Qytetarët duhet të bëjnë bilancin e premtimeve
Erjon Doda / Student, Shkenca Politike
Kanë kaluar disa muaj që nga premtimi për ndërtimin e Parlamentit të ri sipas standardeve europiane dhe me simbolin tonë kombëtar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ky ka qenë lajmi që kanë pasur shumë media për ditë të tëra me radhë. Ishte një nismë e kreut të Qeverisë. Por edhe sot e kësaj dite asgjë konkrete. Ende asnjë gur i hedhur për ndërtimin e shekullit për shqiptarët. Pa kaluar mirë çështja e Parlamentit, kryetari i Bashkisë së Tiranës lëshoi një premtim që ngjalli një lloj pëlqimi te studentët; kartën e studentit, e cila do t’i ofronte nxënësve që ndiqnin arsimin e lartë mundësi të reja për të kursyer. Por edhe ky premtim do të hidhej thjesht në letër. Ende sot me qindra studentë ende nuk e kanë në dorë kartën e tyre. Edhe ky një premtim i bërë qysh herët e që do të zbatohej që në vitin e parë të mandatit të kreut të Bashkisë së Tiranës, zotit Basha. Disa thonë se procesi për kartën e studentit ka filluar, por ende nuk po merren kartat e para, edhe pse aplikimi ka nisur qysh herët, për të mos përmendur këtu që aplikimi për studentët e Universiteteve Private ende nuk ka filluar. Pu-nonjësit e Bashkisë të përcjellin duke të thënë se do të fillojë së shpejti, por ka rreth katër muaj që ende nuk ka nisur. Por nuk ishte vetëm bashkia ajo që nuk realizoi premtimet e veta. Qeveria është ajo që u premtoi shqiptarëve ndërtimin e stadiumit të ri që do të ishte dhurata e qeverisë për sportdashësit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Shqipëria rrezikon mospjesëmarrjen në kompeticionet ndërkombëtare për shkak se stadiumi “Qemal Stafa” nuk i plotëson tërësisht kushtet e detyruara nga FIFA-s dhe UEFA-s. Stadiumi i ri, jo vetëm që nuk përfundoi në afatet e premtuara nga kreu i qeverisë (përpara datës 28 Nëntor 2012 ), por ende nuk ka nisur nga puna edhe pse festën e 100 vjetorit kemi gati dy muaj që e kemi përfunduar. Ndërtimin e stadiumit të ri e prisnin të gjithë si “qershia mbi tortë” me rastin e 100-vjetorit. Por qershia nuk erdhi, torta u shkel, u plaçkit, e u hodh si topa bore. Panorama e atij 100 vjetori që lamë pas është fotografuar. Premtimet e pambajtura, e shpesh të harruara edhe nga ata që i premtuan do të zënë vendin që u takon në atë ditë ku të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës kthyen sytë nga Shqipëria.