E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mima: Edhe në Perëndim i kanë zili mbledhjet e grupit parlamentar të PD

Share

Në lidhje me deklaratat e Oketës se mbledhjet e grupit të PD janë si ato të Byrosë Politike, Mima tha se vetëm të hënën ishin katër deputetë të grupit parlamentar që e pyetën Berishën. Ai shtoi se dhe në Perëndim i kanë zili mbledhjet e grupit parlamentar të PD

Një deputet i Partisë Demokratike, Florion Mima, duke folur për Shqip, thotë se është i bindur që presidenti i ri do zgjidhet me konsensus maksimal. Kam bindjen absolute që presidenti, si kryedinjitari i vendit, do të zgjidhet jo vetëm në përputhje me Kushtetutën, por edhe me konsensus maksimal. Ai do të jetë një figurë që përfaqëson vetitë më të vyera të shqiptarëve dhe që do ti bëjë nder presidencës jo vetëm duke bashkëpunuar me palët, por edhe duke i prezantuar shqiptarët me dinjitet në botë. Ka shumë emra në eterin politik për momentin dhe unë besoj se më i miri i tyre do të jetë ai që do të bashkojë shqiptarët më në fund, tha Mima.

I pyetur për largimin e Gazmend Oketës, Mima thotë se Oketa ka qenë një zë i civilizuar dhe i qetë në politikë. Por ai shton se PD është forca më demokratike, më e hapur dhe më patriote në tregun politik shqiptar. Në lidhje me deklaratat e Oketës se mbledhjet e grupit të PD janë si ato të Byrosë Politike, Mima tha se vetëm të hënën ishin katër deputetë të grupit parlamentar që e pyetën Berishën.

Madje Mima tha se edhe në Perëndim i kanë zili mbledhjet e grupit parlamentar të PD. Gjykoj, nisur edhe nga njohuritë e mia modeste në këtë fushë, se edhe parti të tjera të qendrës së djathtë ndjekin pothuaj të njëjtin model ku kreu i ekzekutivit raporton përpara grupit kuvendor lidhur me aktivitetet dhe reformat e ndërmarra. Madje, shtoj pa frikë se periodicitetin dhe frekuenca javore shqiptare shihet me zili edhe nga mjaft kolegë perëndimorë.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›