A ka patur familje fisnikësh me mbiemrin Albani?
Po, ka patur. ALBANI ishte familje me origjinë shqiptare që i ka dhënë kishës shumë kardinalë si dhe Papën Klement XI. Kjo familje shqiptare u vendos në Itali më 1464, kur Mihal Laçi (njihet edhe si Mihal Lazaj) la Shqipërinë dhe u vendos në Urbino, ku dy djemtë e tij, Jorgo dhe Filip morën mbiemrin Albani. Kjo familje, siç duket fisnike, u përshtat shpejt me Italinë dhe u lidh me familjet e njohura të kohës. Prej saj lindën dhe u rritën disa figura të shquara si Horacio Albani dhe Karlo Albani. Ky i fundit ishte babai i Xhovan Françeskos, që njihet si Papa Klementi XI. Një nga figurat e ndritura të familjes Albani ka qenë edhe Xhan Fraçesko Albani, kardinal, i njohur si njeri i drejtë dhe i ditur. Xhuzepe Albani i nipi i të mëparshmit ka qenë kardinali i tretë që ka nxjerrë familja shqiptare Albani.Kjo familje u shpërbë në vitin 1852me vdekjen e princit Filip. Një degë tjetër e kësaj familjeje ka qenë vendosur në Bergamo. Prej saj lindën gjithashtu disa figura me emër si Xhan Xhiralomo Albani, autor i veprave të njohura fetare. Edhe ky në vitin 1570 u bë kardinal.
A ka territore të tjera me emrin Albania sot në botë?
Është e vërtetë që ka disa territore në planet që kanë emrin Albania, ose të përafërt me këtë. Disa prej tyre nuk egzistojnë më, të tjerët përfshirë Shqipërinë, janë ende në hartë dhe në dokumentacionet e kohës.
Një prej tyre ka qenë ajo që njihet si ALBANIA KAUKAZIANE. Bëhet fjalë për një shtet në zonën e Kaukazit Lindor, që ka egzistuar nga fundi i shekullit I deri në shekullin X pas Krishtit. Kryeqytet pati qytetin me emër Kallaba.
Ka edhe dy territore të sotme që njihen me emrin Albany. Me këtë emër, pra Albany, njihet një lumë në Kanada me gjatësi 981 km.
Albany quhet edhe një qytet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që shtrihet buzë lumit Hudson dhe ka rreth 103 000 banorë.