E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjaft Operës pa repertor

 
Zgjidhet bordi i Teatri Kombëtar të Operës dhe Baletit. Sipas deklaratës së tij të parë ky bord shpall si qëllim rikthimin e repertorit
Jo teatër projektesh por një teatër repertori. Ky është shpallur si synim i bordit të ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i cili para pak ditësh pati mbledhjen e tij të parë. Një nga anëtarët e bordit, Agron Xoxa, thotë se detyra e parë e bordit ka për të qenë bashkëpunimi me drejtuesit e TKOB-it për përmirësimin e raportit mes repertorit dhe projekteve. Xoxa është për teatrin e repertorit, për rivënien e veprave, që për vite nuk shfaqen. "Është amortizuar repertori. Shumë skenografi janë dëmtuar, disa janë përdorur për të tjera vepra. Momentalisht po punohet nga ana e skenografit, (njëkohësisht nëndrejtor i TKOB-it) për të nxjerrë nga fondi ato skenografi të operave, që mund të ngjiten në skenë, si "Traviata", "Berberi i Sevilies", "La Boheme", etj.", - na tha Xoxe i cili mban njëherësh postin e këshilltarit për muzikën të ministrit të Kulturës. Ai shton se duhet me doemos të ndiqen eksperiencat e teatrove kombëtarë botërorë, të cilët kanë prioritet repertorin e më pak premierat. "Premierat e njëpasnjëshme sjellin amulli", tha anëtari i bordit të ri. "Veprat humbasin pas 5 shfaqjesh, ndërsa spektatori dëshiron të shohë vazhdimisht vepra të tipit "Cavalleria Rusticana", "Traviata", "La Boheme", etj, etj.
Xoxe nuk mund të mohojë se janë premierat ato që e kthejnë vëmendjen ndaj operës, siç ka ndodhur viteve të fundit, kur në skenën e këtij teatri kombëtar janë vënë në skenë një numër i konsiderueshëm premierash (9 vetëm gjatë vitit 2007) dhe vihet re një rikthim i dukshëm i publikut në sallën operistike. "Premierat janë kulmi i kalendarit. E gjithë vëmendja e spektatorit drejtohet tek ato." Ai e quan "uri" të postkomunizmit ngjitjen në skenë të premierave të vazhdueshme dhe që ndryshuan raportin me repertorin. Të tjera pika që bordi kërkon t'i vërë në funksionim apo t'i ndryshojë janë audicionet dhe testimi i gjendjes së trupave artistike. "Nuk ka reforma spektakolare, por do të jetë një hap drejt decentralizimit", - thotë ai.
Në bordin e ri bëjnë pjesë drejtori i TKOB, Zhani Ciko, në pozicionin e kryetarit, Agron Xoxa, këshilltar i ministrit të MTKRS-së, muzikantët Ibrahim Madhi dhe Arben Llozi dhe këngëtari lirik Agim Duro. Deri dy ditë më parë, në vend të këtyre të fundit figuronin emrat e Fisnik Brovinës dhe Kristi Andonit, gjithashtu këshilltarë të ministrit të Kulturës, Ylli Pango.
Për shkak të pozitave të interesit ku i vë anëtarët pjesëmarrja në bordin artistik të Operës dhe Baletit, mësohet të ketë pasur një lloj "qëndrese" nga ana e drejtuesve të teatrit, pasi me tre këshilltarë në bord, dukej se institucioni do të varej tërësisht nga ministria. Është pushteti i votës. Kjo është arsyeja pse dy ditë më parë, Pango miratoi dy emra të rinj, po nga fusha e muzikës (edhe pse jo emra të spikatur në fushat që përfaqësojnë), ndonëse Xoxe e pranon se në momente të caktuara, ka nevojë edhe për borde "politike".
Në bazë të Ligjit "Për artin skenik" anëtarët e bordit propozohen nga drejtori i TKOB, jashtë institucionit. Megjithatë mësohet që ky i fundit të mos ketë qenë aspak në dijeni të anëtarëve të zgjedhur, si në "raundin" e parë, ashtu edhe në të dytin. Thjesht dhe vetëm ekskluzivitet i ministrit.
Ky bord do të ketë për detyrë të miratojë kalendarin artistik, rregulloren e përgjithshme, pjesëmarjen në aktivitetete kombëtare dhe ndërkombëtare, të monitorojë audicionet. "Brenda kompetencave që i jep ligji, ky bord do të punojë për të ndarë një pjesë të detyrave artistike dhe për të kryer transparencën financiare të gjithë veprimtarisë së institucionit", - shpjegon Xoxe.
Bordi nuk ka të drejtë të marrë vendime me karakter financiar, por edhe mund të verë kritere, si në rastin e vlerësimit artitik dhe në marrëdhëniet me të tretët, në donacione dhe sponsorizime projektesh. Në mbledhjen e radhës diskutohet me urgjencë kalendari i këtij viti kur duhej të ishte gati tashmë.
Deri më sot bordet artistike, jo vetëm të TKOB-it, por edhe të institucioneve të tjera kombëtare kanë funksionuar në hije, për të mos thënë që kanë qenë tërësisht inferiore. Bordi i sapozgjedhur në TKOB, synon të jetë aktiv dhe të shpërndajë kompetencat e drejtorit. Nëse do të jetë një bord për të shpërndarë, apo për të hequr kompetencat e drejtorit, kjo mbetet për tu parë. Ka zëra që drejtuesit e këtyre institucioneve që deri më sot emërohen dhe shkarkohen nga kryeministri, të jenë në dorë të këtyre bordeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›