumë i ndjekur në vendin tonë transmetoi që nga Brukseli intervistën e kryetarit të Delegacionit për Ballkanin Perëndimor të PE–së, i cili e konsideroi këtë “angazhim” të liderit të mazhorancës sonë qeverisëse si një absurditet, si diçka që nuk shkon për Kuvendin e Shqipërisë, përderisa Parlamenti Europian ka tjetër strukturë etj..
Por, pse, nuk e di këtë kreu i Partisë në pushtet të këtij vendi, që nën udhëheqjen e tij ka mbetur në të gjitha drejtimet më mbrapa nga të tëra shtetet me sovranitet të plotë në Rajon? Sigurisht që e di, por do të ishte naivitet politik të mos kuptoje hallin e tij, që kopjimi i Rregullores së Parlamentit Europian do t’i shërbente forcimit të pozicionit të vet të mëtejshëm, që karakterizohet, krahas disa tipareve negative, edhe nga dhuna verbale, procedurale dhe vendimmarrëse në Kuvend. Do t’i shërbente forcimit të këtij pozicioni, duke i dhënë mundësinë e mbajtjes prej tij nën kontroll të rreptë të votave të përfaqësuesve parlamentarë nën siglën e këtij koalicioni. Votimi i hapur (siç procedohet në seancat e PE-së,- këtij organi mbikombëtar, ku eurodeputetët e zgjedhur nga të 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian realisht ratifikojnë ligjet e paraqitura), nuk motivohet aspak nga nevoja për transparencë, që nuk “u marrkërka parasysh” nga kushtetutat e një sërë vendesh europiane (midis tyre edhe ajo shqiptare), në të cilat parashikohet votimi i fshehtë për emërimin dhe zgjedhjen e kandidatëve në disa funksione të larta, si ai i Presidentit të Republikës.
Pa u shprehur më tej për disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me reformën parlamentare dhe demokratizimin rrënjësor të procesit ligjvënës, nuk mund të mos theksohet së fundmi përsëri, se është ende herët të thuhet që politika shqiptare ka hyrë në normalitet. Skepticizmi për mundësinë e dhënies së një përgjigjeje të saktë mbi pyetjen e shtruar që në titullin e këtij artikulli, mund të tretet e zhduket vetëm pas një vargu veprimesh dhe sanksionimesh disa mujore. Jo më kot është thënë që pranvera nuk vjen me një lule.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›