A ka të mirë individuale në “anarki sociale”...?
Nuk duhet ndonjë sforcim i madh për të kuptuar se kohët e fundit, në shoqërinë shqiptare ka një situatë sociale që vazhdimisht është e inonduar me kuptime dhe perceptime të deformuara, për raportet e reja që janë krijuar midis njeriut dhe shoqërisë, midis lirisë sociale dhe pavarësisë individuale. Po jetojmë të shqetësuar ngaqë nuk ka korrelacion social midis sovranitetit të natyrshëm të sjelljes morale të individit në raport me rregullat e përbashkëta, me ndikimin detyrues të vlerave shoqërore. Prirja e jetës demokratike dhe kërkesa thelbësisht pozitive e njerëzve tanë për të qenë të lirë nga paradigmat morale të trashëguara nga tradita, ka filluar të humbasë vlerën, kuptimin dhe sensin e masës ngaqë është bërë tendencë frenetike, gati e pakontrolluar, e sjelljes së shumë njerëzve që duan të jenë në situatë anarkie sociale me veten dhe kriteret e përbashkëta të shoqërisë. Iluzioni social i përhapur gjerësisht dhe në përmasa shqetësuese ka krijuar mentalitetin se duke qenë të “lirë” nga gjithçka, nga çdo gjë dhe nga kushdo, duke tentuar për të qenë në sovranitet të plotë me “dëshirat vetjake”, të cilat në shumë raste jo vetëm që janë moralisht kontroversale, por dhe që cenojnë lirinë dhe të drejtat e të tjerëve, rregullat e përbashkëta të shoqërisë në tërësi.
Kjo situatë sociale, e cila është agravuar dukshëm kohët e fundit, e ka vënë shoqërinë tonë në një situatë kaotike, të paqartë dhe përballë vështirësive konceptuale morale, përballë një gjendjeje dhe mirazhi social të deformuar që po çon në paqartësi funksionuese dhe ekzistenciale familjen, komunitetin dhe individët, duke sjellë vështirësi tek ta, për të kuptuar drejt dhe sipas standardeve demokratike, raportet reale dhe dialektike që duhet të vendosen midis “lirisë së individit” nga njëra anë dhe nevojës sociale të domosdoshme, për të pasur të rivendosur në një masë të re, të arsyeshme jo vetëm sovranitetin social dhe moral të individit, por në të njëjtën kohë edhe të drejtën e patjetërsueshme të shoqërisë për të mbajtur nën “kontroll” dhe vlerësim social një sistem të caktuar vlerash morale detyruese të përbashkëta për të gjithë.
Pa këtë raport të drejtë të “lirisë individuale” dhe “vlerave sociale”, të vendosur mbi bazën e dialektikës së marrëdhënieve moderne shoqëri-individ, njeri-komunitet, nuk do të jetë e mundur të gjendet në shoqërinë tonë tashmë të tronditur nga çorganizimi social dhe anarkia e vlerave, masën e duhur, në mënyrë që ato të jenë në kompatibilitet me rregullat e përbashkëta të ekzistencës dhe funksionimit të saj. Sigurisht është gjë shumë pozitive, që më në fund erdhi momenti historik, kur si shoqëri kemi arritur në një situatë të tillë të relacioneve individuale dhe sociale, në të cilën tashmë pa frikë mund të themi se janë të gjitha kushtet dhe nuk mungon pothuaj asgjë, që njeriu me të drejtë duhet të shikojë në radhë të parë, jo të mirën e të tjerëve dhe të shoqërisë, por mbi të gjitha të “mirën e vet”.
Por, kjo tendencë thelbësisht e re dhe pozitive e shoqërisë shqiptare, tashmë e lirë dhe individualiste, e ka bërë evident tiparin esencial të njeriut të kohës modern, që të jetë i frymëzuar nga “pragmatizmi individual”. Por, pas kësaj të mire të përgjithshme duket se në shoqërinë tonë po shfaqet një deformim i frikshëm midis masës së duhur të interesave dhe prishjes së raporteve funksionuese të marrëdhënieve individuale dhe sociale. Tronditja që ndiejmë në jetën e përditshme është në thelb shfaqje e së vërtetës se nuk funksionon si duhet dhe në masën e duhur lidhja e domosdoshme midis asaj që duhet të ekzistojë midis së “mirës individuale” dhe së “mirës së përbashkët”. Kjo situatë është duke u deformuar në nivele shqetësuese, madje alarmante, nga që gjërat kanë shkuar në nivele in ekstremis të rrezikshme. Deformimi i raporteve të interesave individ-shoqëri ka krijuar idenë iluzive se në shoqërinë shqiptare tashmë të modernizuar, ka vlerë çdo gjë që është vetëm për të mirën individuale dhe që nuk varet dhe nuk kontrollohet më nga shoqëria.
