E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Hapja e kutive është ogurzezë. Rama: Kutitë u hapën dhe në KabulNga Tema Kryeministri, Sali Berisha, e quajti ogurzezë kërkesën e opozitës për të hapur kutitë e votimit dhe për të bërë transparencën e zgjedhjeve të qershorit. Beris

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha: Hapja e kutive është ogurzezë. Rama: Kutitë u hapën dhe në KabulNga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, e quajti ogurzezë kërkesën e opozitës për të hapur kutitë e votimit dhe për të bërë transparencën e zgjedhjeve të qershorit. Berisha tha se kjo është një ndërhyrje e pastër në kompetencat e gjyqësorit.

Kryeministri i bëri këto komente gjatë një mbledhjeje qeverie, ku foli për Progres-Raportin e Komisionit Evropian. Berisha tha se vendi ynë ka dalë nga lista e vendeve me zgjedhje problematike. “Në këtë kontekst, Shqipëria del nga lista e vendeve, ku renditej më parë, me zgjedhje problematike, me zgjedhje që përmbushnin vetëm pjesërisht standardet ose me zgjedhje që nuk përmbushnin standarde. Këtu një kontribut të madh dhanë të gjithë qytetarët shqiptarë, dhanë miqtë e Shqipërisë kudo në botë, dhanë forcat politike, dha opozita shqiptare që sot bojkoton parlamentin, por që mori pjesë në zgjedhje, përzgjodhi sistemin zgjedhor dhe pati zërin kryesor në Kodin aktual Zgjedhor”, - tha Berisha.

Kryeministri tha se gjyqësori ka vendosur për kërkesat e opozitës për votat, në qarqet ku ajo ka pasur pretendime.

“Nuk do të ndalem në trajtimin e mëtejshëm të qëndrimit të opozitës, por dua t’u them shqiptarëve se nuk ka kërkesë më absurde, nuk ka kërkesë më ogurzezë se sa të pretendosh të vendosësh vullnetin politik mbi vendimet e gjykatave. Është në rregullin themelor të ndarjes së pushteteve. Sovrani i ka dhënë të gjitha ato pushtete ekzekutivit, parlamentit, presidentit, por nuk u ka dhënë gjithçka atyre. Një pjesë të pushtetit ua ka dhënë trupave gjykuese, të cilat, edhe pse nuk kalojnë në votë, kanë themel të çeliktë në kushtetutat e vendeve demokratike për veprimtarinë e tyre.

Unë dua të informoj edhe një herë shqiptarët se për katër qarqet, që zoti Rama pretendon për rinumërim, Gjykata e Apelit, të Kolegjit Zgjedhor ka hedhur poshtë kërkesat për rinumërim dhe i ka hedhur poshtë bazuar në ligjin zgjedhor të vendit”, - tha Berisha.

Ai u shpreh se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që nuk lejon hetimin e parlamentit në çështje që kanë qenë objekt hetimi apo gjykimi. Edhe pse këtë vendim Berisha e ka shkelur vetë, kur hoqi nga detyra ish-Kryeprokurorin, ai u mbështet aty për të kundërshtuar kërkesat e opozitës.

“Komisioni hetimor parlamentar, i bazuar në nenin 77 të Kushtetutës, sipas ligjit organik të këtij komisioni, nuk mund të shqyrtojë çështje që janë në juridiksionin e gjykatave. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2003, që plotëson nenin 77 të Kushtetutës, me fuqi plotësuese për Kushtetutën, përcakton qartë se hetimi parlamentar në mënyrë kategorike nuk mund të shtrihet në çështje të tjera, të cilat kanë qenë apo janë objekt i hetimit gjyqësor dhe i gjykimit. Nuk mund të imagjinohet që kryetari i një partie, që pretendon se kjo parti respekton parimet bazë të demokracisë dhe ndarjes së pushtetit, të kërkojë të thyhen vendimet e gjykatave, Kolegjit Zgjedhor, Gjykatës Kushtetuese, e cila në mënyrë taksative thekson se përpjekjet e komisioneve hetimore për t’u marrë me çështje të gjykuara apo të juridiksionit të gjyqësorit bien qartësisht ndesh me Kushtetutën dhe parimet e saj”, - tha Berisha.

Kryeministri tha se ishte i hapur të hetonte të gjitha kërkesat e tjera të opozitës për zgjedhjet.

