E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka vallë liri në Shqipëri?!

Një shembull konkret ku liria e njeriut barazohet me lirinë e kafshëve ose liria e kafshëve bëhet liri e jona, është rasti i liberalizimit të vizave për shqiptarët e Shqipërisë nga Bashkimi Evropian, pra liria e lëvizjes së shqiptarëve në zonën Shengen. U proklamua si një nga arritjet e Shqipërisë drejt rritjes së lirisë së shqiptarëve. Ndërkohë që ajo që ndodhi ishte një vendim i BE-së dhe ne, shqiptarët jemi vetëm pësuesit e këtij vendimi. Liri lëvizjeje se u hoqën vizat, njësoj siç janë të lira dhe kafshët. Po për kafshët pse nuk u hoqën vizat?! Apo ato mund t’i kalojnë kufijtë pa vizë, sepse janë një nivel më lart se ne?! A thua deri tani nuk kemi qenë të lirë as sa kafshët?! A thua se me këtë vendim, ne shqiptarët u barazuam me kafshët për sa i përket konceptit të lirisë?! Ky koncept për lirinë e shqiptarëve harron se shqiptarët janë njerëz dhe kjo liri (liria e lëvizjes) nuk është plotësisht në harmoni me natyrën njerëzore, ose është veç një pjesë e lirisë njerëzore. Kjo “liri” është shumë më pak se liria. Njeriu është i lirë atëherë kur kërkon dhe vepron jashtë dëshirave (orekseve) të veta, madje dhe kur i kundërvihet orekseve të tij. Njeriu është qenie aktive në botë sepse është i lirë. Njeriu e krijon botën duke mohuar veten, shoqërinë, natyrën, etj. Kur njeriu nuk ka çfarë të mohojë më, ai barazohet me veten. Duke qenë se njeriu është qenie me mendim dhe nuk vepron vetëm instiktivisht, atë mund ta shihnim si projekt në botë. Si projekt për të realizuar veten dhe botën. Si projekt që bën histori dhe jo i përshtatet historisë. Pra njeriun mund ta shohim si ide filozofike. Ashtu siç thotë Kojeve-i, “e vërteta e një ideje filozofike matet me realizimin e saj historik”. Në dallim me të gjithë qeniet e tjera, njeriu nuk mund të bëjë dot pa mohimin për të qenë njeri. Liria ka për thellësi të vetën mohimësinë ose, siç thotë Sartre-i, fuqinë për të “asgjësuar”. Të jesh i lirë, është mundësia, guximi, vullneti që të thuash “jo” dhe të veprosh ashtu, ndryshe nga diplomacia shqiptare që nuk di të thotë një herë “jo”. Njeriu i thotë “jo” (mohon) natyrës, objekteve dhe subjekteve që e rrethojnë, dhe mund të arrijë deri tek mohimi i vetes (vetëvrasja). Nuk e di nëse njeriu është prodhim i lirisë apo liria prodhim i njeriut, por e di se këtu në Shqipëri ka shumë pak liri dhe aq më pak njerëz.

Vilem Kurtulaj


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›