A ka kryebashkiak Tirana?
Lulzim Basha, kryebashkiaku i Tiranës, mblodhi dje në një drekë deputetët e PD-së për Tiranën si dhe katër ministra. Edhe pse në mediat pranë tij thuhet se kjo drekë ishte për të diskutuar hallet e Tiranës, është e qartë se ajo është një shfaqje force politike kundrejt rivalëve të Bashës brenda PD-së.
Që kur ka ardhur në krye të detyrës, ne akoma nuk kemi parë një kryebashkiak të Tiranës, një menaxher që merr situatën në dorë dhe bën diçka për qytetin. Më së shumti kemi parë një figurë politike që i pëlqen të japë mesazhe force brenda PD-së si vizita në Uashington apo edhe dreka të tilla.
Deri më tani përveç ndryshimit të projektit të Sheshit Skënderbej, me kosto disa miliona euro dhe që po hetohet nga prokuroria, Basha ka ofruar vetëm dy-tre shfaqje si ajo e hipotekave apo pritjet në Bashki.
Qyteti duket më i mjeruar që kur Basha erdhi në krye të Bashkisë. Madje edhe televizionet pranë tij po ankohen se si askush nuk po kujtohet për gropat që hapen në rrugë çdo ditë. Buxheti trefish më i madh se ai i Edi Ramës ende nuk shihet askund në sfond. Bashën nuk e kemi parë asnjëherë në një shkollë, çerdhe, rrugë apo ambient çlodhës. Në vend të kësaj kemi në krye të Bashkisë një njeri që bën spastrime si ato që kemi botuar së fundmi në emër të PD-së. Dhe ta mendosh se premtoi që në fillim të herës se do mundohej ta mbante larg Bashkinë nga ndikimet politike. Hipokrite.