“Kërkon të hetojë për shkarkimin e punonjësve, le të vijnë dhe t’i hetojnë, kërkon të hetojë për implikimet e administratës në zgjedhje, të vijnë e t’i hetojnë, kërkon për lirimin e të burgosurve për qëllime elektorale, të vijnë e t’i hetojnë. Çdo gjë është e hetueshme, përveç vendimeve të gjykatave. Kjo ka ndodhur vetëm në vitin e zi ’53 a ’54, kur anëtarët e Byrosë Politike u ulën në tavolinë dhe vendosën ekzekutimin e intelektualëve për bombën në ambasadën sovjetike, ndërkohë që gjyqin e bënë formalisht dy ditë më vonë. Por nuk mund të ndodhë kurrë në një vend demokratik që politika të mund të thyejë vendimet gjyqësore. Ato vendime sovrani ia ka besuar gjykatës. Ky është parimi i ndarjes së pushteteve”, - tha Berisha.

Rama: Do përshkallëzojmë protestat

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu përgjigj kryeministrit, Sali Berisha, duke thënë se kërkesa e tyre për hapjen e kutive nuk është një mbivendosje ndaj sistemit të drejtësisë. Rama tha se kutitë u hapën madje dhe në Afganistan, ku ndryshoi rezultati zgjedhor.

“Ajo që kërkojmë ne, ka të bëjë me të drejta të padiskutueshme të parlamentit, ku Sali Berisha ka arritur të hapë edhe dosje, të cilat kanë qenë dosje hetimore të prokurorisë.

Ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencë përmes komisionit hetimor parlamentar, i cili nuk është absolutisht një shkallë tjetër gjykimi dhe nuk ka të bëjë fare me procesin juridik që u mbyll me vendimin e Kolegjit Elektoral. Janë dy gjëra të ndryshme që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, por që kryeministri i bashkon, sepse kërkon t’i ikë me çdo kusht të vërtetës që fshihet në kutitë e 28 qershorit, të vërtetës së madhe, se zgjedhjet janë grabitur, se vullneti i shqiptarëve është deformuar dhe se mekanizmi i deformimit ka qenë i orkestruar nga vetë pushteti.

Fakti është që sot, Shqipëria është padyshim në një situatë tërësisht të papranueshme, për shkak se ndërkohë që kutitë hapen kudo, edhe në Greqinë fqinje po bëhet një rinumërim, edhe në Afganistanin e largët kutitë u hapën, ndërkohë që në vendin tonë, edhe pse është e shkruar e zeza mbi të bardhë në ligj, u ndalua me pushtetin arbitrar të administratës zgjedhore dhe të Kolegjit Zgjedhor, e tashmë kjo gjë i ndalohet edhe vetë parlamentit, i cili pa as më të voglin dyshim mund të hap çdo çështje, çdo kuti, çdo dosje për hir të së drejtës që të hetojë lidhur me çështje të caktuara”, - tha Rama.

Kryetari socialist bëri të qartë se ata nuk do të hyjnë në parlament dhe do përshkallëzojnë protestat, nëse nuk u plotësohen kërkesat.

“Ata që protestojnë për të parë votën e tyre dhe për të bërë transparencë lidhur me procesin zgjedhor që sapo lamë pas, protestojnë në fakt njëkohësisht për veten dhe të ardhmen e tyre, për liritë e tyre që janë liri politike, por janë edhe liri ekonomike, sepse mbyllja e konkurrencës, mbyllja e rrugës së konkurrencës politike është pazgjidhshmërisht e lidhur me mbylljen e rrugës së konkurrencës ekonomike në këtë vend, ku Sali Berisha kërkon të mbyllë njëherë e mirë dyert e demokracisë reale. Të mbyllë njëherë e mirë rrugën e alternativave në të gjithë sektorët dhe t’i japë këtij vendi formën e një skeme të mbyllur, ku ai dhe familja e tij të sundojnë duke kontrolluar, jo vetëm votën, por duke kontrolluar përmes votës edhe të gjithë jetën publike të shqiptarëve, duke mos ju dhënë mundësi njerëzve që me iniciativën e tyre të lirë të bëjnë gazetat që dëshirojnë të pandikuar nga presioni i pushtetit mbi aktivitetin e tyre ekonomik, të bëjnë gjithçka dëshirojnë dhe të fitojnë në bazë të talentit, të aftësive dhe të suksesit të ideve të tyre. Prandaj është e kotë që të spekulohet duke thënë se protestat e opozitës qenkan për votën, por s’qenkan për çmimin e energjisë, qenkan për lirinë e votimit, por s’qenkan për lirinë e konkurrencës në treg të të gjitha ideve e alternativave, sepse në fakt, duke qenë për lirinë e zgjedhjes, janë edhe për të gjitha liritë e tjera, liri, që sot janë përditë e më të kërcënuara, ky është fakt”, - tha Rama.

Kryetari i PS tha se në një vend ku mohohet konkurrenca politike, nuk ka liri për të konkurruar në asnjë fushë tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›