Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipërisë
Prezantohet sot në orën 11.00, në Qendrën Ndërkombëtare e Kulturës libri "Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipërisë", me autor prof. dr Rexhep Krasniqin. I lindur në Gjakovë më 1906, autori u formua në Shkodër dhe në Vjenë. Më 1934 mbrojti doktoraturën me këtë veprën që i prezantohet sot lexuesit, dhe këtë tezë ai e mbron duke pasur për relator prof. Dr. Carl Patsch, arkeolog dhe albanolog i njohur që kish udhëtuar në Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore.
Pas studimeve Krasniqi u kthye në Atdhe dhe punoi profesor i historisë dhe gjeografisë në shkollën e qytetit të Gjirokastrës. Më 1939 u emërua Drejtor i Arsimit. Më 1941, është Komisar i Naltës i shkollave shqipe në Kosovë si dhe drejtor i Gjimnazit të gjuhës shqipe në Prishtinë. Më 1943, merr pjesë në Qeverinë e Mehdi Frashërit si Ministër i Arsimit. Lidhur me shërbimet e tij, ndër shkollat shqipe, në Shqipërinë Verilindore, jashtë kufijve politikë të shtetit Shqiptarë, me 1994 Prof. Krasniqi u dekorua nga presidenti Sali Berisha me Urdhrin "Naim Frashëri" i Klasit të Parë.
Në vitin 1943 zgjidhet Kryetar i Kuvendit Kombëtar (Parlamenti), ku për të parën herë morën pjesë përfaqësuesit e zgjedhur me votat të lira. Në këtë Kuvend, shpallet bashkimi i tokave të zaptuara me shtetin shqiptar si dhe pavarësia e neutralitetit të Shqipërisë përkundrejt fuqive luftuese. U zgjodh dy herë nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizerenit kur ajo drejtohej nga Musa Shehu dhe Xhafer Deva.
Më instalimin e regjimit komunist largohet përgjithmonë nga atdheu dhe emigroi së bashku me grupin kosovar të "Lidhjes së Prizerenit", në Siri dhe më vonë në Australi. Nga fundi i vitit 1956, thirret prej Ministrisë së Jashtme Amerikane për të marrë pjesë në riorganizimin e formimit të Komunitetit "Shqipëria e Lirë" me qendër në Nju Jork dhe zgjidhet Kryetar i Komunitetit të cilin e drejtoi për 35 vjet deri në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.
Në tetor 1996 gjendja e tij shëndetësore keqësohet. Vdes më 13 shkurt 2000 duke i lënë dhuratë Federatës "Vatra" në SHBA bibliotekën e pasur si dhe mijëra faqe studime në fushën e historisë dhe të albanologjisë, të cilat presin për t'u botuar.
Ishte dr. Fejzi Domini, miku i vjetër i dr. Krasniqit, që mori përsipër përkthimin e tekstit të doktoraturës në gjuhën shqipe "Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipërisë" i cili prezantohet sot për herë të parë.