Në takime me njerëzit duket se kjo prirje, ky mentalitet social i deformuar ka krijuar qëndrime masive me natyrë retrograde, që ushqejnë mendimin sipas të cilit në shoqëri nuk ka më vend as për “vlera sociale”, ca më pak për “kontroll shoqëror” të sjelljes së individit, ngaqë sipas mendimit të tyre semplist tashmë në shoqërinë shqiptare nuk ka hapësirë për të “mirën e përbashkët”, se tashmë nuk vlen asgjë që nuk është e vlerësuar si e “mirë individuale”, si dobi pragmatiste për interesat partikulare të individit, por që tenton të shfaqet si e “mirë sociale”. Nuk ka dyshim që në vlerësimin sociologjik të situatës duket qartë se është se ky mentalitet në zgjerim është një nga defektet e rënda të qytetërimit tonë. Fakti që “vlerat sociale” dhe marrëdhëniet humane janë duke u prishur me intensitet të lartë, me kritere të çrregullta, gati në mënyrë katastrofike, sidomos konceptet e duhura që janë fondamentale për çdo shoqëri moderne dhe kusht për të pasur një raport të arsyeshëm, midis së mirës individuale mjaftojnë për të vërtetuar se në të vërtetë dhe me të drejtë shoqëria jonë e ka vënë në plan të parë, ka shpallur me bujë si kuintesencë të saj vlerësimin prioritar të interesave tërësore të individit. Por kjo nuk do të thotë që në shoqërisë tonë të prishet sensi i masës në raportet shoqëri-individ, na marrëdhëniet midis interesit individual dhe interesit social, midis të mirës së veçantë të individit dhe të mirës së përbashkët të shoqërisë. Pikërisht për këtë masë sociale detyrimesh dhe sistemin e domosdoshëm të një mase konsensuale të respektimit të vlerave të përbashkëta, kemi nevojë dhe duhet të kërkojmë që në shoqërinë tonë ato të zbatohen nga njeriu individualisht. Pikërisht përmes modernizimit të mekanizmit të liberalizuar të funksionimit, jo vetëm të “sistemit të vlerave” që pragmatikisht janë individuale, por dhe të funksionimit konsensual të instrumenteve të domosdoshme të “kontrollit shoqëror”. Në shoqërinë tonë të së kaluarës, për shkak të karakterit totalitar të shtetit dhe rolit paternalist të shoqërisë kolektiviste antiindividualiste, ky rol i është “besuar” shtetit, si “përfaqësues universal” i interesave të individit të veçantë, të cilat u nënshtroheshin pa kundërshtim prioriteteve të interesave sociale. Koha moderne po e mëson shoqërinë shqiptare që të kuptojë, të pranojë dhe të zbatojë paradigmën e re të raporteve të interesave sociale dhe individuale, në mënyrë të tillë që po krijon bindjen e thellë se nuk është vetëm shteti si përfaqësues i interesave publike.
Përkundrazi, tani, në kushtet kur shoqëria shqiptare është demokratizuar, ka të tjera instrumente për të garantuar dhe mbrojtur “sistemin demokratik” të interesave, duke i dhënë natyrshëm prioritetin dhe vendin e duhur interesit individual në raport me interesin social, duke krijuar një koncept të ri të përbashkët për sistemin e personalizuar të vlerave morale. Këto janë parakushte, të cilat edhe pse janë ende të brishta dhe shumë herë të paqarta dhe kakofonike në shoqërinë shqiptare, kanë filluar të shfaqen si “masë vlere” dhe përbëjnë në një farë mënyre kushtin social, për të “imponuar” natyrshëm nevojën e ngutshme të respektimit të standardeve moderne të qytetërimit. Ajo që ka rëndësi, është që të mësojmë njerëzit tanë me sistemin e ri të vlerave, respektimin e interesave diverse dhe funksionimin e masës së kontrollit shoqëror dhe demokratik të raporteve të tyre. Nga ana tjetër është shoqëria civile, media, kultura, shkolla, familja dhe nënorganizimet e tjera të shoqërisë shqiptare që kanë detyrë dhe që duhet të bëhen “garant” të funksionimit të raporteve të interesave sipas standardeve të qytetërimit. Kjo bëhet nëse “sistemi i vlerave” të përbashkëta kthehen në “detyrime qytetare” dhe “norma qytetëruese” përmes një pune dhe veprimtarie intensive, nëpërmjet ridimensionimit të punës formuese dhe edukative të shoqatave, grupeve të interesit, grupimeve profesionale dhe asociacioneve morale, fetare dhe edukative. Pikërisht janë këto instrumente të shoqërisë moderne dhe jo shteti, që kanë detyrë organike dhe detyrim social dhe moral që janë të natyrshme dhe që përbëjnë “pjesën e përgjegjësisë” për të bërë në njëfarë mënyre disiplinimin moral të shoqërisë, përpunimin dhe garantimin e zbatimit të raportit qytetar midis interesit të veçantë dhe të përgjithshëm. Këtë çështje mund ta zgjidhim sipas standardeve dhe mund të vendoset “sensi i masës” në mënyrë të natyrshme midis interesave, pavarësisht se ato në shoqërinë moderne përbëjnë një “konglomerat të vështirë”. Sot është ndryshe koha, sistemi i vlerave dhe raportet e njeriut me shoqërinë. Tashmë kontrolli që buronte nga totaliteti i pushtetit të gjithëfuqishëm dhe modeli tërësor i ndërtimit të sistemit totalitar, është përmbysur përfundimisht. Por kjo situatë e re nuk duhet të na çojë në iluzionin e gabuar se demokracia për këtë arsye është “anarki sociale”, ku njeriu është i lirë të bëjë çfarë të dojë, të shikojë vetëm veten dhe interesat e tij, duke e ndjerë veten padrejtësisht të lirë nga çdo “kontroll social”. Sa më paradoksal të bëhet ky mentalitet, aq më keq do të jetë për të ardhmen e shoqërisë sonë. Një gjë është e sigurt dhe që sipas mendimit tim përbën një mësim që vjen nga demokracitë e konsoliduara dhe që përbën një mesazh fondamental për shoqërinë dhe njerëzit tanë: Asnjëherë e mira individuale nuk mund të vijë nga anarkia e vlerave sociale…
24 Gusht 2010