E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Mirit të Xhikes, dënohet me 20 vjet burg Lavdërim Tufa

TIRANË-Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor duke dënuar me 20 vjet burg Lavdërim Tufën, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Fatmir Rama, i njohur ndryshe me nofkën, Miri i Xhikes.
Përballë kërkesës së prokurorisë që kërkoi burg përjetë për Tufën, trupi gjykues e cilësoi Tufën si bashkëpunëtor në vrasjen e trefishtë që ndodhi në kartodromin në zonën e Lundrës para disa vitesh duke e dënuar me 20 vjet.
Ndaj Tufës ra akuza e armëmbajtjes pa leje me argumetnin që në armën e gjetur pranë vendit të ngjarjes nuk u gjetën gjurmë të Lavdërim Tufës.

Vrasja e Fatmir Ramës ka ndodhur më 29 mars te vitit 2003, rreth orës 19:50, brenda lokalit të tij "Kartodrom 2000", ku ai shikonte ndeshjen Shqipëri-Rusi. Në atë moment, Miri i Xhikes ka qenë në shoqërinë e Ylli Kelmendit, Flamur Rrapajt, Kristaq Camit e Julian Durishtit. Dy persona të maskuar qëlluan me breshëri kallashnikovi, duke zbrazur mbi ta 60 gëzhoja dhe më pas u larguan. Për pasojë, u vranë tre persona, Kristaq Cami, Julian Durishti si edhe Fatmir Rama, ndryshe Miri i Xhikes. I vetmi që reagoi ndaj atentatorëve ishte Ylli Kelmendi, mik i Fatmir Ramës, i cili qëlloi me pistoletë drejt atentatorëve, duke plagosur njërin prej tyre. Gjetja e njollave të gjakut në disa vende, rruga që kishin përshkuar tregonte se autorët e njihnin mirë zonën dhe rrugicat për t’u fshehur nga ndjekja prej policisë, ngriti dyshimin për Lavdërim Tufën.
Tetë muaj më vonë, më 26 nëntor të 2004-s, u arrestua Lavdërim Tufa. Prova që e implikon atë ishte përputhja rreth 90% e ADN-së së tij me një fije floku, që u gjet në maskën e hedhur nga njëri prej atentatorëve. Më datën 21 maj të vitit 2009, Gjykata e Lartë vendosi që të rikthejë dosjen për rigjykim në Gjykatën e Tiranës, duke e shpallur jokompetente Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Sipas arsyetimit të Kolegjit të Bashkuar, këto dy gjykata nuk kanë pasur hapësirave ligjore për ta gjykuar këtë dosje. Ndërkohë që u konstatuan edhe shkelje të shumta procedurale.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›