E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha thyen rekordin e zëvendësministrave, emëron 35 të tillë



Kryeministri i vendit, Sali Berisha, duket se nuk po e mban premtimin elektoral për të pasur një qeveri në dietë. Megjithëse ai ka krijuar një kabinet qeveritar me një numër të vogël ministrash, nga ana tjetër ka krijuar më shumë se 3 kabinete të tjera “qeveritare” në prapavijë, që do të thotë se pas ministrave qëndrojnë jo pak, po 35 zëvendësministra dhe në ndihmë të kryeministrit janë emëruar jo pak, po 22 këshilltarë dhe ndihmës.
Ajo që bie në sy më shumë në kabinetin qeveritar është fryrja e tij më një numër të madh zëvendësministrash, saktësisht 35 të tillë, që ndryshe përkthehen dy ose tre zëvendësministra në një dikaster. Një zëvendësministër merr një pagë mujore afërsisht 1.3 milionë lekë dhe 35 të tillë kushtojnë 45.5 milionë lekë të muaj. Me një numër kaq të fryrë zëvendësministrash mësohet se kryeministri Berisha është munduar që të kënaqë aleatët. Zgjerimi i koalicionit qeverisës edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim e ka detyruar kryeministrin Sali Berisha që të rritë në mënyrë formale jo vetëm numrin e portofolave ministrorë, siç bëri në rastin e krijimit të postit të ministrit të Shtetit për Teknologjie dhe Inovacionin, por edhe të zëvendësministrave. Ndryshe nga kabineti paraardhës, ky i tanishmi ka plot 35 zëvendësministra, ku për herë të parë ndoshta në historinë e pluralizmit shqiptar vetëm Ministria e Kulturës ka tre të tillë. I gjithë kabineti qeveritar kap shifrën e 72 titullarëve, që në muaj kushtojnë rreth 100 milionë lekë, ndërsa në një vit pagat e tyre kapin shifrën e 1.2 miliardë lekëve. Kjo shifër sigurisht që është më e lartë nëse përllogariten dietat, karburanti, shoferët, truprojat dhe biletat e avionëve.
Zëvendësministrat
Numri i madh i partive aleate me të cilat hyri në zgjedhjet e 28 qershorit, rreth 16 parti aleate, i kanë diktuar PD-së një kabinet qeveritar më të gjerë sesa ai me të cilin qeverisi katër vitet e shkuara. Kështu, pavarësisht trumbetimit në media për një qeveri të vogël, kreu i maxhorancës, Sali Berisha, për të kënaqur të gjithë aleatët të vjetër dhe të rinj, ka rritur jo pak numrin e dikastereve që kanë nga tre zëvendësministra. Kështu, gjashtë prej ministrive aktuale kanë nga tre poste zëvendësministrash, ku shumica u është dhënë aleatëve të PD-së. Ndërsa gjatë mandatit të parë kishim vetëm një dikaster me tri poste zëvendësministrash, pra Ministrinë e Brendshme, sot numri i ministrive të tilla ka shkuar në gjashtë. Me tre zëvendësministra është bërë organika e Ministrisë së Mbrojtjes, me Arian Starovën, aleat i PD-së kryetar i PBL-së; Ekrem Spahia, një tjetër aleat i PD-së, kryetar i PLL-së; si dhe Zana Zhuka e PD-së.
Me tre zëvendësministra funksionon sot edhe Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, e cila përfaqësohet me ish-anëtarin e PDR-së, aleate tashmë e shkrirë me PD-në, Eno Bozdo; me anëtarin e Partisë Republikane, aleatin e kahershëm të PD-së, Neritan Alibali, si dhe me përfaqësuesin e LSI-së, Leonard Beqiri.
Po ashtu, me 3 poste zëvendësministri është bërë edhe Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, duke emëruar Edmond Haxhinaston si përfaqësues i LSI-së, Adriatik Alimadhin si përfaqësues i Ballit dhe Ernest Nokën. Por, ndërsa për katër ministritë e mësipërme ky shtim mund të justifikohet për shkak të rëndësisë dhe volumit të madh të punëve që mbulojnë, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për dy dikasteret me më pak rëndësi në këtë kabinet qeveritar, pra për Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Kulturës. Struktura e këtyre dy ministrive është shtuar po ashtu me nga një post zëvendësministri, ku shumica e këtyre posteve u është dhënë aleatëve. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, përveç ministrit Fatmir Mediu, ka si përfaqësues politik edhe tre zëvendësministrat; Arben Demeti, Taulant Bino dhe Auron Meneri. Ndërsa në Ministrinë e Kulturës, si zëvendësues të ministrit Ferdinand Xhaferri janë emëruar Dashnor Bajaziti, Nikollë Lesi dhe Suzana Turku. Ndërkaq, lista e zëvendësministrave nuk mbaron, ndërsa ka shtuar një post ministri për Genc Pollon, kreu i qeverisë ka parashikuar post zëvendësministri pikërisht për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacionin, duke emëruar në këtë post Visho Ajazi Lika dhe duke e çuar në 35 numrin e zëvendësministrave. Shtimi i numrit të zëvendësministrave ka rritur edhe barrën financiare të kësaj qeverie, çka e bën një premtim të pambajtur të kësaj maxhorance angazhimin për shkurtim të shpenzimeve të qeverisjes, kjo pasi dihet që një zëvendësministër për nga hierarkia renditet njësoj si dhe një deputet.

