Retorika nacionaliste, politika dhe fukarai
Kohët e fundit jemi dëshmitarë për retorikën e rritur nacionaliste në Shqipëri nga ana e aktorëve kryesorë politikë. Ndërsa partia qeverisëse foli për “bashkim kombëtar”, partia kryesore e opozitës bëri fjalë për “bashkim të shqiptarëve nën flamurin e Bashkimit Evropian”. Rritja e kësaj retorike shkaktoi jo vetëm reaksionin e nacionalistëve të vendeve fqinjë, por edhe reagimin e ashpër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian si dy partnerë të rëndësishëm globalë të vendit tonë. Shkaku i reagimeve sipas Partisë Demokratike ishte “albanofobia”, kurse Partia Socialiste nënvizoi se bashkimi i shqiptarëve nuk ndodh me metodat e vjetra te ndryshimit të kufijve. Mbase fjala “bashkim” është fjala-kyçe e retorikës politike sot sepse josh, por dhe “peshkon” më shumë vota nga Shqiptarët, prej të cilëve pritet të karakterizohen si “patriotë” politikanët që mbajnë ligjërata të tilla. Në mendjen e Shqiptarit të thjeshtë, “bashkimi i Shqiptarëve” është kryesisht bashkimi i Shqiptarëve në një shtet të vetëm. Nga ana tjetër, “bashkim nën ombrellën e B?-së” mund të quhet më lehtë “integrim evropian”, ashtu siç mund të jetë “bashkimi ekonomik i Shqiptarëve” thjesht “zhvillimi ekonomik” apo “mirëqenie”.Fjala “bashkim i Shqiptarëve” nuk mund të jetë as negative dhe as e ndaluar, se sa mund te jetë thjesht e pa-realizueshme në kushtet e sotme të paqes në rajon. Ajo përdoret sot politikisht, kryesisht për të polarizuar votuesit dhe për të mos i lënë ata të shkasin drejt partive me program dhe retorikë më nacionaliste siç është Aleanca Kuq e Zi apo PDIU. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që përdoret retorikë nacionaliste për efekt të politikës së brendshme. Edhe Enver Hoxha gjatë qeverisjes gjysmë-shekullore, jo rrallë herë ka përdorur nota patriotike, edhe pse ideologjia e tij supozohej të ishte internacionaliste. Por a është Shqiptari i thjeshtë vendqarkullimi kryesor i mesazheve nacionaliste, apo këto të fundit janë më shumë monopol i mediave dhe partive? Personalisht, nuk besoj se përparësia e Shqiptarit të thjeshtë dhe të varfër sot është nacionalizmi, për sa kohë që gjendja ekonomike e tij nuk është ajo që ai do të dëshironte. Nëse jeton jashtë Shqipërisë dhe kontakti i vetëm me aktualitetin e vendit është shtypi shqiptar nëpërmjet internetit, tek disa gazeta kryesore, në fund të çdo artikulli që lidhet me Shqipërinë dhe fqinjët e saj – kryesisht Greqinë – mund të vihen re dhjetëra komente të shkruara nga bashkatdhetarë tanë, komente të cilat mbrojnë identitetin kombëtar shqiptar në kuadër të një konflikti fanatik me fqinjët. Albanofobë janë fqinjët – thotë Berisha; gjitono-fobë janë Shqiptarët – mund të thotë dikush pasi lexon këto komente ose pasi ndjek disa nga mediat shqiptare të cilat e kanë shtuar së fundi dozën nacionaliste tek lajmet për ti bërë ato më joshëse. Kur vjen në Shqipëri largohesh nga ky kontakt i jashtëm dhe si rezultat i pasuron shqisat e tua me një analizë më të plotë, duke vënë re edhe komponentë të tjerë të rëndësishëm të jetës së përditshme të Shqiptarëve. Nëse dikush do të vinte në një qytet kryesor të vendit – siç është Korça – këtë fundvit, do të vinte re që përveç qendrës së qytetit, janë shkulur pothuajse të gjithë kapakët e pusetave, bashkë me shumë nga dritat që ndriçojnë qytetin. Nëse bëhesh kureshtar dhe pyet se përse mungojnë kapakët e pusetave, dikush mund të përgjigjet: “i kanë vjedhur sepse i shesin për skrap”. Po të vazhdoje shëtitjen në qytet gjatë ditës, do të mund të vije re radhën e gjatë të pensionistëve për të marrë shpërblimin e dhënë për ta nga qeveria ketë fundvit. Çfarë mund të blejnë ata me 2000 lek të reja shpërblim kur çmimet e shumë produkteve janë më të shtrenjta se në Greqi dhe Itali? Në fund, nëse të kap zhgënjimi nga të gjitha këto dhe i telefonon një miku që ka ardhur në qytet për festat e fundvitit, do të të thotë se ende nuk ka gjetur punë në Shqipëri, edhe pse ka mbaruar shkollën e lartë, masterin apo edhe doktoraturën jashtë shtetit. “Po nuk pate mik, këtu nuk çan dot” – mund të shtojë ai në bisedën e ngrohtë, në këtë klimë të ftohtë të fundvitit. Për të mos shtuar dhjetëra probleme të tjera të jetës së përditshme në Shqipëri, mendoj se nuk është Shqiptari i thjeshtë ai që prodhon retorikë nacionaliste. Ai mendon për një të ardhme më të mirë për të dhe fëmijët e tij, për largimin e varfërisë dhe të sistemit klientelist, për uljen e kriminalitetit dhe për zëvendësimin e demagogjisë me vepra. Retorika nacionaliste sot është më shumë prodhim i mediave për ti bërë lajmet sa më komerciale dhe e politikës për të mos humbur votuesit e lëkundur, dikur besnikë ndaj tyre.
/Jordan Jorgji/PHD për Marrëdhënie Ndërkombëtare/