Bisedimet për emrin, Gruevski me kushte të reja
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka kërkuar që njohja e Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) të jetë pjesë e bisedimeve për çështjen e emrit me palën greke.
Këtë kërkesë Gruevski ia ka kumtuar ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimiç, dy ditë para fillimit të raundit të ri të bisedimeve në Nju Jork me palët negociatore të Athinës dhe Shkupit.
Sipas arsyetimit të kryeministrit maqedonas, kjo çështje duhet të jetë pjesë e negociatave, sepse mosnjohja e autoqefalisë së KOM-it dhe tendencat për izolimin e saj nga ana e Kishës Ortodokse Serbe vijnë nga ndikimi i Greqisë.
Sipas Gruevskit, mosnjohja e KOM-it nga Serbia dhe vendet e ndryshme të ortodoksisë është çështje e lidhur politike me emrin e Maqedonisë dhe e motivuar nga Greqia, e cila vazhdon të mohojë identitetin maqedonas.
Kryeministri Gruevski në letrën e tij drejtuar ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimiç ka kërkuar që të ndryshohet edhe emri i aeroportit “Maqedonia” të Selanikut. Gruevski gjithashtu nënvizon se kërkon marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, por sipas tij, Greqia kohëve të fundit për dallim nga vendet e tjera të rajonit po rrit potencialin e saj ushtarak. Kjo është letra e dytë e kryeministrit Gruevski që i adresohet OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. (INA)