E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikë kurbanesh

Ardian Vehbiu

Kush më shumë e kush më pak e ka ndjekur këto ditë linçimin që ia bënë Kosta Barjabas mediat në Tiranë. S’e kisha pritur që opinioni publik shqiptar të kishte rezerva kaq të pashtershme indinjimi moral kundër vjedhjes. Nuk krrakëritën vetëm politikanët, as ata që paguhen për të krrakëritur; por edhe njerëzit e zakonshëm, anonimët, të thjeshtët, ose armata e gatshme e populizmit. Kaq ndyrë iu vërsulën këtij njeriu, sa t’ia rehabilitonin emrin, në një plan të epërm. Kosta Barjaba është një studiues i mirënjohur, një veprimtar i shoqërisë civile, një baba dhe bashkëshort. Çfarë i ndodhi në Palo Alto, do ta konsideroja – hë për hë – si fatkeqësi. PD-ja, me frymë të rëndë prej buallice, siç e ka zakon, ia shkatërroi personin publik këtij të ziut, duke e quajtur “xhepist ordiner” etj.; edhe pse qartazi kjo u ndërmor për të goditur PS-në, me të cilën Barjabën e lidhnin shumë fije. Vëreni si lufta për të ndarë krundet e pushtetit në Tiranë, e bëri një viktimë të re. Zotat e politikës shqiptare kërkuan edhe një herë gjak, dhe e gjetën një qyqar për ta flijuar. Nuk ka asgjë etike në ofensivën mediatike kundër sociologut dhe veprimtarit Barjaba, as në distancimet hipokrite të institucioneve ndaj tij. Është reagim i ndyrë i një klase njerëzish shpirtërisht mjeranë, të frikësuar dhe të varfër; i një klase gjysmë-njerëzish, të cilëve s’u ka mbetur më asnjë farë humanizmi. Barjaba kushedi vodhi në një dyqan në ShBA – edhe pse unë vetë nuk e besoj që ai të ketë vjedhur; por le ta marrim, megjithatë, të mirëqenë aktin për të cilin akuzohet. Çfarë të themi përballë këtij incidenti? Një bashkëshort dhe baba, që poshtërohet përballë familjes së vet, miqve të vet, kolegëve dhe publikut të vet, mbarë opinionit publik. Që poshtërohet, përgojohet me epitetet më shkatërruese, përdoret egërsisht për të goditur PS-në, pezullohet dhe përjashtohet, shkishërohet dhe ostracizohet – duke përfunduar si cjap i larjes së mëkateve, për një shoqëri të zhytur në ves dhe anomi, si kjo e tanishmja në Tiranë dhe gjetiu në Shqipëri. Linçimi i tij publik s’ishte veçse një festival pagan, barbar, dionisiak; ose fytyra e ngërdheshur, gjakatare, e po atij demoni kolektiv që shqeu me thonj e dhëmbë tortën e Pavarësisë, në sheshin Skënderbej në Tiranë para një muaji. Zëri i atyre pak individëve që u distancuan, që shprehën një rezervë, një keqardhje, një empati për Barjabën u mbyt sakaq nga krrakërimat e korbave – me qindra, mijëra e dhjetëra mijëra, që kanë kolonizuar tashmë pemët e pushtetit, të shoqërisë civile dhe të mediave. Dhe kjo në kontekstin e një republike e cila ia lejon vetes të qeveriset, prej vitesh, nga një kastë pushtetarësh të cilët shumica i njeh si hajdutë (jo të dyqaneve amerikane, por të xhepave të vetë taksapaguesve); dhe jo vetëm i njeh, por edhe i admiron si të tillë. U desh ky incident me një figurë minore si Barjaba – deri më sot i njohur vetëm si sociolog, profesor universiteti dhe veprimtar i shoqërisë civile – që të na shfaqej para syve, në krejt shëmtinë e vet, bataku moral i Shqipërisë së sotme.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›