Zëvendësministrat

Selim Belortaja - zëvendësministër i Punëve të Jashtme
Edith Harxhi - zëvendësministre e Punëve te Jashtme

Iva Zajmi - zëvendësministre e Brendshme
Ferdinand Pone - zëvendësministër i Brendshëm
Avenir Peka - zëvendësministër i Brendshëm

Arjan Starova - zëvendësministër i Mbrojtjes
Ekrem Spahiu - zëvendësministër i Mbrojtjes
Zana Xhuka - zëvendësministre e Mbrojtjes

Edmond Hoxha - zëvendësministër i Integrimit
Jorida Tabaku - zëvendësministre e Integrimit

Nezir Haldeda - Zëvendësministër i Financave
Alfred Rushaj - Zëvendësministër i Financave

Ermal Dobi - zëvendësministër i Drejtësisë
Brikena Kasmi - zëvendësministër i Drejtësisë

Leonard Beqiri - zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Neritan Alibali - zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Eno Bozdo - zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

Edmond Haxhinasto - zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transportit
Adriatik Alimadhi - zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transportit
Ernest Noka - zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transportit

Nora Malaj - zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës
Halit Shamata - zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës

Filloreta Kodra - zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Kastriot Sulka - zëvendësministër i Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

Albert Gajo - zëvendësministër i Shëndetësisë
Bardh Spahia - zëvendësministër i Shëndetësisë

Ndoc Fasllia - zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Tokli K. Thomaj - zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit

Dashnor Bajaziti - zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Nikollë Lesi - zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Suzana Turku - zëvendësministre e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Arben Demeti - zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Taulant Bino - zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Auron Meneri - zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave

Visho Ajazi Lika - zëvendësministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit

Berisha viziton Muzeun Arkeologjik të Apolonisë, njihet me zbulimet e fundit

Kryeministri Berisha ishte dje në Muzeun Arkeologjik në Qendrën e Studimeve Albanologjike, për të parë nga afër zbulimin arkeologjik më të fundit të bërë në Apoloni. Arkeologët shqiptarë, në bashkëpunim me arkeologë francezë, kanë zbuluar bustin e një aristokrati nga Apolonia, që i përket gjysmës së dytë të shekullit II pas Krishtit. Ky prezantim iu bë kryeministri Berisha nga Profesor Jean-Luc Lamboley, bashkëdrejtori francez i ekspeditës së përbashkët shqiptaro – franceze të Apolonisë, i cili theksoi se ky zbulim, fryt i një bashkëpunimi të gjatë shqiptaro – francez në këtë qendër arkeologjike, është një kryevepër, një nga skulpturat më të bukura të repertorit botëror të periudhës romake të shekullit të dytë të erës sonë dhe një dëshmi tjetër e zhvillimit të lartë kulturor të Apolonisë në kohën e artë të lulëzimit të saj në shekullin e dytë pas Krishtit. Kryeministri tha se ky zbulim ka vlerë të paçmueshme dhe të jashtëzakonshme. “Vlerat e tij janë të jashtëzakonshme në rrafshin krijues, skulptural, artistik, në rrafshin historik, por gjithashtu janë akoma më të mëdha, si dëshmi e përjetësisë së kombit shqiptar”, - theksoi ndër të tjera kryeministri. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për grupin e arkeologëve për këtë zbulim, të cilën ai e cilësoi si një kryevepër historike. “Dua të shpreh vlerësimin tim më të madh, mirënjohjen më të thellë ju dhe të gjithë ekipit shqiptaro-francez, që zbuloi këtë verë një kryevepër të gjenisë krijuese në skulpturë të të gjitha kohërave. Ky zbulim, siç theksuat ju, ka vlerë të paçmuar të jashtëzakonshme. Vlerat e tij janë të jashtëzakonshme në rrafshin krijues, skulptural, artistik, në rrafshin historik, por gjithashtu janë akoma më të mëdha, si dëshmi e përjetësisë së kombit shqiptarë. Një përjetësi e bazuar në vlera të qytetërimit perëndimor. Shqipëria është një vend i vogël, por me një pasuri të jashtëzakonshme në gjirin e saj, ky territor ka njohur qytetërime të shumta, perandori dhe perandor, por ajo që e bën shumë të veçantë është se në të gjitha kohërat eci si një komb me identitetin e tij të sotëm. Ky zbulim për qeverinë shqiptare ka edhe një dimension tjetër të frymëzimit të saj, të detyrimit të saj, për të fuqizuar mbështetjen për arkeologjinë shqiptare, për të fuqizuar bashkëpunimin me vendin tuaj mik dhe vendet e tjera mike në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme në rrafshin kulturor në rrafshin historik dhe në tërësi. Edhe njëherë falemnderit shumë, unë u mrekullova nga ky zbulim”, - është shprehur Berisha.

22 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›