Përcillet përgjithmonë Fadil Paçrami
Dramaturgu Fadil Paçrami u përcoll dje për në varrezat e Sharrës, rreth orës 13.00. Asnjë ceremoni zyrtare dhe as njoftime në media, zgjedhje e familjarëve. "Njeriu duhet të vlerësohet sa është gjallë", - mësohet të ketë thënë i biri, mbajtës i amaneteve të të atit. Fadil Paçrami që u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare, të hënën më 14 janar, është përcjellë përgjithmonë nga dhjetëra njerëz. Deri në atakun e fundit, të pakthyeshmin, Paçrami punonte në studion e tij, në një vilë në periferi të Tiranës, ku jetonte bashkë me të shoqen dhe të birin. Një nga miqtë e tij, regjisori Namik Ajazi, i cili dy vjet më parë realizoi dokumetarin "Drama, Fadil Paçrami", thotë se ishte aktiv deri në momentet e fundit dhe priste me padurim t'i botoheshin dy vepra studimore. "Iku i dëshpëruar që nuk mundi të shohë të botuara dy studime, një për Eskilin dhe një për Shekspirin", - thotë Ajazi. Bëhet fjalë për "Panoramë për Shekspirin" dhe "Pasqyrë për Eskilin"
I dënuar si liberal që "nxinte realitetin" në dramat e tij, Paçrami ka shkruar vazhdimisht, edhe në burgun e Burrelit ku vuajti dënimin me të tjerë që patën të njëjtin fat më 1974, pas Pleniumit IV. Aty shkroi 15 drama. Botimi i katër dramave më të fundit thuhet të ketë qenë një nga amanetet që i la të birit. "Nuk iku me pengje, përveç dëshirës për të parë veprat e tij në skenë, gjë që e dinte që ishte e vështirë, pasi kërkohet mbështetje financiare", - thotë regjisori. Një nga dramat e tij më të dashura ishte "Karriget", një dramë-satirë mbi tundimet e njerëzve ndaj pushtetit. "Aktiviteti dramaturgjik i Paçramit nuk mund të shihet i shkëputur nga aktiviteti politik" do thoshte regjisori Mihal Luarasi. "Ka qenë nga dramaturgët kryesorë të Teatrit Popullor dhe pothuaj të gjitha dramat e tij të shkruara në frymën e realizmit socialist, janë vënë në skenë nga regjisori Kujtim Spahivogli". Luarasi që po ashtu u dënua pas Pleniumit IV pohon se ndër veprat më të forta të Paçramit janë "Ngjarje në fabrikë", "Shtëpia në bulevard" apo "Çështja e inxhinier Sajmirit", kjo e fundit me regji të Luarasit e vënë në skenën e teatrit të Durrësit. "Kjo ka qenë një dramë ndryshe nga të tjerat. Ai s'mund ta deklaronte këtë. Paçrami ka dashur të jetë novator dhe them se me një dramë si "Shtëpia në bulevard" vepër që pati plot kundërshtarë ka guxuar të flasë për probleme që vështirë të flitej në atë kohë, si aborti. Vepra u kritikua për "gabimet ideologjike"", thotë Luarasi.
Në një intervistë dhënë për "Shekullin" dy vitet e fundit, vetë Fadil Paçrami, i pyetur për rolin si funksionar i lartë i regjimit do të përgjigjej: "Unë jam munduar t'i shërbej kulturës shqiptare, emancipimit të shoqërisë. Dramaturgjia në veçanti më dukej një mjet i fuqishëm për t'u shprehur, në ato kohë të rrezikshme për kulturën tonë. Gjë që do ta bëja vetëm në burg, ku shkrova 52 drama dhe pas lirimit shkrova të tjera."